Kryetarja e Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive, Monika Shoshori Stafa ka sulmuar sot Televizionin Kombëtar Klan.

Në një shkrim, që nuk ia vlen të citojmë ndonjë paragraf për shkak të cektësisë së mendimit dhe mungesës së përmbajtjes, kjo zyrtare e punësuar për të bërë gjyqtaren e paanshme të televizioneve, merr përsipër të quajë një Televizion Kombëtar, si një media të palirë, për shkak se publikoi një dokument zyrtar të shtetit kroat, sipas të cilit, Komisioni i Përcaktimit të Konfliktit të Interesit kishte arritur në përfundimin se Romana Vlahutin kishte shkelur ligjin.

Pas lënies së detyrës së Këshilltares për Punët e Jashtme të Presidentit kroat, zonja Vlahutin, sot Ambasadore e BE në Tiranë, nuk kishte deklaruar me saktësi dhe në kohë pasurinë e saj, siç ia kërkonte ligji. Televizioni Klan e botoi pa as më të voglin ndryshim e koment këtë dokument. Drejtoresha në Autoritetin Mediave Audiovizive e quan këtë si sulm të egër të medias së palirë shqiptare.

Edhe pse Shoshori nuk përmend emër të mediave, kuptohet qartë që e ka për Klan, se dokumentin e zbuloi dhe e transmetoi Televizioni Klan.

As vetë Ambasadorja Vlahutin nuk e ka kontestuar dokumentin, por ka dhënë shpjegimet e saj, se përse ishte proceduar për shkelje të ligjit.

Atëherë, si mund të thotë një punonjëse e Autoritetit të Mediave që media nuk është e lirë, se botoi një dokument zyrtar të institucionit që kontrollon pasurinë dhe parandalon konfliktin kroat?

Minimumi, ajo ka treguar injorancë profesionale dhe kjo analiste, që sulmon televizionet nuk mund të marrë rrogën nga taksat e televizioneve dhe nuk mund të jetë e paanshme me këto qëndrime. Ajo, nëse do të sulmojë televizionet, është e lirë ta bëjë dhe nuk përbën problem, por kurrsesi nuk mund të jetë edhe Drejtoreshë në Autoritetin e Mediave.

Edhe prokurore edhe gjyqtare e televizioneve, ajo nuk mund të jetë.

Televizioni Klan do ta padisë Kryetaren e Këshillit të Ankesave të Autoritetit të Mediave Audiovizuale për shpifje, fyerje dhe dëmtim të imazhit, pasi shkrimi i saj s’përmbante asgjë tjetër veç kësaj. Ky shkrim, përveç servilizmit ndaj Romana Vlahutin, vjen edhe për shkak se Televizioni Klan nuk e mori atë në punë, pasi u largua nga Top Channel.

Tv Klan