Ferdinand Elezi është kandidatura e parë zyrtare e mbërritur në Kuvend për postin e kryeprokurorit të përkohshëm.

Emri i tij vjen vetëm një ditë përpara skadimit të afatit të Kuvendit për kandidaturat që do të kalojnë në filtrin e Komisionit të Ligjeve për postin e lënë bosh nga Adriatik Llalla.

Sipas procedurës parlamentare, kandidaturat pasi t’i paraqiten Komisionit të Ligjeve do të kalojnë për votim në kuvend.

Të enjten Kuvendi shpalli zyrtarisht vakancën për vendin e kryeprokurorit të përkohshëm, pas hapjes së procedurave nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve.

Opozita e cilësoi antikushtetuese procedurën e ndjekur nga mazhoranca me argumentin se sipas Kushtetutës, mbarimi i mandatit konstatohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organ i cili nuk është ngritur ende nga parlamenti për shkak të mungesës së kandidatëve të sjellë nga shoqëria civile.

Por socialistët argumentuan se Adriatik Llallës i ka përfunduar mandati 5-vjeçar dhe se nuk ka hapësirë ligjore për shtyrjen e tij.

Kryeprokurori i përkohshëm do të qëndrojë në detyrë deri në konstituimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

Tv Klan