Regjisori Gentian Koçi sjellë në kinemanë shqiptare, filmin që nga Festivali i Sarajevës erdhi me çmimin për aktoren me të mirë. “Dita zë fill” është historia e Violeta Kurtit interpretuar nga Ornela Kapetani. E bërë nënë prej pak muajsh dhe pas vdekjes së të shoqit, Violeta, është e vetme. E papunë, e pastrehë asaj i duhet të mohojë njerëzoren brenda saj për të qëndruar gjallë për të voglin e saj.

E pa zë, e shtypur nga një realitet ku njerëzit luftojnë njëri tjetrin për të siguruar jetesën, Violeta gjen një punë si infermiere e një të moshuare në prag të vdekjes. Për ta mbajtur në jetë Sofinë, interpretuar mjeshtërisht nga Suzana Prifti, instinkti i saj i mbijetesës shkon deri në fshehjen e vdekjes. Për të zbërthyer një Violetë fatkeqe, të dëshpëruar deri në asht, të pashpresë dhe vetëmohuese aktores Ornela Kapetani i ka ardhur në ndihmë edhe puna e saj me gratë e dhunuara në Greqi.

Në bashkëprodhimin shqiptaro-grek një nga elementët më të rëndësishëm është bashkëveprimi i personazhit me hapësirën që në pjesën më të madhe drama zhvillohet brenda dhe në të njëjtin vend, duke i dhënë mundësinë regjisorit të depërtojë në psikikën e tyre.

Tv Klan