Veli Ymeri dhe italiani Xhovani Palladino të arrestuar në velierën ku dyshohet se u ngarkuan 1.2 ton kanabis në bregdetin e Semanit, kyçin gojën para hetuesve.

35-vjeçari shqiptar dhe 69-vjeçari italian nuk kanë thënë asgjë para grupit hetimor të cilët kanë tentuar t’i marrin në pyetje. Ata mësohet të kenë deklaruar se do të flasin në një moment tjetër.

Mungesa e deponimeve të tyre vështirëson punën e prokurorisë pasi deri tani nuk ka asnjë provë  që mund të implikojë të tjerë persona. Për hetuesit ka prova të mjaftueshme se droga ka qenë e ngarkuar në mjetin lundrues pasi kudo në bord janë gjetur shenja droge.

Në velierë, në total janë gjetur 170 gramë kanabis e shpërndarë, gjë që tregon se droga është shkarkuar nga aty. Ditën e dielë dy të arrestuarit pritet të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Mësohet se Prokuroria do të kërkojë burg për të dy të prangosurit. Në total, u sekuestruan 156 pako të mëdha dhe çanta të ambalazhuara me natriban.

Në to ishin futur 1190 kg kanabis. Droga u gjet e shpërndarë në det dhe në vijën bregdetare Seman-Darëzezë. Ndërsa 2 kamionë u përdorën nga policia për të transportuar lëndën narkotike nga bregdeti.

Tv Klan