Prokuroria Shqiptare dhe autoritetet italiane kanë identifikuar edhe dy italianë, si pjestarë të grupit të trafikimit e 1.2 tonëve kanabis të bllokuar nga policia e Fierit dhe Vlorës, mesnatën e 19 Shtatorit. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, por për ta prokuroria ka kërkuar informacion nga autoritetet italiane. Një prej tyre dyshohet se është edhe pronari i velierës me të cilën po transportohej droga mbrëmjen e 19 Shtatorit të këtij viti në bregdetin e Semanit.

Ndërkaq prokuroria dhe policia shqiptare dyshojnë se në këtë rast trafiku janë përfshirë edhe shqiptarë ende të paidentifikuar. Organi i akuzës po ashtu dyshon se veliera do të shërbente për transportimin e lëndës narkotike, nga bregu në det të hapur. Për faktin se varka turistike ka një motor të vogël e ka të pamundur për të kaluar me ngarkesën që kishte.

Pasi të kishte dalë në det të hapur droga do të ngarkohej në një anije më të fuqishme, që do të kryente edhe trafikimin e saj drejt Italisë. Këto fakte u bënë të ditura këtë të diel, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë caktimit të masës së sigurisë ndaj dy të arrestuarve Xhovani Palladino e Veli Imeri. Palladino nuk pranoi të jepte deklarime para gjykatës. Nga ana tjetër, Veli Imeri pranoi se kishte qenë në barkë, por dinte se ngarkesa kishte qenë me cigare dhe jo me lëndë narkotike.

Ai pohoi se kishte tentuar të largohej në drejtim të Italisë në mënyrë klandestine pasi nuk mund të kalonte ligjërisht në vendet e BE-së. Por këto pretendime u hodhën poshtë nga organi i akuzës. Prokurori Blerim Tominaj tha se gjatë operacionit të policisë, i janë filmuar dy personat që ndodheshin në bordin e varkës turistike, që në mënyrë të herë pas hershme çantat me drogë në det. Gjatë ndjekjes, atyre iu është bërë thirrje disa herë për të ndaluar, por se ata nuk iu bindën policisë deri sa ajo arriti t’i ndalonte.

Tv Klan