policia vlore

Dy persona mbetën të vrarë dhe një tjetër i plagosur pas një sherri në një nga lokalet e bregut të detit në qytetin e Vlorës.

Vrasja ndodhi rreth orës 13:30 minuta në afërsi të shkollës së Marinës ku 28 vjeçari Ervis Lulushi, është konfliktuar për çështje banale me 30 vjeçarin Parid Veliaj që ndodhej në një tavolinë tjetër.

Pas debatit verbal Lulushi ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të 30 – vjeçarit duke vrarë atë dhe një vajzë 20 – vjeçare që ndodhej me të në tavolinë e identifikuar si Paula Bishaj. I plagosur ka mbetur edhe Gerti Arapi.

Pas vrasjes, autori dhe vëllai i tij Arlind Lulushi 27 vjeç kanë marrë makinën e shtetasit Daniel Mehmedi dhe janë larguar nga vendngjarja. Por policia njoftoi se bëri arrestimin e tyre pak minuta pas ngjarjes.

Në fillim u hodhën dyshime se objekt i sulmit ka qenë vajza e re, por pas marrjes në pyetje të autorëve dhe dëshmitarëve u sqarua se mes autorëve dhe viktimave ka patur fillimisht një debat që përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme.

Policia tha se ka sekuestruar armën e krimit ndërsa po punon për zbardhjen e plotë të saj.

Tv Klan