4 shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë spanjolle në Benalmadena, pasi u kapën me mbi 86 kilogramë kokainë, të cilën e kishin fshehur në automjet. Sipas mediave spanjolle, të arrestuarit janë të moshës 24 deri në 38 vjeç, megjithatë identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.

Ata mësohet se lëviznin me dy automjete, një luksoze, të cilën e përdornin për të monitoruar situatën në rast se dallonin policinë, si dhe një makinë më modeste, me të cilën transportonin kokainën.

Shqiptarët u kapën gjatë një kontrolli policor kundër krimit. Agjentët ndaluan fillimisht makinën luksoze, e cila tentoi që të shmangte kontrollin. Agjentët dalluan se dy personat që ndodheshin në makinë, të moshës 24 dhe 25 vjeç tentuan të komunikonin në telefon me automjetin tjetër që ndodhej pas tyre dhe në të cilin transportohej droga.

Policia arriti të identifikonte mjeti tjetër dhe ndaloi dy shqiptarët e tjerë të moshës 27 dhe 38 vjeç. Gjatë kontrollit autoritetet spanjolle gjetën 86,20 kilogramë kokainë, rreth 5.900 Euro, si dhe 8 telefona celular.

Makina luksoze, sipas mediave spanjolle, ruante distancën nga automjeti ku ndodhej droga, me qëllim që të kishte mundësinë që t’i njoftonte transportuesit në rast se dallonin policinë.

/tvklan.al