Dosjes “Habilaj” i shtohet edhe emri i një ish–zyrtarje të lartë. Ish–zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea, deputete e Partisë Socialiste, pritet të pyetet nga Prokuroria për një episod që e lidh atë me makinen Audi A8 me targë AA 003 GB të ish–ministrit Saimir Tahiri, në kohen kur ky mjet përdorej nga Habilajt.

Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur për Tv Klan se Elona Gjebrea ka udhëtuar me këtë makinë në Gusht të vitit 2014.

TV Klan ka parë fashikullin në të cilin saktësohet se ish–zëvendësministrja e Brendshme ka udhëtuar më 8 Gusht të vitit 2014 nga porti Sarandës për në Greqi në shoqërinë e shefit të saj në atë kohë, Saimir Tahirit.

Më 14 Gusht po nga Saranda niset drejt Greqisë Artan Habilaj, me makinën Audi A8.

Sipas Prokurorisë, më 16 Gusht Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea, kthehen në Shqipëri nga Greqia, po nëpërmjet Sarandës, me Audin që Tahiri u kishte shitur Habilajve, por që vazhdonte të ishte në emrin e tij.

Po në të njëjtën ditë me traget kthehet nga Greqia, Artan Habilaj.

Burime të grupit hetimor thonë se Gjebrea mund të merret në pyetje për këtë episod dhe nëse e njihte Artan Habilajn apo nëse ishte takuar me të.

Në kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit, Prokuroria shkruante se Tahiri kishte udhëtuar 4 herë me makinën e tij pasi ua kishte shitur Habilajve, por ish – ministri deklaroi se kjo kishte ndodhur vetëm 1 herë dhe e kishte përdorur për të shkuar me pushime me familjen.

Televizioni Klan tentoi të kontaktojë me ish–zëvendesministren, por ajo nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve telefonike. Paraditen e së enjtes, në media qarkulloi një prononcim i deputetes, sipas të cilit ajo mohonte të ishte paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Renda, por shprehej e gatshme ta bënte nëse do të thirrej.

Tv Klan