Arrestohen 3 persona. Policia: u Keqpërdor hapësira ligjore

Policia arrestoi 3 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë me dyshimin se krijuan në Shijak, një aktivitet financiar për prodhimin e kriptomonedhave, duke keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore.

Hetimet treguan se këta persona, pavarësisht se iu refuzua kërkesa e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për krijimin e këtij lloj biznesi, kjo për shkak se sipas Policisë nuk përmbushnin asnjë kriter, vijuan me planin.

Liserxhio Xhaferaj, Rramush Dumani, Ardian Çekiçi dhe 4 shtetas të tjerë, shpenzuan rreth 1 milionë euro për ngritjen e dy laboratorëve për prodhimin e kriptovalutës.

Policia thotë se kriptovaltuta prodhohet nëpërmjet ndërhyrjeve kompjuterike në pajisjet elektronike dhe duke krijuar përfitime monetare në shmangie të procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit.

Ata akuzohen  për “Mashtrimit Kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe  “Pastrimit të produkteve të veprës penale” .

Pas kontrollit të ushtruar, u gjetën 631 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 panele diellore, 360 pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 pajisje kompjuterike për procesimin  e të dhënave dhe 71 të tjera për ruajtjen e përkohshme të të dhënave dhe material të tjera.  

Tv Klan