Dritan Sinani, një autorët e dy grabitjeve në rrugën e Rinasit, i arrestuar tri ditë më parë bashkë me Aleksandër Muratajn, dyshohet se është një nga njerëzit që ka siguruar një pjesë të armëve të përdorura në grabitjen e Rinasit, më 9 Shkurt të këtij viti.

Po ashtu, sipas Policisë së Tiranës, ai dyshohet se ka përgatitur shpërthimin e burgut të Trikallës në Greqi, në Mars të vitit 2013, duke furnizuar me armë të burgosurit shqiptarë që drejtoheshin nga Ilir Kupa.

Pjesë e këtij grupi ishin edhe Klement Çala e Admir Murataj, që konsiderohet si kreu i grupit që organizoi dy grabitjet e 7 milionë eurove në Dhjetor 2015 dhe Shkurt 2017 në rrugën Qafë Kashar – Rinas.

Ndërsa Ilir Kupa e disa të arratisur të tjerë nga burgu i Trikallës u bënë pjesë e grupit të Babagjyshëve, përgjegjës për dhjetëra grabitje të armatosura të dyqanëve të floririt, një prej të cilave përfundoi me vrasje, në Dibër të Madhe të Maqedonisë.

Në Nëntor të vitit 2015, Sinani u kap me një sasi droge kanabis sativa nga policia, ndërsa lënda narkotike dyshohet se synohej të trafikohej në Greqi me autobuz. 

43 – vjeçari, kishte hyrë në lidhje fillimisht me Admir Muratajn, pasi gjatë kohës që udhëtonte në Greqi si shofer i një linjë autobusësh, i dërgonte porosi të ndryshme Muratajt nga familja e tij që gjendej në Shqipëri.

Ai i kishte ruajtur marrëdhëniet me Admir Muratajn dhe një pjesë të personave me të cilët me 9 Shkurt sulmoi blindin e një banke të nivelit të dytë duke marrë 3.2 milionë euro.

43 – vjeçari Sinani, u arrestua nga policia të martën në mbrëmje bashkë me Aleksandër Muratajn, vëllain e Admirit. Deri më tani numri i anëtarëve të arrestuar të këtij grupi ka arritur në 9.

Tv Klan