Garda3Në një letër që iu dërgua deputetëve të Komisionit të Sigurisë përfaqësues të Gardës së Republikës shprehen kundër shkrirjes së kësaj strukture të Policisë së Shtetit duke dhënë edhe disa arsye që sipas tyre çojnë deri në destabilizimin e vendit.

Natyra e informacionit që mbërrin tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe mungesa e një kontrolli ndaj tij është e rrezikshme sipas oficerëve të Gardës.

Garda paralajmëron se në rast se ligji ndryshon, informacione personale mbi Presidentin, Kryeministrin, kryetarin e parlamentit, të gjithë personaliteteve shtetërore dhe familjarëve të tyre, do të përqendrohen tek një person i vetëm.

Drejtori i Përgjithshem i Policisë do të njihej me çdo lloj aktiviteti, në përputhje ose jo me etikën qytetare dhe penale të të gjithë familjarëve të personaliteteve, të atyre vetë.

Ndarja e Gardës nga Policia e Shtetit, garanton që në rast se këto informacione përdoren për shantazh, atëherë Policia e Shtetit vepron sipas ligjit.

Por me strukturën e re edhe njësia e ruajtjes së personaliteteve, ajo që do të kryejë funksionin e Gardës do të varet nga Drejtori i Përgjithshëm, ndaj oficerët e Gardës ngrenë pyetjen:

A do të mundet Kryeministri apo Ministri i Brendshëm të shkarkojë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë kur ky për shkak të funksionit ka mbledhur material kompromentues për Kryeministrin apo ministrat e kabinetit, në kohën kur këto materiale sjellin shkatërrim të karrierës së tyre publike dhe politike dhe destabilizim?

Përdorimi i shoqëruesit fizik të personaliteteve, duke qenë në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ata mund të përdoren për të vendosur përgjues në ambientet ku punojnë e akomodohen personalitetet.

Shkrirja e Gardës së Republikës u kundërshtua nga disa deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Socialiste në Komisionit e Sigurisë dhe iniciativa mbeti pezull.

Tv Klan