Vetëm në pak minuta, Epitafi i Gllavenicës, një nga objektet më të çmuara që trashëgon Shqipëria, tashmë është edhe në formatin dixhital. Ai nuk do të jetë i vetmi. Këtij procesi do ti nënshtrohet e gjithë pasuria që përmbajnë Muzeu Historik Kombëtar, i Ikonografisë “Onufri” në Berat dhe Artit Mesjetar në Korçë. 

Mirela Kumbaro:

“Objektet fotografohen në disa sekuenca në një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe ato rikthehen menjëherë në vendin e tyre të ekspozimit ose të ruajtjes brenda të gjithë parametrave”.

Bashkëpunëtorë në këtë proces do të jenë ekspertë amerikanë të “Cultural Heritage Imaging”, një nga organizmat më të njohur të dokumentimit të trashëgimisë kulturore në vende të ndryshme të botës.

Mirela Kumbaro:

“Ky lloj koleksioni tashmë virtual nuk e ka të dytin të paktën për momentin as në Ballkan dhe as në Europë”.

Objektivi i dixhitalizimit është i disafishtë.

Mirela Kumbaro:

“Për rivlerësim të trashëgimisë kulturore, për vizitorin e zakonshëm, për turistin e ardhshëm i cili përpara se sa të vijë do donte të kishte një pamje më të qartë, por është një teknikë fantastike të cilës do ti japi mundësinë studiuesve, historianëve, artistëve për të hyrë më në thellësi të veprës artistike të trashëguar”.

Tv Klan