Ish- shefi i Rendit, i komisariatit të Kurbinit, Ylli Vata, i kërkuar prej së paku tre muajsh, u dorëzua në Policinë e Laçit, mbrëmjen e të hënës. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia që në muajin Mars, për akuzën e përfshirjes në kultivimin dhe në favorizimin e kanabisit, në zonën e Malësisë së Kurbinit.

Ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda, kishte nisur një hetim, përpërfshirjeje në favorizimin e kultivimit të kanabisit, ndaj një grupi kriminal. Ky grup drejtohej nga Lefter Neli, i arrestuar nga policia bashkë me 6 pjestarë të tjerë në muajin Nëntor të vitit të kaluar.

Vata dyshohet se iu kishte dhënë garanci kultivuesëve se nuk do të shqetësoheshin nga policia në territorin që ata do të kultivonin drogë. Për këtë qëllim, Prokuroria dyshon se Vata duke qenë epror i inspektorëve të Rendit, iu kishte kërkuar atyre që të mos kryenin kontrolle në disa zona.

Pas arrestimit, të grupit, policia zbuloi sasi të mëdha droge në territore që duhej të ishin kontrolluar nga Vata. Menjëherë pas shpalljes së tij, në kërkim Vata u largua nga Shqipëria nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë – Morinës në Tropojë. /Tv Klan