Dy shqiptarë janë arrestuar ditën e djeshme nga policia greke si autorë të grabitjes së shtëpisë së ambasadorit maroken Samir Addahre në Athinë.

Identiteti i tyre nuk është bërë me dije, por mediat greke raportojnë se shqiptarët kishin hyrë në banesën e ambasadorit maroken të dielën e kaluar. Gjatë kohës që vet ambasadori ishte në shtëpi, grabitësit po vepronin duke kontrolluar dhomat, ndërkohë që diplomati nuk kishte kuptuar asgjë.

Mbi tavolinë, shqiptarët gjetën çelësat e makinës së ambasadorit të Marokut. Ata vodhën automjetin diplomatik dhe u larguan me shpejtësi. Lidhur me këtë ngjarje, shërbimet e inteligjencës marokene u alarmuan dhe nisën hetimet në bashkëpunim edhe me palën greke.

Veprimet hetimore dhe gjurmët e gishtërinjve identifikuan dy shqiptarët, të cilët u arrestuan. Përfundimisht rezultoi se bëhej fjalë për një grabitje të rastit, ndërsa shqiptarët e kuptuan se gjërat u vështirësuan kur panë se kishin vjedhur një makinë diplomatike.

/tvklan.al