Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotmë në qytetin e Sarandës. Sipas burimeve të policisë një person ka djegur veten me lëndë djegëse të dyshuar benzinë.

Ngjarja ka ndodhur këtë të diel rreth orës 17:43, në lagjen Nr. 4 Sarandë, poshtë rrugës “Mitat Hoxha”, ku një person i paidentifikuar ende, i ka vënë flakën vetes me lëndë djegëse të dyshuar benzinë dhe për shkak të djegieve në trup ka ndërruar jetë.

Mësohet se ka qenë një dëshmitar ai që ka parë personin që po i vinte flakën vetes dhe ka ndërhyre për të shuar flaket, por nuk ka mundur ta shpëtojë dhe më pas ka njoftuar menjëherë policinë e Sarandës.

Në vendin e ngjarjes, pranë trupit të pajetë, policia ka gjetur një kapele dhe një bidon plastik me mbetje të lëndës djegëse si ajo e benzinës.

Sipas policisë viktima është i seksit mashkull, rreth 175 cm i gjatë, rreth moshës 30-40 vjeç dhe po punohet për  identifikimin e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./tvklan.al