Një tjetër bandë trafikantësh, që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë është shkatërruar nga autoritetet shqiptare.

6 është numri i të arrestuarve, 4 prej të cilëve trafikantë, ndërsa 2 të tjerë u arrestuan për moskallëzim krimi. Ata janë Gazmend Lleshakanu dhe Jorgo Dulla, të akuzuar si organizatorë, Isak Alla e Aurel Toska, që sipas akuzë dyshohen si dhe bashkëpunëtorë.

Ndërsa Gëzim Balla dhe Jani Meçja u arrestuan për moskallëzim krimi.

Zbulimi i këtij grupi erdhi pas një hetimi disa mujor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku rezultoi se ata kanë trafikuar në kohë dhe në sasi të ndryshme kanabis nga jugu e juglindja e Shqipërisë drejt e Greqisë.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Një hetim i Prokurorisë për Krime të Rënda zbuloi dhe goditi një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Në bazë të hetimit disa-mujor, të nisur dhe të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, u arrit të provohej përgjegjësia dhe të arrestohen organizatorët e këtij aktiviteti, i cili dyshohet se ka trafikuar në kohë dhe sasi të ndryshme, kanabis sattiva nga Jugu dhe Juglindja e Shqipërisë, për në territorin e Greqisë.

Në kuadër të këtij hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjatë muajve të kaluar, disa anëtarë të këtij grupi janë arrestuar në Pogradec, Fier, Maqedoni e Greqi. Ndërkohë, në vijim, Prokuroria për Krime të Rënda identifikoi plotësisht personat që konsiderohen përgjegjës për organizimin e trafikut.

Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për disa persona. Masat u zbatuan nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

Më konkretisht, në kuadër të këtij hetimi u arrestuan për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, shtetasit:

1. Gazmend Lleshakanu, organizator

2. Jorgo Dulla, organizator

3. Isak Alla, bashkëpunëtor

4. Aurel Toska, bashkëpunëtor

Gjithashtu, u arrestuan për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, shtetasit,

5. Gëzim Balla

6. Jani Meçja

Në kuadër të këtij hetimi, disa kohë më parë janë arrestuar në episode të ndryshme edhe shtetas të tjerë shqiptarë, grekë dhe maqedonas, të cilët, nën drejtimin e organizatorëve Lleshanaku dhe Dulla kishin krijuar një rrjet të gjerë sigurimi, transportimi dhe trafikimi të lëndës narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Ky trafik realizohej nëpërmjet kufirit Shqipëri-Greqi ose Maqedoni Greqi./tvklan.al