Gjiganti i medieve sociale Facebook është “dorëzuar” përballë presionit të gjatë në kohë për të futur si opsionin edhe butonin e “mospëlqimit”, i shprehur me gishtin e madh drejtuar poshtë.

Facebook po eksperimenton këtë buton për herë të parë, megjithëse jo në platformën shumë popullore të përdorur nga pothuajse dy miliardë njerëz.

Ky buton i shumë pritur u është shfaqur një numri të kufizuar njerëzish në aplikacionin Messenger të Facebook-ut.

Për një kohë shumë të gjatë drejtuesit e Facebook-ut i kishin injoruar thirrjet për vendosjen e një butoni të tillë, ndërsa tani ky eksperiment mund të shikohet si një lloj kompromisi.

Rezistenca përballë kërkesës për vendosjen e këtij butoni vinte për arsye të frikës se ai mund të keqpërdorej për ngacmime online.

Ky buton është i fundit i pjesës së “reagimeve” të Facebook, që u prezantuan rreth një vit më parë dhe rezultuan shumë të suksesshme pasi janë përdorur më shumë se 300 miliardë herë.

Ndryshimi i vetëm i butonave të “reagimit” në Facebook dhe Messenger është butoni i “mospëlqimit” me gishtin e madh drejtuar poshtë.

“Techcruch” citoi një zyrtar të Facebook tek thotë se “ne gjithmonë eksperimentojmë rrugë për ta bërë Messenger argëtues dhe angazhues.” /tvklan.al