Një pjesë e “Dosjes Habilaj”, në të cilën implikohet edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

“ABC News” raporton se në zyrat e organit të akuzës ka mbërritur një pjesë tjetër e materialeve.

Dosja që mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përmban materiale në lidhje me trafikun e drogës që kryente grupi “Habilaj”, i udhëhequr nga kushërinjtë e deputetit Tahiri.

Lajmi vjen pas vendimit të marrë nga kryetari i Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Gramoz Ruçi për të shtyrë seancën ku do të vendoset për kërkesën e Prokurorisë, për heqjen e mandatit të Tahirit me qëllim arrestimin e tij,  për të shtunën në orën 10:00.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “

Trafikut të narkotikëve

”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “

Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë

”.

Prokuroria  po zhvillon hetime në bashkëpunim me autoritetet italiane për një grup kriminal i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për 

“arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës”

 për deputetin Saimir Tahiri./tvklan.al