Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, ka dhënë sot dorëheqjen nga detyra.

Paskali njoftoi dorëheqjen në një dalje për mediat.

Ajo është e para zyrtare e LSI-së që largohet nga Bashkia e Tiranës pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe përfundimit të koalicionit me Partinë Socialiste.

“Jam në këtë komunikim publik për t’ju bërë me dije dorëheqjen time nga posti i Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës. Ky është një vendim politik i marrë duke reflektuar me përgjegjshmëri pas zhvillimeve më të fundit në Këshillin Bashkiak ku bashkëpunimi institucional i deritanishëm në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe në përmbushje të të gjitha detyrimeve që Bashkia ka ndaj tyre, u zëvendësua me partneritetin individual me dy këshilltarë që kanë vepruar në kundërshtim me qëndrimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Misioni në opozitë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, më obligon aktin e dorëheqjes si dëshmi serioziteti, përkushtimi dhe detyrimi përkrah qytetarëve që me verdiktin e tyre i kanë besuar Lëvizjes Socialiste për Integrim përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm

”, tha Paskali.

Më herët, ajo ka mbajtur detyrën e zëvendësministres së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Në një falënderimin të veçantë për këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Paskali tha se “

gjatë këtyre 2 viteve jam përpjekur të bëj më të mirën për qytetarët e Tiranës brenda kufijve të mandatit tim dhe këtë do të vazhdoj ta bëj edhe në detyra të tjera në të ardhmen. Një falënderim i veçantë shkon për grupin e Këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim me të cilët gjatë këtyre 2 viteve kemi ndërmarrë nisma të rëndësishme në interes të qytetarëve të Tiranës”

./tvklan.al