Milano, 11 Maj 2017 – Trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, dhunë, vjedhje, armëmbajtje pa leje e tentativë vrasjeje. Këto janë akuzat që çuan në arrestimin e 27 personave, në zbatim të urdhër arresteve të lëshuara, pas përfundimit të hetimeve nga policia, e koordinuar me prokurorinë e Monzës dhe e zhvilluar në bashkëpunim me departamentet e policisë së Milanos, Bergamos, Mantovës, Astit dhe Messinës.

Mes të arrestuarve janë italianë, shqiptarë dhe afrikanoveriorë, 23 prej të cilëve janë lënë në burg, ndërsa 4 në arrest shtëpiak. Ata akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në provincat e Monzës dhe Milanos.

Operacioni i koduar “Velarium”, sipas mediave italiane nisi pas tentativës për vrasje të një të riu shqiptar, i cili u godit me thikë nga dy bashkëkombas, më 27 Shtator të vitit 2015 në një bar në periferi të Monzës, për pazare droge.

Nga aty policia ndërtoi një “piramidë” të vërtetë të shpërndarjes së drogës, që çoi edhe në zbulimin e një pjesë të grupit që merrej me trafikun e armëve.

Gjithnjë në vijim të hetimeve, autoritetet italiane zbuluan edhe një familje shqiptare, burrë e grua, si dhe djali i tyre, banues prej vitesh në Monza, të cilët ishin aktivë në furnizimin me drogë të shpërndarësve të tjerë.

Nën hetim mësohet se ishin në total 40 persona, mes të cilëve 19 italianë, 16 shqiptarë, 2 rumunë, 1 algjerian, 1 maroken dhe 1 polake.

“Il Giorno” shkruan se shqiptarët ishin pjesa më e madhe me leje qëndrimi dhe të integruar në shoqërinë italiane prej vitesh. Ata bënin një jetë në dukje normale, ndërsa në të vërtetë fshihnin fitime marramendëse që përftonin nga shitja e kokainës. Gjatë operacionit autoritetet sekuestruan gjithashtu një sasi prej 140 mijë eurosh./tvklan.al