Kandidati presidencial nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump u ka kërkuar ndjesë serbëve për bombardimet e NATO-s dhe ka paralajmëruar një qasje të re ndaj Ballkanit nëse fiton në zgjedhjet e tetë nëntorit.

Në një intervistë për revistën serbe “Nedeljnik”, ai citohet të ketë thënë se “bombardimi i serbëve, aleatëve tanë në të dyja luftërat botërore, ishte gabim i madh. Serbët janë njerëz shumë të mirë. Për fat të keq, administrata e (Bill) Clintonit u ka bërë shumë të këqija, por edhe gjithë Ballkanit, nga i cili ka krijuar një kaos”, citon “Nedeljnik” të ketë thënë Donald Trump.

Duke iu kërkuar falje serbëve për politikën amerikane e veçanërisht të presidentit Clinton, ai paralajmëroi që nëse bëhet president “do të forcojë lidhjet me qeverinë në Beograd”.

Donald Trump përballet me zonjën Hillary Clinton, bashkëshorten e ish presidentit Bill Clinton.

Ai ka folur në intervistë edhe për marrëdhëniet me Rusinë, luftën kundër grupit militant Shteti Islamik dhe mundësisë që të fitojë zgjedhjet në të cilat, sipas tij, të gjitha mediet janë kundër tij.

Grupet politike ekstreme në Serbi mbështesin kandidatin republikan. Gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan Joe Biden në Serbi në muajin gushat të këtij viti, qindra mbështetës të Partisë Radikale serbe, protestuan kundër vizitës së tij, duke brohoritur në favor të kandidatit presidencial amerikan, Donald Trump.

Protestuesit që po brohorisnin “Votoni për Trumpin” mbanin të veshura bluza me portretin e kandidatit republikan.

“Trumpi është alternativë e globalizmit. Ai do të shkatërrojë qendrat e vjetra të fuqisë në Amerikë dhe është mbështetës i Rusisë”, tha kryetari i Partisë Radikale Vojislav Sheshel, dikur shef i kryeministrit aktual të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidentit serb Tomislav Nikoliç.

“Joe Biden duhet ta dijë që Serbia nuk e do por e urren atë”, tha Sheshel duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën e bombardimeve që çuan në çlirimin e Kosovës, sikundër kishin drejtuar edhe bombardimet ndaj forcave të serbëve të Bosnjës, në vitin 1995 duke i dhënë fund luftës që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO, në një periudhë kur fqinjët e saj janë pjesë e aleancës apo e aspirojnë atë./ Burimi: VOA