Dënimi i dy nëpunësve të Ministrisë së Jashtme Shqiptare nga Gjykata e Janinës për futjen në Greqi, sipas saj të materialeve ku propagandohej Shqipëria e Madhe ka gjetur jehonë edhe në mediat e vendit fqinj, të cilat kanë zbardhur detaje nga seanca gjyqësore në ngarkim të Agim Asllanit dhe Altin Tafës.

Ka qenë dëshmia e një punonjëseje të Doganës greke në Kakavijë, ajo që ka fundosur dy nëpunësit e Ministrisë së Jashtme. Sipas saj, Agim Asllani dhe Altin Tafa kishin deklaruar në Doganë se po transportonin material diplomatik në Ambasadën Shqiptare në Athinë, por përfaqësuesja e Doganës së Kakavijës nguli këmbë që mjeti të kontrollohej, pasi nuk figuronte me targa diplomatike.

“Pashë në libra hartën që tregonte kufijtë e Shqipërisë deri në Prevezë, Janinë, Kostur dhe Follorinë. Madje ku shkruhej edhe Çamëria. Njoftova eprorin tim se librat kishin përmbajtje antigreke”.

Doganierja dëshmoi se dy drejtuesit e mjetit i kishin thënë se kishin pasaporta diplomatike, por nga kontrolli rezultoi se ata ishin të pajisur vetëm me pasaporta shërbimi. Në gjyq ishin të pranishëm edhe dy përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Shqipare dhe Konsulli Shqiptar në Janinë, Sofokli Vasili, i cili kishte kërkuar të përfaqësonte Shtetin Shqiptar, por nuk u lejua.

Ditën e premte, Gjykata e Janinës vendosi dënimin me kusht për dy nëpunësit e Ministrisë së Jashtme, duke caktuar ndaj tyre masën e 30 muajve burgim. Kjo nënkupton se ata do qëndrojnë të lirë, por nuk duhet të kryejnë asnjë vepër penale në harkun kohor të 3 viteve. Gjykata vendosi po ashtu asgjësimin e të gjithë materialit prej 1512 librash, që sipas dy të dënuarve do të përdoreshin për kurset shkollore të nxënësve shqiptarë në Athinë.

Tv Klan