julindaDrejtoresha e Përgjithshme e Agjensisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame shpallet person non grata në Britaninë e Madhe. Absurditeti më i madh që mund të ekzistojë për një zyrtar shteti, që ka për detyrë promovimin e Shqipërisë në botë është mësuar vetëm para pak ditësh.

Por në fakt, Ambasada Britanike në Tiranë ja ka bërë të ditur znj.Dhame, që është person i padëshiruar në Britani për një periudhë disavjeçare, para dy vitesh, duke mos i dhënë asaj vizë hyrëse. Arsyeja e vërtetë e mungesës  së znj.Dhame në panairin e turizmit në Londër në Nëntor të vitit 2013, u fsheh nga Ministrja e atëhershme e Turizmit Eglantina Gjermeni.

E vërteta e mospranisë së personit të ngarkuar enkas me detyrën e krye-promovueses së Shqipërisë turistike,  në Panairin e Turizmit të zhvilluar në Londër, jo vetëm në nëntorin e vitit 2013, por edhe të vitit 2014, qenka fare e thjeshtë. Julinda Dhame, është shpallur si person i padëshiruar në Britani.

Dhe ajo nuk mund të shkelë atje deri në përfundim të periudhës që i është caktuar nga shteti britanik. Çfarë krimi apo shkelje ka kryer znj.Dhame, që nuk lejohet të hyjë në Britani e si për rrjedhojë të mos kryeje dhe detyrën shtetërore të caktuar nga Kryeministri Rama?

Arsyeja nuk është e qartë. Por a mund të qëndrojë ende në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, një person të cilit nuk i lejohet të shkelë një shtet anëtar të Bashkimit Europian? A mund të drejtojë këtë agjenci një person, që vetë personalisht nuk e ndjek dot nga afër pjesemarrjen e stendës së Shqipërisë turistike në Panairin më të rëndësishëm të tregut turistik në botë, siç është ky i Londrës, World Travel Market?

Por përveç mungesës së saj fizike atje, çfarë shije mund të lërë tek publiku apo tek partnerët e huaj thjesht fakti që kreu i Agjensisë Kombëtare të Turizmit nuk lejohet të shkelë në Britaninë e Madhe?

Ky i Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit është rasti i radhës i problemeve personale të drejtuesve të agjencive shtetërore me institucione apo shtete të veçanta të Bashkimit Europian. Shefat e saj janë në dijeni të këtij fakti. Por ky skandal nuk u bën përshtypje. Siç duket, e kanë përtypur atë me gjellët që u gatuan Julinda.

Tv Klan