Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se përkthimi dosjes me 1800 faqe në ngarkim të grupit të Habilajve ka përfunduar. Sipas Gjonajt Dosja pritet të dorëzohej gjatë kësaj të hëne në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. 

“Ne kemi kryer të gjitha procedurat sipas ligjit. Ka ardhur një dosje voluminoze, besoj sot do t’ia transmetojmë Prokurorisë. Dosja na ka ardhur para gati dhjetë ditësh. Ka përfunduar përkthimi dhe do ta dorëzojmë sot

”, tha Gjonaj.

Dosja e Prokurorisë së Katanias, ndaj grupit të trafikut të drogës që drejtohej pikërisht nga vëllezërit Moisi e Florian Habilaj, mbërriti në Shqipëri 10 ditë më parë në rrugë zyrtare.

Në të janë të gjitha aktet dhe provat e prokurorisë së Katanias, të mbledhura në 4 vite hetime. E njëjta dosje do të paraqitet edhe nga prokuroria italiane në gjykatë.

Në Shqipëri kjo dosje pritet të shërbejë për të vijuar hetimet në ngarkim të Habilajve dhe personave të tjerë të akuzuar si pjestarë të këtij grupi, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Në këtë dosje aludohet se është i përfshirë edhe ish – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në përgjime e regjistruara emri i Tahirit ka dalë disa herë nga të arrestuarit apo personat në kërkim.

Të publikuara nga mediat italiane përmendet si i implikuar edhe ish – Ministri Saimir Tahiri.

Tv Klan