“Për dekriminalizimin, i kemi dhënë lamtumirën një numri politikanësh kriminelë dhe të korruptuar – mes tyre, më vijnë në mend Xhelili, Frroku, Muhameti, Petraj, Ndoka dhe Kokëdhima. Kemi edhe nja dy që po përballen me akuza penale – Prenga dhe Rroshi – por teksa flasim janë në gjyq. Mendoj që ky është përparim i jashtëzakonshëm, jo vetëm në legjislacion por edhe i kulturës”.

Ambasadori amerikan e përmendi ish deputetin socialist Koço Kokëdhima, si një ndër politikanët e inkriminuar dhe korruptuar.

Por Kokëdhima reagoi përmes një konference për shtyp, duke thënë se Donald Lu është nxitur nga të njëjtët persona që ndikuan në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit te tij.

I pyetur për te ardhmen e tij politike, ish –deputeti tha se do të vazhdojë të jetë në politike në gjirin e Partisë Socialiste.

Deklarata e plotë e Kokëdhimës:

SHBA është një vend mik dhe aleat strategjik i Shqipërisë. Dhe kur është fjala për marrëdhëniet mes zyrtarëve dhe politikanëve të vendeve tona, duhet të flasim hapur dhe sinqerisht. Zoti ambasador Donald Lu, në një deklaratë publike dy ditë më parë, më përfshiu mua te politikanët e korruptuar e të inkriminuar të këtij vendi. Kjo është një akuzë tepër e rëndë që fyen dhe shkel personalitetin tim si qytetar, prind, biznesmen dhe figurë politike e publike. Dëshiroj që të përshëndes të gjithë ata shqiptarë që kanë reaguar në mbështetjen time.

Unë besoj se zoti Donald Lu e ka bërë këtë deklaratë nisur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi papajtueshmërinë e mandatit tim në muajin maj të këtij viti. Dua të sqaroj se për mua nuk është konstatuar asnjë shkelje nga Gjykata Kushtetuese. Nuk jam gjykuar dhe nuk jam shpallur fajtor. Gjykata Kushtetuese nuk më ka dyshuar, nuk më ka gjykuar, nuk më ka dënuar dhe nuk më ka cilësuar, as si të inkriminuar dhe as si të korruptuar. Në pikën 22 të vendimit thuhet shprehimisht se, që nga dita kur Kokëdhima është bërë deputet, kompania e tij nuk ka marrë pjesë në asnjë tender dhe nuk ka lidhur asnjë kontratë me entet shtetërore, por kjo kompani ka përmbushur deri në fund, edhe pasi ai është shpallur deputet, kontratat e lidhura përpara se Kokëdhima të bëhej ligjvënës.

Po shtroj pyetjen: Kush është krimi që kam bërë unë? Mund të konsiderohet krim fakti që në vitin 1998 themelova “Abissnet”¬in, të parën shoqëri të licencuar në Shqipëri për shërbimet e internetit? Mund të konsiderohet krim fakti që “Abissnet”¬i ka lidhur kontrata të ligjshme për të shitur shërbimet e tij? “Abissnet”¬i është një shoqëri e suksesshme, që ka paguar rregullisht taksat, ka punësuar qindra djem e vajza të talentuar dhe u ka shërbyer me përkushtim klientëve të saj. Edhe këtu nuk ka asgjë kriminale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u diktua politikisht. Në momentin e përshtatshëm do të publikoj fakte të qarta e të kuptueshme që hedhin dritë mbi këtë ngjarje. Për këto arsye e kam ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Strasburgut. Unë jam 57 vjeç. Kam mbaruar dy shkolla të larta me rezultate të shkëlqyera. Gjithë jetën ia kam kushtuar familjes dhe biznesit tim.

Jam biznesmen që ditën e parë kur u lejua sipërmarrja private në Shqipëri. Prej gati 20 vitesh kam themeluar e drejtuar mediat e grupit tim. Kam bashkëpunuar me mijëra njerëz dhe kam krijuar aq shumë njohje në këtë vend. Kam qenë në opozitë pothuajse me gjithë qeveritë e tranzicionit. Asnjëherë të vetme nuk jam proceduar për ndonjë shkelje penale apo kundërvajtje administrative. Asnjëherë të vetme nuk jam gjykuar për ndonjë arsye, as në Shqipëri dhe as në një shtet tjetër. Një pjesë e madhe e gazetarëve të Shqipërisë kanë punuar me mua, ashtu si mijëra njerëz nga biznesi dhe bota e sipërmarrjes. Dhe Shqipëria është një vend i vogël. Të gjithë këtu njihen. Askush në Shqipëri nuk e beson një deklaratë që më cilëson mua si njeri të inkriminuar. Në çdo rast u kam sugjeruar drejtuesve të PS¬së të mos lejojnë të përfshihen njerëz me rekorde kriminale në funksionet shtetërore. Donald Lu më cilëson mua si politikan të korruptuar. Kjo deklaratë nëpërkëmb në mënyrë flagrante, jo vetëm etikën diplomatike, por edhe atë qytetare.

Ambasadori i nderuar e bën këtë akuzë pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa ju referuar asnjë burimi dhe më rreshton mua me njerëz të dënuar për vepra nga më të rëndat penale në gjykata të ndryshme europiane. Gjithë jetën kam punuar në biznesin tim. Mediat që unë kam drejtuar janë ndeshur ditë për ditë më qeveritë e korruptuara të këtij vendi dhe kanë qenë tribuna të luftës kundër korrupsionit për 20 vite me radhë. Kam paguar kostot e kësaj lufte dhe qëndrese të pashembullt. Do ta kisha shumë më të lehtë që të bëhesha me qeveritë, si shumë media të tjera, por nuk e kam bërë kurrë. Kam qëndruar gjithmonë në anën e qytetarëve dhe jo në anën e pushtetit. Pasuritë i kam bërë me punë të ndershme në biznesin tim.

Nuk erdha në politikë për të bërë para dhe as për të punuar për vete. Erdha në politikë i pasur për të punuar për vendin dhe për një karrierë të shëndetshme. Shumë nga qeveritarët e këtij tranzicioni hynë në politikë të varfër dhe u bënë milionerë me korrupsion, me vjedhje dhe duke tradhtuar interesat e vendit. Në më pak se tre vitet e mia në politikë kam qenë deputet i Sarandës dhe Himarës. Atje bëra një punë të jashtëzakonshme për të ndihmuar njerëzit, për të luftuar korrupsionin në emërime, në shërbimet publike dhe në institucionet e shtetit dhe për të nxitur zhvillimin e zonës. Kurrë nuk kam patur funksione shtetërore, përveç këtyre, më pak se 3 viteve, kur isha deputet në jug të vendit. Shqipëria ka lënguar 25 vjet nën qeveritë e korruptuara.

Unë besoj se këto deklarata krejtësisht të pavërteta, të bëra nga ambasadori i nderuar Donald Lu në adresën time, janë të ndikuara nga ata njerëz që goditën mandatin tim në Kushtetuese dhe nga arsenali i jashtëzakonshëm i shpifjeve dhe intrigave të politikanëve të Tiranës, të cilët nxijnë njëri¬tjetrin, sa në një ambasadë, në një tjetër. Fatin e karrierës time në politikë nuk do ta vendosin intrigat dhe goditjet e ulëta të politikanëve të Tiranës. Vetëm qytetarët e këtij vendi do ta vendosin të ardhmen time në politikë. Unë kam respekt të madh për vlerat dhe kulturën demokratike të Amerikës që u ka dhënë mundësi shumë shqiptarëve që të ndërtojnë jetën e tyre në SHBA. Kam nderim e mirënjohje për ndihmën e mbështetjen e qeverive të Amerikës ndaj luftës dhe përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, pavarësi e përparim gjatë shekullit të 20¬të.

Të gjithë shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë luftën për çlirimin e Kosovës dhe për këtë do t’u jemi mirënjohës SHBA¬ve, NATO¬s dhe BE¬së. Shqipëria e ka zgjedhur të ardhmen e vet në BE dhe me NATO¬n dhe mund të përfitojë nga bashkëpunimi e partneriteti me SHBA¬të, vendet e BE¬së dhe ekonomitë e vendeve të tjera. Në këtë kontekst është diçka e papëlqyeshme për mua që jam i detyruar të bëj këto sqarime sot këtu. Kam qenë dhe mbetem vazhdimisht i prirur e i gatshëm për të bashkëpunuar me sinqeritet dhe miqësisht me ambasadorin e SHBA¬ve dhe me të gjitha ambasadat e tjera në Tiranë në rrugën e forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit të Shqipërisë me SHBA¬të dhe me vendet e BE¬së. Kjo është rruga e popullit shqiptar, ky është vullneti i tij. Politikanët e vendit kanë detyrimin që të punojnë në përputhje me këtë vullnet. Shqipëria është shtet i pavarur. Ne jemi një vend sovran dhe zyrtarët tanë kanë përgjegjësi që të sillen si përfaqësues të këtij vendi sovran dhe të kërkojnë nga kushdo që ta respektojë si të tillë.

Shqipëria nuk mund të jetë njëkohësisht, edhe shtet që synon të anëtarësohet në BE dhe të trajtohet si protektorat. Reformat nuk importohen. Ato burojnë nga nevoja e zhvillimit dhe kërkesat e qytetarëve. Ndihma dhe këshillimi janë gjithmonë pjesë e marrëdhënieve mes vendeve mike dhe partnere. Gjithmonë më kanë shqetësuar rastet e shfaqjes së një roli të pazakontë e me dy standarde nga një pjesë e ambasadorëve të huaj në Shqipëri.

Me imponimin publik të pikëpamjeve të tyre, me shantazhet ndaj deputetëve për t’i influencuar ata në votën e tyre të lirë, me ndërhyrjet për të ndikuar vendimmarrjet e organeve të drejtësisë e atyre shtetërore në Shqipëri, si dhe me akuzat e personalizuara pa prova e pa baza për vepra penale të supozuara të jenë kryer nga individë të caktuar në Shqipëri, këta diplomatë e vënë veten jashtë Konventës së Vjenës të prillit 1961, që rregullon marrëdhëniet diplomatike dhe pozicionin e diplomatëve në shtetin pritës.

Për këto e për të tjera çështje, ne mund të ndajmë mendime të ndryshme me njëri¬tjetrin dhe me diplomatët e huaj. Secili është i lirë që të mbrojë pikëpamjen që i duket më e drejtë dhe më e mirë për vendin e tij, por askujt nuk i lind e drejta që për shkak të kësaj, të më etiketojë mua si dikush që nuk jam e që s’kam qenë ndonjëherë. Askush nuk duhet të hezitojë dhe të ketë frikë për të shfaqur pikëpamjet e tij. Diplomatët e vendeve të mëdha duhet të dëgjojnë me respekt vërejtjet dhe mendimet e njerëzve dhe të mos bëjnë në Shqipëri ato veprimet e sjellje që nuk do të donin t’i bënin të tjerët në vendin e tyre

./tvklan.al