Ajo nuk ha, nuk pi dhe nuk dëshiron ta pranojë realitetin. Ketty Lisi, e cila mbush 20-vite në muajin gusht, ka pothuajse një vit e dashuruar me Emanuele Morgantin, i cili u rrah për vdekje nga një italianësh mbrëmjen e së premtes dhe vdiq në spital dy ditë më vonë. Fillimisht media raportoi se një grup shqiptarësh e rrahu atë, por më pas lajmi u përgenjështrua nga prokurori i çështjes. 

E pyetur nga “La Stampa” se çfarë kujtonte nga nata tragjike, Lisi tha: “Gjithçka dhe asgjë. Gjithçka pasi ende i kam parasysh ata të mallkuar që e rrahën megjithëse unë dhe shokët u përpoqëm ta mbronim. Asgjë, pasi gjithçka zgjati pak minuta. Ishte tmerr i vërtetë.”

Ajo tha se gjithçka kishte nisur brenda klubit të natës, kur një i ri i pirë, që ajo mendonte se ishte shqiptar filloi t’i ngacmonte. Në krah të tij ishte edhe një italian. Nuk dëgjohej as çfarë thoshin ngaqë muzika ishte e lartë, por në një pikë, Emanuele kishte ndërhyrë duke thënë “Mjaft më!” Kaq ka mjaftuar për të nisur grindjen. Në këtë moment kishin ndërhyrë bodigardët, të cilët i kishin nxjerrë jashtë.

Lisi tha se jashtë ishin “më shumë se 20 egërsira. Ishte e tmerrshme. Nisën ta rrahin Emanuelen. U përpoqa ta tërheq por ishin shumë të fortë. Nuk mund ta besoj si ishin kaq të egjër. Dukeshin si bisha”, tha ajo duke shtuar se nuk arriti të bënte asgjë përballë tyre kur ia morën të dashurin nga duart.  

“Përpiqem të mendoj për të kaluarën dhe shpresoj të jetë vetëm një ëndërr e keqe”, tha Lisi, e cila shtoi se e vetmja gjë që dëshironte ishte të zgjohej papritur dhe ta shikonte atë në krah.

Ajo kujton se të premten në darkë kishin dalë për herë të parë me makinën e babait të Emanueles. “Ishte kaq i lumtur, por nuk u kthye më në shtëpi,” tha  ajo duke shtuar se ndjen keqardhje të madhe edhe për prindërit e tij që e vuajnë kaq shumë vrasjen e djalit. /tvklan.al