Durim BamiDurim Bami, mohon të jetë i implikuar në historinë e vrasjes me pagesë së Deputetit Tom Doshi. I pyetur për orë të tëra, menjëherë pas ndalimit të tij në pikën kufitare të Hanit të Hotit, 36 – vjeçari nga Fushë – Kruja, Bami, ka deklaruar se dëshminë në videon që disponon Deputeti Doshi e ka bërë, pasi ishte mësuar më parë nga ky i fundit se çfarë të thoshte dhe kë të akuzonte si të interesuar për të vrarë Doshin.

Dëshmia e Bamit, duket se është një tjetër bombë e cila i ka dhënë një tjetër rrjedhë hetimeve të nisura pas deklaratës bombastike të Deputetit Doshi, të hënën e shkuar menjëherë pasi doli nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, që mori vendim për përjashtimin e tij nga partia.

Deklaratë ku Doshi akuzoi Kryetarin e Parlamentit Meta si urdhëruesi i ekzekutimit të tij dhe Deputetit Mhill Fufi, duke akuzuar gjithashtu edhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si njeriu që edhe pse ishte në dijeni nuk mori masa për ruajtjen e jetës së tij.

Por në dëshminë e dhënë dje deri në orët e vona të darkës, para një Prokurori të Krimeve të Rënda dhe drejtuesit të Sektorit Kundër Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, 36 – vjeçari Durim Bami është shprehur se është ai personi në videon që disponon deputeti Doshi, ku shprehej se ishte paguar nga njerëz afër Kryeparlamentarit Meta me 600 mijë euro, për të vrarë Deputetin Tom Doshi dhe Deputetin e PD-së Mhill Fufi.

Por, sipas dëshmisë së dhënë gjatë marrjes në pyetje, vetë Bami, ka deklaruar se në fakt, këto janë sajesa dhe është vetë Doshi i cili e ka paguar për të bërë një deklaratë të tillë. Nuk dihet se kush është versioni i vërtetë i kësaj ngjarje, por fakt është se tashmë hetimet janë shtrirë në pista të tjera, ku dyshohet dhe mund të merret si i pandehur vetë Bami për dëshmi të rremë, por edhe Deputeti Doshi, si i dyshuar për shtrëngim ndaj personit për dhënie dëshmie të rremë.

Nga ana tjetër, Prokuroria i ka kërkuar gjatë ditës së djeshme Deputetit Doshi të dorëzojë videon që ai deklaroi se disponon me dëshminë e Durim Banit, si dhe provat apo faktet e tjera. Por, pas dëshmisë bërë nga Bami, që rrëzon alibinë e dhënë nga ai vetë në video si dhe të mbrojtur nga Deputeti Doshi këto ditë se njerëz pranë kreut të Kuvendit Meta e kanë paguar për të vrarë Doshin dhe Fufin dhe se është vetë Deputeti Doshi që e ka paguar mjaftueshëm shumë për të bërë këtë deklaratë të rremë, duket se një fletë thirrje për vetë Doshin për tu paraqitur në Prokurori mund të pritet së shpejti.

Durim Bani, po mbahet në ambjentet e sigurisë brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës. në kuadër të hetimit të nisur kryesisht për verpëm penale “Vrasje e mbetur në tentative” e regjistruar paraprakisht pa autor. Prokuroria thotë se e ka ndaluar shtetasin Durim Bami nga të dhënat paraprake pasi konsideron se ky shtetas përbën interes për hetimin.

Më sa duket, Bami është kthyer në një bashkëpunëtorë të drejtësisë, pasi ka dhënë dëshminë e tij bombë kundër vetë Doshit, i cili deri mbrëmë e falenderonte Bamin që nuk e shtypi telekomandën e eksplozivit dhe bënte thirrje për ruajtjen e jetës së Bamit dhe familjes së tij.

Dhe akuza që mund të ngrihet ndaj tij do të jetë për dhënie dëshmie të rreme nën faktorët e presionit nga persona të tjerë, akuzë që mund t’ja hedhë pa ndonjë masë të rëndë dënimi, e më pas t’i nënshtrohet mbrojtjes si bashkëpunëtorë i drejtësisë.

Tv Klan