Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës me mbështetjen e Institutit Demokratike të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për analizimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aty u kërkua unifikimi i qëndrimeve parlamentare në raport me këtë dialog, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Kuvendi duhet ta luaj rolin e vet të pakontestueshëm në këtë proces”, ka thënë kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, për këtë qëllim, ky Komision i ka ftuar kryetarët dhe përfaqësuesit e komisioneve tjera parlamentare që të krijohet një koordinim mes tyre rreth këtij procesi.

“Dialogu duhet të jetë çështje mbi partiake rreth të cilit duhet ndërtuar një konsensus partiak e shtetëror”, ka thënë ai.

Aktualisht, Kuvendi ka në fuqi Rezolutën për pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin dhe kthimin në Kosovë të Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht në Franca, mbi bazën e një procesi ndaj tij, që vjen si rezultat i një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri tha se dialogu duhet të ristrukturohet dhe riformatohet.

“Me Serbinë duhet të ketë dialog ndërshtetëror”, tha Mustafa.

Kurse bisedimet me serbët e Kosovës, sipas tij, duhet të përqendrohen në raportet e brendshme me këtë komunitet.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk e mbështet formën aktuale të dialogut në Bruksel.

“Mendojmë që është koha e fundit që ne si Kuvend, deputetë apo parti politike, ta kemi qëndrimin e qartë rreth këtij dialogu, sepse është me rëndësi që i gjithë procesi të rishqyrtohet, përfshi edhe secilën marrëveshje të arritur në të”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, si rezultat i dialogut janë thelluar ndarjet dhe paralelizmat në Kosovë, çka e kanë bërë jofunksional shtetin e Kosovës, duke tërhequr vërejtjen se me krijimin eventual edhe të Asociacionit të komunave serbe, atëherë do të ndodhte edhe ‘bosnjëzimi i Kosovës’.

Si konkluzion, ajo tha se dialogu nuk i ka inkuadruar serbët në institucione, por vetëm sa e ka shtuar ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe e ka bllokuar Kosovën në procesin e shtetëndërtimit.

“Është koha e fundit që ne ta ndalojmë këtë dialog”, ka thënë Haxhiu.

Kohë më parë, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një Rezolutë me të cilën e ka pezulluar dialogun me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Por, pas datës 27 prill, kur në Colmar do të zhvillohet seancë gjyqësore ndaj Ramush Haradinajt, deputeti Elmi Reçica tha se pritjet janë që lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj do të lirohet dhe më pas, Kuvendi duhet të marr vendim të ri në lidhje me vazhdimin e këtij procesi, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Haradinaj aktualisht po qëndron në Francë, nën masën e lirimit me kusht.

Ai po i nënshtrohet një procesi gjyqësor në Colmar të Francës, ku po shqyrtohet kërkesa e Beogradit për ekstradimin e tij në Serbi.

Prokuroria Speciale e Serbisë pretendon se Haradinaj ka kryer krime lufte, ndërkohë që Haradinaj dhe institucionet në Prishtinë kanë vlerësuar se ky është një proces i motivuar politikisht nga Beogradi.(REL)