Ligjvënësi udhëheqës demokrat në Komitetin e Inteligjencës së Senatit amerikan, Mark Warner, thotë se presidenti, Donald Trump, e ka penguar hetimin e panelit për përzierjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, duke mos i pranuar konkluzionet e agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
Zoti Warner, anëtar i këtij paneli, mëtutje në intervistën për rrjetin CNN, tha se “në kushtet e kontakteve dhe marrëveshjeve të fshehta, kurrë nuk ka parë më tepër tym dhe aq shumë fije të mundshme”.
Ky komitet i Senatit është njëri prej institucioneve që nuk zhvillon vetëm hetime për përzierjen ruse, por edhe për kontaktet e ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë.
Ai ka tërhequr vërejtjen se hezitimi i Trumpit për t’i pranuar konkluzionet e komunitetit të inteligjencës, i ka penguar përpjekjet për parandalimin e përzierjes në zgjedhjet e ardhshme.
Pos hetimeve në Kongres, edhe agjencia FBI po zhvillon hetime për kontaktet ndërmjet ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Në muajin maj, Trump e shkarkoi drejtorin e agjencisë, James Comey, dhe kjo ka çuar në emërimin e një këshilltari special për mbikëqyrjen e hetimit.
Raportohet se kështilltari special, Robert Mueller, po shikon nëse Donald Trump ka synuar ta pengoj hetimin e agjencisë FBI. Ky pengim, sipas ligjeve amerikane, paraqet vepër kriminale./VOA