VMRO-DPMNE kundër ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, sepse sipas saj me këtë thellohet hendeku ndëretnik.

Në procedurë parlamentare ka kaluar leximi i parë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa faza e dytë parasheh ndërhyrjen e mundshme me amendamente nga partitë politike. Pro ligjit kanë votuar 66 deputet ndërsa 41 kundër. Kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve votoi VMRO-DPMNE pasi ata konsiderojnë se me të nuk zgjidhet kjo çështje, por thellohet hendeku ndëretnik. Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare thonë se ky  ligj e bën Maqedoninë shtet dygjuhësor dhe se zgjidhja e ofruar është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Me këtë ligj nuk mbyllen problemet meqë partit politike shqiptare  parlamentare paralajmëruan se ky është vetëm një hap dhe se çështja e përdorimit të gjuhës është e hapur dhe duhet të ketë përmasa të tjera.Proceduar gjatë leximit të parë të ligjit shkeli rregulloren e parlamentit dhe u keqpërdor simboli i BE-së me qëllim që të ulet sasia dhe cilësia e debatit në Parlament “,

vlerëson koordinatori i grupit palamentar të VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski.

BDI: Me ligjin e ri gjuha shqipe zyrtarizohet

BDI pret që VMRO të rishqyrtojë vendimin dhe në fazën e dytë të mbështesë propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve. “Nëse e lexojmë mirë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe do të shohim se nuk bëhet fjalë për avancim, por për zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe në organet e nivelit shtetëror të Maqedonisë. Përdorimi i gjuhës do të avancohet edhe në Parlament, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, përfshirë qeverinë, gjykatat, prokurorinë dhe institucione tjera”, ka deklaruar deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim Artan Grubi.

Nga Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev thonë se asnjë pjesë e propozimit nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa theksojnë nevojën për miratimin e një zgjidhjeje adekuate me të cilën do të mbyllet ky problem shumëvjeçar.

“Asnjë pjesë e ligjit nuk e hap çështjen e ndryshimit të Kushtetutës. Ne jemi seriozisht të përgatitur për të përmirësuar tekstin e ligjit, për të evituar të gjitha paqartësinë që kanë ekzistuar mbi përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike”,

thotë Tomisllav Tuntev, kryetar i grupit parlamentar të LSDM-së.

BESA: Përmes amendamete do ta bëjmë shqipen zyrtare

Lëvizja BESA edhe pse mbështeti ligjin në fazë të parë, sërish kanë vlerësime të ndryshme për të. Nga Besa thonë se propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike e avancon përdorimin e gjuhës shqipe në krahasim me zgjidhjen që është në fuqi, por sipas saj me këto ndryshime gjuha shqipe nuk merr statusin e gjuhës zyrtare.

“Me këtë propozim-ligj kemi një avancim të përdorimit të gjuhës shqipe në krahasim me ligjin e fundit por jo edhe zyrtarizim të gjuhës, që është kërkesë e Lëvizjes Besa”

, ka thënë Fadil Zendeli, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Besa. Partia opozitare BESA dhe VMRO-DPMNE kanë bërë të ditur se në leximin e dytë të ligjit të gjuhëve do të propozojnë amendamente.

“Intervenimi ynë nuk do të jetë në tërë ligjin, por vetëm në ato pjesë ku mendojmë se ka mangësi nga ku do ta bënin gjuhën shqipe si gjuhë të dytë zyrtare”

, thotë deputeti Fadil Zendeli. Amendamente do të propozojnë edhe nga VMRO-DPMNE-ja.

“Do t’i shqyrtojmë të gjitha predispozitat demokratike në fazën e ardhshme dhe të largohen dobësitë e këtij ligji”, 

shprehet Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Bexheti: Ligji hap pozitiv por jo përfundimtar

Akademiku shqiptar Abdulmenaf Bexheti vlerëson se ligji është një hap pozitiv i plotësimit të nevojave të shqiptarëve, ka baza kushtetuese dhe i njëjti duhet të plotësohet edhe më tej që të arrijë nivelin e zyrtarizimit.

“Ligji për gjuhën shqipe, kështu siç është draftuar, duke pasur parasysh ekuacionin politik të shumicës parlamentare, paraqet një avancim maksimalisht të mundur brenda Kushtetutës ekzistuese. Sigurisht që nuk është zgjidhja përfundimtare në përputhje me nevojën dhe realitetin e shqiptarëve në Maqedoni, si gjuhë e dytë zyrtare. Zgjidhja përfundimtare duhet të sigurohet me ndryshimin e Kushtetutës, sapo të krijohen kushte për këtë

”, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Me ligjin për gjuhët parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë të cilët ushtrojnë detyra publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj (gjuha shqipe).Ai duhet t’u mundësojë qytetarëve shfrytëzim, përdorim dhe zbatim të gjuhëve zyrtare dhe shkrimin e tyre edhe në procedurat gjyqësore. Ligji i gjuhëve do të duhet të  miratohet deri në fund të vitit 2017.

/Deutsche Welle