Një i pastrehë, 54 – vjeçari Leonard Beqiri është gjetur i pajetë në lagjen 2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar.

Një ditë më parë një 38-vjeçar i pastrehë ndërroi jetë në Durrës.

Ngrica ka pushtuar gjithë vendin.  Vë veri dhjetëra fshatra janë të izoluar.

Në rrezik për jetën kanë qenë edhe dy gra shtatzëna nga fshati Konaj dhe Arrën i Kukësit, njëra prej të cilave refuzoi transportimin me helikopter në Tiranë, ndërsa tjetra mbërriti gjatë orëve të pasdites në maternitetin Mbretëresha Geraldinë.

Situata është më problematike në malësinë e Shkodrës dhe në Dibër. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile 10 rrugë në Dibër janë të pakalueshme, ndërsa trashësia e dëborës mbi 1 metër po vështirëson punën në terren.

Në Shkodër janë 5 rrugë të bllokuara, ndërsa në disa të tjera qarkullimi bëhet vetëm nën monitorimin e policisë. Aksi kombëtar Shkodër – Pukë i cili u bllokua para disa ditësh është inspektuar nga Ministri i Transporteve. Ai tha se aktualisht asnjë rrugë kombëtare nuk është e bllokuar.

Janë marrë të gjitha masat e duhura, dhe aktualisht nuk kemi asnjë aks kombëtar të bllokuar. Aktualisht situata nuk është më problematike dhe po shkon drejt përmirësimit

”, u shpreh Sokol Dervishaj, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës.

8 fshatra në Kukës  janë tashmë nën pushtetin e borës dhe pavarësisht punës së grupeve të gatshme dhe borëpastruesve ato vazhdojnë të jenë të izoluara. 

Probleme ka patur edhe me Rrugën e Kombit. Edhe pse momentalisht ajo është e kalueshme me zinxhirë, bora ka bërë që herë pas here Tuneli i Kalimashit të ketë nevojë për pastrim.

Rruga Lin-Pogradec është e kalueshme me zinxhirë. Administratori i firmës pastruese të rrugës, Ajaz Dokollari  është proceduar penalisht për shpërdorim detyre.

Edhe në Korçë, akset nacionale janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Veç të ftohtit ka patur probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Ndërprerjet më të mëdha kanë qenë për kryeqytetin, Durrësin, Elbasanin, Shkodrën dhe Kukësin./ TV KLAN