dyqanet

Ditës së parë të aksionit të lajmëruar nga qeveria kundër informalitetit, një pjesë e bizneseve u është përgjigjur me mbyllje qepenash.

Në një vrojtim të bërë me kameran e Tv Klan në lagje të ndryshme te  kryeqytetit vërehet se një pjese e subjekteve rezultojnë të mbyllura për të mos u përballur me ndëshkimet  që parashikon ligji.

Bizneset që rezultojnë të mbyllura të martën janë kryesisht biznese të vogla, dyqane ushqimore, furra buke, apo dyqane veshjesh.

Një pjesë e tyre nuk ka kryer procesin e regjistrimit, pasi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve vazhdon të ketë radhë të gjata. Bizneset që rezultojnë të mbyllura mund të jenë edhe ata që kanë pezulluar aktivitetin pasi të dhënat e fundit të QKR tregojnë se në 8 muajt e parë të këtij viti janë kryer 2470 ç’regjistrime biznesesh.

Ndërsa nga ana e qytetarëve vërehet një ndërgjegjësim në tërheqjen e kuponit tatimor.

Sipas ligjit në fuqi qytetarët që nuk tërheqin kuponin tatimor dënohen  me gjobë 1 000 lekë. Një pjesë e qytetarëve nuk janë të informuar për këtë gjë por thonë që është e drejtë, ndërsa pjesa tjetër janë njohur me ligjin.

Qeveria ka njoftuar se nga dita e martë në terren do të jenë 600 grupe pune dhe një sërë strukturash shtetërore, përfshirë këtu Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë të cilët, do të angazhohen në një operacion të gjerë kundër infornalitetit dhe evazionit fiskal.

Tv Klan