Të gjithë të ndaluarit për vrasjen e shqiptarit Vilson Meshi në Basildon të Britanisë së Madhe janë lënë të lirë.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat britanike, që shkruajnë se, hetuesit vijojnë përpjekjet për të identifikuar personin e kapur nga kamerat e sigurisë, që pak orë përpara zbulimit të trupit të 30 – vjeçarit, ai shfaqet me bluzë me kapuç teksa provon të hapë makinën e parkuar të shqiptarit.

Hetuesi Stephen Jennings, i Sektorit të Krimeve të Rënda në Kent dhe Essex, i cili po drejton hetimet për vrasjen e shqiptarit Meshi, tha se vijon puna intensive për të zbuluar përgjegjësit e vrasjes së tij dhe bëri thirrje për këdo që ka parë videon e publikuar nga policia, mund të ketë dijeni se kush mund të jetë ky person të kontaktojë autoritetet.

30 – vjeçari Vilson Meshi, baba i tre fëmijëve, u gjet i djegur brenda makinës së tij Audi A4 më 27 Shkurt.

Fillimisht policia ndaloi dy adoleshentë si të dyshuar, por më pas i la të lirë, për mungesë provash. I dyshuari kryesor i policisë mbetet përsoni që shfaqet në kamerat e sigurisë.

Policia ka vënë një shpërblim prej 5 mijë paundësh për këdo që do të japë informacione për identifikimin e autorit të vrasjes së Meshit./tvklan.al