Afrimja ka humbur bashkëshortin shumë vite më parë. Atëherë i kërkuan që dy djemtë e saj t’i çonin në jetimore. 38 vjeçarja tashmë e martuar me një italian, erdhi posaçërisht nga Italia në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” moderuar nga Ardit Gjebrea për t’i dhënë babait të saj një mesazh.

“Në vitin 1991 bashkë me familjen vijmë në Tiranë pasi ne jetonim në Bajram Curri. Në vitin 1993 dashurohem me një djalë dhe në vitin 1995 lind djali i parë. Në vitin 1999 lindi djali i dytë. Në vitin 2002 fillon historia, tragjedia ime, ku më vdes burri. Unë isha 23 vjeçe dhe ngela vetëm bashkë me dy djemtë e mi. Nuk kisha as shtëpi në atë kohë rrija me qira. Madje nuk do ta harroj kurrë kur vjehrri më tham, që t’i çoja fëmijët në jetimore. Kur e mori vesh babai im këtë gjë tha, që jam gjallë unë dhe sa të jem gjallë nuk i lë fëmijët e vajzës time në jetimore.”

Afrimja rrëfen në studio për kalvarin e vështirësive që ka hequr gjatë atyre viteve. Më pas një shoqja e saj që jetonte në Itali, e fton atë për t’u nisur drejt shtetit italian dhe të krijonte një jetë më të mirë aty.

“Nisem drejt Italisë. Edhe atje katër vjet vuajtje se nuk njihja njeri, nuk kuptoja gjuhën. Unë haja një herë në ditë bukë, vetëm që të kurseja para për t’i nisur drejt Shqipërisë tek fëmijët. Shpeshherë doja të kthehesha në Shqipëri, pasi edhe atje ishte e vështirë të mblidhje para. Më pas atje njoha një zotëri Massimon, me të cilin kam dy vite që jetoj dhe e falenderoj shumë pasi më ka ndihmuar si mua ashtu edhe fëmijët. Madje unë i kam treguar për historinë time dhe ai është prekur shumë nga kjo histori. Ai do të vij në Shqipëri për t’i bërë varrin burrit tim, pasi kam qenë me të tek varrezat.”

Afrimja ka ftuar babain e saj në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, por ajo ka edhe pak probleme me djalin e madh, pasi ai është disi agresiv me to dhe kapriçot e moshës e bëjnë atë dembel për të punuar. Ajo kërkon nga babai që t’ia mbushi mendjen djalit, që të kthejë rrugë pasi ai është personi më i afërt.

“Kam ardhur të të falenderoj shumë gjithçka që ke bërë për djemtë e mi. Në momentet që kam pasur nevojë ke qenë gjithmonë pranë meje. Të jam borxhlie për gjithë jetën. Tani që jam sistemuar dhe jam shumë mirë, kërkoj edhe diçka tjetër nga ty që të më ndihmosh që Xhoi të kthejë rrugë se jam shumë e lënduar nga ai këto kohë.”

“Do mundohem, të keqen babi! Mos ki merak! E kam pak të vështirë me Xhoin, por do t’i rri afër.”

Prindërit gjithmonë mbeten mbështetja më e madhe në jetë. / tvklan.al