E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 16 (SEZONI 10)

Emision: 24.12.2017

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti I

Nertili nga Berati ka ardhur në vigjilje të Krishtlindjeve në rubrikën “Ka një mesazh për ty” te e “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë bashkëshortes së tij një mesazh.

Por jeta e Nertilit ka qenë shumë e vështirë. Ai së bashku me tre motrat e tij është rritur pa nënën, pasi atë e kishin rrëmbyer dhe e kishin trafikuar drejt Italisë.

“Mua më ka braktisur mamaja. Mamanë time e kanë marrë për punë të pista, e kanë rrëmbyer në atë kohë. Kam 23 vjet që nuk e takoj mamin tim. E di që është gjallë, pasi na dërgoi një letër në postën e Dushnikut. Atë kohë, nëpërmjet letrave që dërgonim e merrnim, asnjë gjë tjetër”.

Përveç kësaj, familja e tij kishte jetuar në një gjendje të rëndë ekonomike vetëm me pensionin e gjyshes dhe KEMP-in e të atit. Për shkak të situatës së rëndë ekonomike, Nertili është detyruar të emigrojë në këmbë drejt Greqisë që në moshën 13-vjeçare.

“80 mijë lekë i merrte babi, 95 i merrte gjyshja. Me kaq lekë, 170 mijë lekë të vjetra ne duhet të mbyllnim muajin, gjashtë vetë në familje. Në moshën 13 vjeç, unë jam detyruar dhe kam ndenjur edhe një javë pa ngrënë në shtëpinë time bashkë me motrat e mia. Jam detyruar në moshën 13 vjeçe të marr rrugët e Greqisë me çantë në krahë për shtatë ditë e shtatë netë në këmbë, nga Korça deri në Trikalla të Greqisë.”

Në Greqi, Nertili arriti mirë dhe filloi punë me bagëtitë. Pas një viti punë atje ai u kthye në Shqipëri, ku gjeti gjyshen sëmurë dhe planin e babai për t’u larguar së bashku me tre motrat në drejtim të Francës.

“Asokohe që erdha, gjyshja ishte sëmurë, unë nuk dija asnjë gjë. Flisnim dhe babi nuk më tregonte asnjë gjë për këtë sepse babi kishte thurur diçka që do ikte së bashku me motrat, do largoheshin në drejtim të Francës. Unë nuk dija asnjë gjë. Qëndrova pranë gjyshes, kur ishte sëmurë edhe babi më tha, djalë i dashur mua më duhet të iki. Ku do ikësh i thashë unë. Do iki te mamaja në Francë më tha sepse na ka bërë ftesë, na ka çuar dhe lekët. Mbarë jua bëftë zoti u thashë. Nuk kam pse t’ju pengoj për asnjë arsye, por i thashë se duhet të mendosh se ke dhe një djalë mbrapa dhe një nënë mbrapa që është sëmurë. U acarua për një moment dhe pas tre ditësh, bëj gati valixhet dhe i përcjell në Rinas me këmbët e mia, i hipi në avion. Ikin dhe më marrin në telefon që mbërritëm mirë. Mbarë jua bëftë zoti u thashë, numrin tim të telefonit e keni dhe më merrni kur të doni.”

Familja e Nertilit edhe pse nga Franca e kontaktoi vetëm për një vit djalin. Pas një viti, Nertili tregon se ata nuk e kanë telefonuar më. Por, pavarësisht gjithçkaje, ai është krenar për të gjitha gjërat që ka bërë në jetë edhe për kujdesin ndaj gjyshes, edhe pse ajo nuk ishte nëna biologjike e babait të tij.

“Unë kthehem nga Greqia dhe e gjej gjyshen të shtrirë në krevat. Sa vajta afër, hapi sytë, më pa dhe ia mori jetën Zoti. Babi nuk kishte dhembsuri për gjyshen, sepse ajo e kishte gjetur babin tim. E mbajti, e rriti. Ajo na rriti dhe neve na nxorri në jetë dhe si përfundim mori atë që mori. Ja pse nuk erdhi ta shikonte. Sepse nuk ishte nëna e tij biologjike. Motrat e panë edhe menduan se ishte në gjumë. Ata ishin nisur për të ikur, nuk doja t’u tregoja. I kam përcjellur për në Rinas, jam kthyer mbrapa dhe e kam përcjellë vetëm gjyshen. I kam bërë të gjitha, të gjitha i kam bërë vetëm kur kam qenë 14 vjeç”.

Pas kësaj ngjarjeje, Nertili e bëri vazhdimisht rrugën për në Greqi, saqë thotë se i ka vizituar gjithë vendet atje. Kjo pasi i lindi ideja që të fitonte para. Por për shkak se u kap me klandestinë, ai bëri 64 ditë burg. Pavarësisht kësaj atë e ndihmoi gjyqtarja, e cila i dha rroba dhe para për një arsye shumë tronditëse. 

“Herën e fundit kur jam kapur nga policia kam bërë 64 ditë burg. Më kanë kapur me klandestinë, më nxorrën dhe në gjyq, më vunë dhe apelas ndëkombëtar dhe kam bërë 64 ditë burg me katër seanca gjyqësore. Gjyqtarja ishte shumë e mirë. Ajo më ndihmoi. I kërkova të më sqarojë se pse e bën të gjithë këtë. E vetmja arsye pse bëra të gjithë këtë më tha është se më ke ringjallur djalin, sepse djali im në moshën 18 vjeçe ka pësuar aksident me motor edhe ishte identik nga këmbët deri te koka si puna jote.”

Sërish rrezikoi, pasi dërgoi edhe dy djem të lagjes në Greqi, por u kap sërish nga policia. Për fatin e tij të mirë, kësaj here nuk firmosi asnjë letër dhe nuk qëndroi fare i burgosur. Menjëherë sapo kaloi doganën greke, Nertili postoi në Facebook  “F**k Police”. Pikërisht ky postim do të bëhej shkak i njohjes me Dafinën. Ata filluan të shkëmbenin mesazhe me njëri – tjetrin derisa më në fund e lanë të takoheshin.

“Jemi takuar te Pallati me Shigjeta sepse aty afër ka dhe punën që punon sot. Thjesht pimë një kafe në mënyrë shoqërore dhe më thotë më duhet të iki se u bëra vonë, sepse kishte dalë gjysmë ore përpara se të mbaronte puna”.

Dafina është më e madhe në moshë se Nertili. Midis tyre ka 11 vite diferencë.

“Unë nuk e kuptoj se çfarë ka për t’u habitur. Pasi pimë kafen u kënaqa shumë. Ndahemi dhe i thashë që do vij prapë. Vij për 8 Mars, kur unë isha plotësisht i bindur te ajo. Marr një buqetë me lule dhe e telefonoj. E takova te 21-shi dhe pimë kafe, biseduam për ato tonat. Aty e propozova për martesë. Problemi i vetëm më tha është mosha. Tani kemi nëntë muaj të martuar.”

Nertili është në “Kam një mesazh për ty” për t’i thënë bashkëshortes që të mos ketë frikën e diferencës së moshës midis njëri – tjetrit si dhe të mos dëgjojë se çfarë thonë të tjerët.

Dafina pranoi ftesën për të qenë pjesë e “Kam një mesazh për ty”.

I pyetur nga Ardit Gjebrea se kush mund të jetë personi që e ka ftuar, Dafina shprehet me siguri se mund të jetë vetëm bashkëshorti dhe se s’mund të ketë tjetër njeri.  

Arditi – Pse mendon se nuk ka tjetër njeri?

Dafina – Tipat e motrave i njoh, i lashë në punë. Vëllai them se ai nuk është se e di ça tipi ka. Kështu që tjetër njeri nuk kam.

Në ekran Dafina shikon që pas murit është pikërisht bashkëshorti i saj, Nertili.

Dafina – Li.

Nertili  Gaforre!

Arditi – Çfarë të tërheq te Nertili.

Dafina  Sinqeriteti edhe vuajtjet që ka kaluar.

Nertili i jep mesazhin e tij Dafinës.

Nertili – Gaforre, ti e di që unë të dua shumë edhe e vetmja arsye që të kam sjellë këtu është që mos mendo se çfarë thonë njerëzit, mos mendo diferencën e moshës dhe dua ta shijosh bashkë me mua këtë dashuri siç të na vijë. Si të jetë dita e fundit e jetës tonë. Kjo është arsyeja pse të kam sjellë këtu sepse je e vetmja femër që unë ndihem i lumtur. Dhe jam shumë krenar që të kam ty në krahët e mi.

Dafina – Edhe unë.

Nertili – Sepse mos të kisha ty, unë nuk e di se ku do të përfundoja.

Arditi – Na tregoi pak për jetën e tij, për diferencën e moshës që ju keni. Edhe unë u çudita që ka akoma njerëz që mund të komentojnë diferencën e moshës. E komentojnë?

Dafina – E komentojnë shumë.

Arditi – Dhe juve ju bezdis kjo gjë?

Dafina – Për momentin sa ma kap veshi, për momenti po. Pastaj e kaloj. Është ai mentaliteti shqiptar, pavarësisht se thonë epo mirë, ke bërë diçka të bukur, por mbrapa krahëve thonë diçka tjetër.

Dafina e di mirë kush është Nertili dhe se çfarë është ai i gatshëm të bëjë për të. Kundrejt fjalëve të njerëzve ata i përgjigjen njëri – tjetrit me dashuri.

Rasti II

Zonja Leni ka ardhur në “E Diela Shqiptare” në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për t’i dhënë një mesazh djalit të saj të madh.

Leni është nga Lushnja dhe ka tre fëmijë të cilët jetojnë në Greqi, ku edhe punojnë. Para një viti, Lenit i ka vdekur i shoqi dhe tani jeton vetëm. Për shkak se bashkëshorti ishte oficer, ata detyroheshin që shpesh të zhvendoseshin nga një qytet në tjetrin. Në Vlorë, Adi, djali i madh i familjes, regjistrohet në një shkollë të mesme për trompë, por profesorët e patën vlerësuar shumë, për shkak se këndonte bukur. Në moshën 19-vjeçare, Adi shkoi në Greqi, ku edhe punonte, por edhe ndiqte pasionin e tij për këngën.

“Në Dhjetor të 2006-s u bë një koncert, që ishin zërat e rinj të Europës. Mori pjesë edhe Adi. E merr në telefon të atin se ky nuk kishte ardhur, kishte katër, pesë vjet që nuk kishte ardhur në Shqipëri. I thotë të atit që dua një këngë shqiptare që të ma dërgosh ti”.

Bashkëshorti i Lenit i dërgoi një disk me këngët e Ardit Gjebreas dhe Adi zgjodhi për të kënduar “Kur braktis atë që do”. Edhe pse i pambështetur nga ambasada shqiptare dhe media, Adi doli shumë mirë në këtë koncert.

“Doli shumë mirë zuri vend të parë”.

Por sipas Lenit, Adi nuk ka pasur shumë fat në jetë. Ai u martua me një greke, me të cilën më pas u nda. Përveç kësaj është detyruar të rrisë vajzën i vetëm.

“Vajzën pesë vjeçe e ka rritur vetë. Sot është 17 vjeçe. Edhe ka pasur shumë halle dhe nuk mundi të vazhdonte. Është martuar sërish.”

Fillimisht, Adi ka punuar në Teatrin e Operas në Athinë, por për shkak të krizës ekonomike u detyrua të punojë çdo lloj pune të mundshme që të rriste vajzën dhe të mbante familjen. Ai detyrohej të këndonte në punë tashmë, për shkak se nuk e kishte mundësinë të këndonte në skenë.

Edhe zonja Leni së bashku me bashkëshortin kishin qenë në Greqi për pesë vite, por ishin kthyer sërish, kësaj here në Lushnje, ku u sëmur edhe burri i Lenit. Adi i ndihmonte herë pas here me para.

“Adi nuk kishte ditë, në tetë vjet, ku të mos binte 200 – 250 euro babait. I binte dhe ilaçet. Punonte natë e ditë për të atin. I ati e ka pasur shumë peng. Më thoshte çoje njëherë te Adit që ta dëgjoj në një skenë të madhe. Mirëpo, unë nuk e lija se ai ishte i paralizuar. Pas një viti e gjysmë vendosa të vij, të çoj amanetin në vend”.

Adi pranoi ftesën e “Kam një mesazh për ty” dhe ndodhet në studion e “E Diela Shqiptare”.

Arditi – Sa vite keni që jeni në Athinë dhe jetoni atje?

Adi – Kam gati 27 vjet.

Arditi – Çfarë bëre në Greqi?

Adi – Vazhdova studimet dhe njëherë nga e para se nuk na njiheshe fare shkolla e mesme.

Arditi – Ndërkohë që studioje si ia bëje për të jetuar?

Adi – Punoja nga lloj – lloj punësh që nuk mund ta marrë mendja fare. Çohesha në mëngjes shkarkoja një furgon me thasë. Pastaj punoja nga ora 8 e mëngjesit deri në 4 e pasdites prapë shkarkoja thasë në një magazinë. Kështu ishin punët atëherë, nuk bëje dot gjë tjetër. Në shkollë shkoja pasdite.

Arditi – Për çfarë studiove?

Adi – Fillova për trompë.

Në Greqi, Adi është njohur me një nga baritonët më të mirë në botë, Kosta Paskalin dhe me gruan e tij. Ata e kishin dëgjuar Adin duke kënduar në një nga lokalet ku ai punonte si kamarier. Ata i dhanë mundësinë që të studionte pa pagesë. Aty, ai mori diplomën për kanto si tenor.

I pyetur nga Ardit Gjebra nëse e dinte kush e ka ftuar, Adi nuk ka një ide.

Adi – Nga Greqia nuk kam njeri. Vëllezërit e mi, s’besoj.

Në ekranin ndarës shfaqet zonja Leni.

Adi – Dhe këtë s’e prisja.

Leni – Adi, të keqen mami. Dëgjo mamin! Mami kam ardhur këtu për ty që të vazhdosh zanatin tënd. Dhe mos shiko pak lekë, por ti je lodhur gjithë jetën, prandaj ti e ke në shpirt këngën, vazhdoje dhe mos u demoralizo. Mos thuaj që nuk do eci në jetë se jeta ecën përpara të keqen mami. Mbaj mend fjalët e babit, që e kishte pikë të dobët që ti të vazhdoje këngën. Se e meriton. Meriton shumë gjëra. Këtë dua mami prej teje dhe dua të marrësh pjesë në edicione kudo që të jenë, vetëm që të ecësh në zanatin tënd, me zërin tënd që ke, se ta ka falur Zoti. Që të plotësosh dëshirën time dhe të babit.

Adi – Nuk e di. Besoj se kjo ishte e fundit. Nuk e prisja. Ja premtoj mamasë që nuk e lë atë gjë se është një gjë që nuk e kam lënë kurrë dhe s’kam për ta lënë. Sado që jeta më ka kthyer mbrapa për çdo gjë, por edhe kam ca detyrime për njerëzit që kam afër që s’i lemë dot. Tani këngën e vazhdoj sa kam mundësi se nuk ke dhe mundësi në atë vend që je, për shembull Greqia nuk ka shumë mënyra që të provosh diçka më tepër ose të vazhdosh diçka më tepër. Por prapë ia premtoj që nuk e lë. S’kam për ta lënë kurrë.

“E dini që kur merret premtimi dhe realizohet gjithçka, ju mund të përqafoni djalin tuaj”, e përmbyll Ardit Gjebrea duke i lënë mundësinë që Leni të përqafojë Adin.

Më pas, Adi së bashku dhe Arditin këndojnë këngën “Kur braktis atë që do” duke përmbushur kështu edhe amanetin e bashkëshortit të zonjës Leni.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Ramizi dhe Erida, babë e bijë vijnë nga Durrësi për t’u bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare”. Erida ka dhënë një firmë, e cila i ka kushtuar shumë. Ajo sot gjendet në këtë seancë ndërmjetësimi për t`i kërkuar llogari të atit në lidhje me këtë firmë të hedhur, nga e cila ajo nuk ka përfituar asgjë.

Erida Katreli nis të tregojë shqetësimin që e ka sjellë sot përballë të atit, por fillimisht i kërkon falje Zotit, pasi sipas fesë së saj, nuk i lejohet të dalë publikisht.

Prej vitit 2012 unë kam dhënë një firmë për tokën e gjyshit tim, ku babi im më premtoi që do të më japë shtëpi. Kur unë kam një djalë jetim, jam e vetme, përveç Zotit nuk kam askënd sepse edhe prindërit më anuan, më kanë lënë në një han. Më kanë veçuar sepse më kanë mashtruar me një firmë”.

Ramizi i habitur shprehet: “Erida, të lutem shumë bab, për këtë punë më ke sjellë këtu? Po unë jam babi jot, s’jam njerku jot! Mua më mashtruan …“

Erida i thotë se nuk i intereson se kush e ka mashtruar, por ai nuk mund ta mashtronte atë, të bijën e tij, ndaj i kërkon zgjidhje për atë firmë.

Ramizi – Shkurt fare, unë do të bëj të pabërën!

Erida – Jo, absolutisht, nuk ke pse ta bësh!

Ramizi – Kam për ta bërë sepse ti je në vuajtje e sipër.

Erida – Unë prej teje kërkoj shtëpinë sepse po jetoj në një ballkon 2 metra.

Ramizi – Për hir të gjyshit tënd. Kishte shoqëri me filanin, që jemi ne në valle. Unë nuk do të pyes për shokun e babit tim. Vdiq gjyshi jot, vdiqa dhe unë! Ai ka dhjetëra pallate, komshinjve u dha, mua, që jam menaxheri i asaj pjese,  nuk më dha.

Erida – Kam jetimin në shtëpi. Më kërkon djali një tavolinë, ku të vendosë një libër që të mësojë! Mami ku është shtëpia që më premtove thotë.  Gjithë këto festa që bëhen, ku do t’i festojë një jetim?!

Ramizi – Ato lotët e tu s’do t’i lejë babi, jo! Edhe 2 vjet ke për të pritur se ika. Të bëjë vaki të mos e bëjë këtë punë ai,  do vish të më qash te varri!

Erida – Kam 6 vjet që pres, babi!

Ramizi shpjegon se ka trashëguar nga i ati një pronë 208 metra katrorë. Në vitin 2014 është bërë një deklaratë noteriale nga Ramiz Zylyfi, Erida Katreli dhe Olsi Xhymerti, ku Ramizi dhe Erida kanë marrë një apartament prej 62 metrash katrorë nga Olsi Xhymerti dhe më pas kanë pranuar që t’ia kthejnë këtij të fundit pa asnjë pretendim në të ardhmen.

Ai i shqetësuar rrëfen se nuk ka patur dijeni se çfarë thuhej në deklaratën noteriale, por ka firmosur me besim të plotë te Olsi Xhymerti dhe shprehet: “Më vret Zoti, si ka mundësi që të ta punoj ty. Unë ekzistoj kot!”

Juristja Eni Çobani tregon se gjenden 4 dokumente, nga të cilat ka nisur konflikti. Gjithçka nisi nga një kontratë sipërmarrjeje më 27.03.2012, ku Ramizi ia dha truallin Olsi Xhymertit në këmbim të një apartamenti  50 deri në 55 metra katrorë. Më pas u bë një kontratë dhënie trualli për ndërtim, më 04.06.2013, ku thuhej se Ramizi do të merrte një apartament prej 62 metrash katrorë në ndërtesën që do ngrihej në truallin e tij dhe një kat papafingo në Golem.

Më 12.06.2014 u bë një deklaratë noteriale mes Ramizit, Eridës dhe Olsit, ku do të bëhej kalimi i pronësisë në emër të Eridës, por me vullnet të lirë deklaruan se këtë apartament ia kthejnë investitorit pa asnjë pretendim. Por këtë deklaratë nuk e ka lexuar as Ramizi e as Erida dhe firmosën pa patur asnjë informacion.    

Erida rrëfen se jeton në një ballkon me të birin dhe thotë: “Mua ma ka mbyllur vetë babai im me duart e veta atë ballkon. Gjithë erën që fryn përjashtë e pret koka ime dhe e djalit tim 14 vjeçar”.

Ramizi shprehet se Olsi ia tregoi dy apartamentet në Golem, të cilat ishin të papërfunduara. Më pas pronarja e truallit i tha se Olsi kishte shitur apartamentin e tij prej 62 metrash katrorë. Ai shton se ka marrë një banesë prej 50 metrash katrorë, të cilën e ka shitur, ndërkohë që në kontratën e fundit ishte specifikuar 60 metra katrorë.

 Ai thotë: “Më dolën probleme në Itali, kisha vajzën shumë të sëmurë. E fala atë hyrje, ai e ka bërë 20 mijë euro, por s’është e vërtetë se 12 mijë euro e kam shitur dhe kam dëshmitarë. I kam marrë lekët, duke mbajtur 1 milionë ky për vete se nuk më jepte firmën e shitjes  dhe gjysëm milionë pronari i tokës. Unë me 10 mijë euro shkova në shtëpi”.

Ndërsa Erida nuk e beson, pasi nuk është në dijeni të shitjes së këtij apartamenti dhe përgjigjet duke thënë: “Unë i kërkoj falje Zotit dhe për këtë gjë që më ke bërë shyqyr që jam në fe. Nuk kam ku të shkoj me jetimin që kam, ku të mbashtetem babi? Jeni sot, s’jeni nesër. Përjashta do të më leni? Jam një femër me një jetim!”

Juristja Çobani bën apel për të gjithë shqiptarët që të lexojnë me kujdes atë çka firmosin.  Ajo shton se më 08.05.2015, Ramiz Zylyfi së bashku me Olsi Xhymertin  janë rikthyer në noteri për të deklaruar se apartamenti prej 60 metrash katrorë do të mbetej e Ramizit dhe pas materializimit të saj, i premtohet edhe një garsoniere në godinën që mund të ndërtohej në truallin e tij.

Pra, prej vitit 2012, këto dy apartamente janë dhënë, janë marrë dhe janë rikthyer, çka nuk ka kuptim.  

Babë e bijë tregojnë se në pronën e tyre prej 5 vitesh nuk është bërë asnjë ndërtim, por është vendosur në shitje.  Eni Çobani thotë se çdo leje ndërtimi ka një afat, brenda të cilit duhet të përmbushen të gjitha kushtet që bashkia e një rrethi të caktuar i jep një investitori për shfrytëzimin e një trualli. Ajo shton se ndërtimi i një pallati ka një afat prej 1 viti e gjysmë deri në 2 vjet, por jo 5 vjet.

Publiku i rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare” i jep të drejtë Ramizit që është mashtruar, ndaj nuk është fajtor në këtë seancë ndërmjetësimi.

Juristja Çobani e përmbyll duke thënë se nëse afati i lejes së ndërtimit ka përfunduar, të gjitha dokumentacionet ligjore që Olsi Xhymerti ka lidhur me Ramiz Zylyfin janë të pavlefshme dhe trualli i kthehet këtij të fundit.

Erida i kërkon falje të atit, por ky i fundit  shprehet se i vjen shumë turp që e solli në këtë seancë ndërmjetësimi dhe nuk e diskutuan së bashku në shtëpi.

“TRADITA E FUNDVITIT”

Kategori
E DIELA SHQIPTARE
0 Komente

Përgjigju

*

*






Emisione