Presidenti filipinas Rodrigo Duterte është vënë edhe një herë në qendër të krtitikave pasi e krahasoi fushatën anti-drogë që ka ndërmarrë, me holokaustin.

“Hitleri masakroi 3 milionë hebrenj. Këtu ka 3 milionë të droguar. E pra, unë do të isha i lumtur t’i shfarosja ata, për t’i dhënë fund problemit në vendin tim dhe për të shpëtuar brezat e ardhshëm. Gjermanët kishin Hitlerin, filipinasit do të më kenë mua”.

Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 3 mijë persona janë masakruar nëpër rrugë që prej Qershorit. Por mediat e huaja njoftojnë se numri i të vrarëve është dyfish më i lartë.

Deklarata e Dutertes për masakrimin e të droguarve u kritikua fort nga shoqatat hebreje dhe nga organizatat për të drejtat e njeriut. Presidenti filipinas akuzoi sërish për hipokrizi vendet perëndimimore, që e kundërshtojnë politikën e tij gjakatare.

Më herët, Rodrigo Duterte mbushi faqet e para të mediave botërore me deklaratën e tij ndaj presidentit amerikan Barak Obama, ku ai ofendonte rëndë shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Tv Klan