Altin VeshtiNë Shqipëri trajtohen me shumë sukses të gjitha problemet që kanë fëmijët dhe të rriturit më zemrën. Pranë QSUT – së kryhen të gjitha llojët e ndërhyrjeve kirurgjikale. Në një intervistë për www.tvklan.al Kardiokirurgu Altin Veshti thotë se shumë nga këto patologji zgjidhen në Shqipëri.

Dr. Veshti thotë se: “Në Shqipëri dhe në të gjithë botën në çdo 1000 lindje, 7 – 8 prej tyre vijnë në jetë me defekte në zemër. Problemet që mjekët hasin janë nga më të thjeshtat deri tek ato të komplikuarat. Kjo shifër është e njëjtë për të gjithë vendet, si për Shqipërinë, Amerikën apo vendet e idustrializuara”.

Zemra është një organ që formohet në lëvizje dhe lidhur me këtë ka një propabilitet më të lartë për të pësuar një defekt gjatë krijimit të saj. Që fëmija të gëzojë shëndet të plotë Dr. Veshti këshillon që nënat shtatzënë të kryejnë vizita të vazhdueshme tek Gjinekologu.

QSUT është e vetmja qendër që kryen të tilla ndërhyrje duke filluar që nga bebet deri tek të rriturit. Çdo vit rezalizohen rreth 150 operacione për pacientët që kanë defekte në zemër. Përgjatë një viti në Shqipëri lindin rreth 200 – 250 fëmijë me defekte në zemër, por jo të gjithë kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale – thotë Dr. Veshti

 Cilat janë sëmundjet më të shpeshta të zemrës që hasen tek fëmijët?

Sëmundjet me të shpeshta tek fëmijët me defekte në zemër është ajo që populli e quan vrima në zemër. Sigurisht këto janë më të shpeshtat që ne hasim, duke qenë se dhe në botë kjo është inçidenca e këtyre sëmundjeve. Të tilla sëmundje janë plotësisht të trajtueshme në Shqipëri. Ndërhyrja kryhet në të njëjtin standard që bëhet në çdo vend Europian.

A janë të rrezikuar fëmijët që lindin me probleme në zemër?

Një fëmijë që lind me probleme në zemër pothuajse në 95 % të rasteve është fakti se në qoftë se ky defekt nuk trajtohet dhe është defekt serioz të gjithë këta fëmijë, herët a vonë shkojnë drejt një problemi fatal, pra humbjes së jetës. Mos trajtimi i kësaj sëmundje fatkeqësisht bën që kush më herët dhe kush më vonë të shkojë drejt humbjes së jetës.

Janë të trashëguara sëmundjet e zemrës?

Problemi i trashëgimisë është shumë i debatuar përsa i përket defekteve të lindura të zemrës. Sigurisht që nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë, siç është rasti i defekteve gjenetike, siç janë sindroma down, sindroma turner apo dhe të tjera. Te fëmijët që nuk janë me probleme kromozomiale pra gjenetike, nuk ka një lidhje të drejtëpërdrejtë. Ndoshta është lehtësisht më i shtuar rreziku për të pasur një fëmijë me defekt në zemër kur nëna ka patur një defekt që është korigjuar herët në jetë. Këshillohet që të gjithë ata që kanë motra, vëllezër, fëmijë ose nëse në fisin e tyre ka patur një patologji të tillë të bëjnë një eko kardiake të zemrës në mënyrë që të përjashtojnë prezencën e një defekti qoftë ai edhe i lehtë.

Ka ndonjë këshillë të veçantë që duhet të ndjekë nëna gjatë periudhës së shtatzënisë për të evituar një problem të tillë?

Problemi i parandalimit është shumë i vështirë në Shqipëri. Kjo lidhet me kulturën mjekësore të grave që bëhen nëna për faktin se kontrollet që kryejnë nuk janë kontrolle në të gjithë Shqipërinë me të njëjtin standard që i ka Europa. Problemi i dytë është që zemra është ndoshta organi i parë që fillon punë në trupin e njeriut dhe kur zemra fillon e rreh (ndoshta jo në formën përfundimtare të saj), por ka ato impulset që rreh, nëna mbase nuk e di akoma që është shtatzënë. Që në tre javët e para mund të fillojnë impulset e zemrës dhe ajo që ndikon është se çdo lloj gripi apo sëmundje që rrit temperaturën ose që ka infalamacion të trupit mund të ndikojë keq në malformimin e një organi në përgjithësi dhe atë të zemrës. Zemra duke qenë se është një organ që formohet në lëvizje, pra nuk është një organ statik siç janë mëlçia apo veshkat, por është gjatë gjithë kohës në lëvizje ka një propabilitet më të lartë për të pësuar një defekt gjatë krijimit të dhomave. Nëna duhet të kryejë kontrolle të vazhdueshme te Gjinekologu dhe ata në përgjithësi janë të aftë të shohin kur diçka nuk shkon në zemër. Ndoshta nuk kanë specializimin e duhur për të bërë një diagnozë perfekte, por në linja të mëdha arrijnë të shohin një defekt madhor në zemër dhe që mund t’ja komunikojnë nënës.

Altin Veshti1

Në rast se dëgjohet zhurmë në zemrën e fëmijës mund të themi se kemi të bëjmë me një problem serioz?

Zhurma është një turbulencë që krijon gjaku gjatë kalimit nga një dhomë në tjetrën ose nga një dhomë në një arterie. Zhurma nuk është defekt, por një turbulencë që shkaktohet nga gjaku i cili vjen me presione të ndryshme, duke krijuar zhurmë që ne e quajmë sofie. Gjithmonë kur dëgjohet një zhurmë duhet me patjetër të bëhet një eko kardiake tek fëmija për të përjashtuar defektin e zemrës. Në përgjithësi zhurmat, janë zhurma inoçente (kështu quhen) dhe shpeshherë në lidhje me këtë kryhet ekoja. Në një rast të tillë zemra nuk ka asnjë defekt, është thjesht zhurma që bën gjaku nga një dhomë në tjetrën, e cila zhduket me kalimin e kohës. Megjithatë këshillohet në mënyrë absolute që në rast prezence të zhurmës te fëmijët të kryhet një eko kardiake e cila mundësohet në Kardiologjinë Pediatrike në Spitalin Nënë Tereza.

Çfarë ndodh kur sëmundjet e zemrës zbulohen me vonesë, mund të rikuperohen?

Nuk është se ekziston një rregull i përgjithshëm kur të tilla raste zbulohen me vonesë. Ne kemi operuar ndoshta “jashtë çdo kriteri”, pacientë që ndoshta në vende të tjera të botës do e kishin menduar disa herë, për vetë kushtet që ofron Shqipëria, por për fatin tonë të mirë dhe të pacientëve, ata janë rikuperuar dhe janë rikthyer pothuajse normal. Sigurisht ka edhe pacientë të cilët ne nuk i fusim dot në operacion, sepse kanë kaluar çdo lloj limiti për t’u operuar dhe ka krijuar dëmë të pariparueshme problemi i zemrës, sidomos tek mushkitë, që do të thotë se operacioni në këtë rast nuk do ishte pozitiv për pacientin, pasi do i merrte jetën në moment, sepse dëmi është i tillë që nuk e operon më operacioni. Në shumicën e rasteve ose mbi 95 % vijnë fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare, sidomos nga Kosova që nuk ka fare një diagnostikim dhe ndërhyrje të tillë. Rastet nga Shqipëria gjatë viteve të fundit janë reduktuar, pasi ne kemi bërë një informim të publikut nëpërmjet gazetave dhe televizioneve që kjo patologji merr zgjidhje në Tiranë. Vijnë akoma të rritur që kanë defekte që nga lindja, të cilat dhe ato i korigjojmë. Jo gjithmonë zemra rikuperohet 100 %, por ajo pozitive është se kur korigjohet defekti, zemra nuk dëmtohet më tej dhe kjo i lejon pacientit një jetë relativisht normale.

Doktor ndërhyrja kirurgjikale është zgjidhja e vetme për trajtimin e sëmundjeve të zemrës?

Aktualisht në Shqipëri ndërhyrjet kirurgjikale janë e vetmja mundësi, sepse hemodinamika pediatrike këtu nuk funksionon. Një metodë tjetër për sherimin e sëmundjeve të thjeshta të zemrës siç janë: ngushtimi i arterieve ose mbylljet e disa vrimave më të vogla, etj në të gjithë botën para se të dërgohet në kirurgji tentohet me atë që quhet kateterizim i zemrës dhe mbylljen nëpërmjet katetereve, pra pa hapje qendrore. Në Shqipëri kjo nuk mund të bëhet, pasi nuk ekziston një specialist i tillë që kryen hemodinamikën pediatrike e cila është totalisht e ndryshme nga hemodinamika e të rriturve, që është shumë e zhvilluar aktualisht në vendin tonë. Duke mos patur një hemodinamik pediatrik ne zgjidhim çdo lloj rasti me kirurgji. Kjo nuk do të thotë që kirurgjia nuk jep rezultat, ajo jep rezultat, por trauma është pak më e madhe.

Sa është afërsisht numri i fëmijëve që lindin me defekte në zemër?

Mund të jenë rreth 200 – 250 fëmijë që diagnostikohen, por jo të gjithë kërkojnë kirurgji, pasi disa janë defekte të thjeshta. Ne në QSUT, kryejmë rreth 150 operacione, përfshirë dhe fëmijë dhe të rritur të cilët kanë defekte në zemër. Aktualisht është e vetmja qendër që kryen të tilla ndërhyrje duke filluar që nga bebet deri tek të rriturit. Para dy javësh kemi operuar një fëmijë i cili peshonte 2 kg, që ishte prematur, (nuk rritej në peshë) ndërsa para një jave kemi operuar një fëmijë 15 ditësh i lindur normal, por me një problem urgjent i cili kërkonte operacion brenda 2 javëve të para dhe shkoi shumë mirë. Në Shqipëri dhe në të gjithë botën në çdo 1000 lindje, 7 – 8 prej tyre vijnë në jetë me defekte në zemër. Problemet që mjekët hasin janë nga më të thjeshtat deri tek ato të komplikuarat. Kjo shifër është e njëjtë për të gjithë vendet, si për Shqipërinë, Amerikën apo vendet e idustrializuara. Zemra është organi që pëson më shumë defekte nga të gjitha organet e tjera dhe duhet mbajtur me kujdes, sidomos mamatë të cilët duhet të bëjnë kontrolle tek Gjinekologët, të cilët duhet gjithnjë të fokusohen tek një problem i tillë.

Intervistoi: Vilma Kërçiku