Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimet për arratisjen e një të riu nga komisariati i Shkodrës. Kohën kur ndodhi ngjarja në ambientet e policisë kishte pak policë. 

Kel Doçi u përlesh me policin dhe u arratis momentin kur po futej në dhomën e izolimit. Policia e Shkodrës ka nxjerrë fakte të reja mbi largimin e 24 – vjeçarit, që ishte shoqëruar në komisariat pas një përplasje me armë zjarri. 

SHÇBA po heton mbi ngjarjen që ndodhi në policinë e Shkodrës. Nga sa mësohet, 24 – vjeçari u arrestua nga Forcat e rendit dhe ishte vendosur në dhomat e izolimit. 

Pas disa orësh, oficeri i Krimeve kërkoi ta merrte në pyetje. Në ato momente, duke qenë se pjesa më e madhe e forcave të rendit ishin në aksion për arrestimin e dy personave tjerë të dyshuar, si autorë të ngjarjes së ndodhur ku pati edhe të shtëna me armë.

Por shumë punonjës të tjerë ishin në stadium për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes Vllaznia – Partizani dhe brenda ambienteve të komisariatit ishin shumë pak policë. 

24 – vjeçari u dërgua në katin e tretë për t’u marrë në pyetje dhe ishte pa pranga në duar. 

Oficerit i është dashur të marrë dikë tjetër në pyetje për një ngjarje më urgjente dhe urdhëroi ridërgimin e Doçajt në dhomën e izolimit. Gjatë kthimit, 24 – vjeçari është përplasur fizikisht me policin dhe ka mundur të ikë me vrap dhe pse i duheshin 300 metra për të dale nga rrethimi. 

Menjëherë nga stadiumi kanë mbërritur forcat e rendit të cilat kanë bërë rrethimin e zonës, por ka qenë e pa mundur gjetja e tij. Dhe pse janë bërë kontrolle të shumta, Mikel Doçi nuk është kapur.

Aktualisht janë marrë masat e pezullimit ndaj dy efektivëve të policisë dhe masa disiplinore të rënda ndaj isnpektorit të Krimeve dhe 3 policëve tjerë./ABC News