Këndimi nuk është profesioni, por një nga pasionet e tyre.

E nëse deri dje zëri i personazheve të njohur të jetës publike, aktorë, politikanë e mjekë, ishte dëgjuar në mjedise familjare apo mes miqsh, nga mbrëmja e së Dielës, në ekranin e Televizionit Klan, ëndrra e tyre për të kënduar në një skenë muzikore dhe para një publiku të madh nuk është më e tillë.

“C’est La Vie”, “Kjo është jeta”,  këta personazhe i vë në krah të këngëtarëve profesionistëve në një spektakël që producentët Pandi e Bledi Laço dhe Adi Hila e cilësojnë si një festë muzikore.

“Kemi një garë me nuanca sportive dhe që vijnë dhe këndojnë hite muzikore të ndryshme dhe bëjnë performanca muzikore”.

Nën moderimin e Marina Vjollcës në një skenë të ndërtuar enkas, në “C’est La Vie”, muzika luhet drejtpërdrejt.

“Është hera e parë me një formacion të tillë kaq të madh. Ne kemi tentuar edhe herë të tjera. Kanë bërë një punë shumë të madhe për të mbërritur një emision të përmasave të tilla.”

Pas duartrokitjeve të publikut, fjalën e fundit e ka juria, e cila është aty më shumë në rolin e këshilluesit se të kritikuesit.

“Juria do të jetë aty për të vlerësuar personazhet se sa bukur dinë ta përcjellin atë pjesë që për ta është një hobi”.

8 konkurrentë për 11 javë do të sjellin spektakël çdo të Dielë në Televizionin Klan në orën 20:05.

Tv Klan