Durrësi i bëri një pritje të bukur “Maratonës së Këngës” në mbrëmjen e së Mërkurës.

Këtë here, artistët udhëtuan aty ku gjurmët e qytetërimit të lashtë i sheh në çdo kënd, aty ku aroma dhe zhaurima e detit freskon stinën e nxehtë. Mijëra durrsakë dhe pushues kënduan e kërcyen deri në mesnatë.

Tingujt e muzikës tradicionale të jugut, veriut e Shqipërisë se mesme, hitet e momentit përbënë takimin e radhës me “Maratonën e Këngës”. Një moment i veçantë ishte dedikimi që kantautori, Gjergj Leka, i bëri Durrësit dhe artistëve të këtij qyteti.

Bashkia e Durrësit dhe Kryetari i saj Vangjush Dako, në bashkëpunim me rrjetin e qendrave “Sot për të ardhmen”, u dhuruan qytetarëve të tyre një natë vere me muzikë shqiptare, madje duke sfiduar edhe motin e keq.

Televizioni Klan vazhdon rrugëtimin e tij, për të qenë në çdo qytet me “Maratonën e Këngës”.

Tv Klan