Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Kristi dhe Silva janë dy motra nga Ura Vajgurore të cilat janë rritur me shumë sakrifica nga prindërit, por sidomos nga babai. Ai ka jetuar 20 vjet në emigracion për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjen. Megjithëse gjithçka cfarë kanë arritur e kanë falë atij, ato prapë kanë një kërkesë, një mesazh për babain..

Familja është gjëja më e rëndësishme dhe më sublime për shoqërinë njerëzore. Tek “Ka Një Mesazh Për Ty” familja është gjithmonë prezente, ndaj edhe këtë javë kjo rubrikë pjesë e programit “E Diela Shqiptare” e moderuar nga Ardit Gjebrea, ka sjellë historinë e dy motrave nga Ura Vajgurore. Kristi dhe Silva, janë rritur me shumë sakrifica nga prindërit, sidomos nga babai i tyre Roberti. Prej më shumë se njëzet vitesh, ai ka emigruar drejt Greqisë, për t’i plotësuar gjithçka familjes së tij. Por nga kjo largësi ka humbur disa nga momentet më të bukura që jeta të servir.

Ndaj të dyja motrat kanë ardhur në studio, jo vetëm për t’i shprehur mirënjohje babait për gjithë mundin që ka derdhur, por kanë ardhur për t’i kërkuar edhe diçka tjetër. Nga sakrifica e madhe që Roberti ka bërë për familjen e tij, tashmë nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. 

Por si ka qenë jeta e tyre?

“Ne jemi një familje që jetojmë në Berat, në qytezën Ura Vajgurore. Ne jemi tre motra dhe një vëlla, së bashku me dy prindërit.

Ju jeni rritur pa babain?

“Po, gjithmonë ai ka jetuar jashtë, në Greqi. Para gjashtë vitesh është kthyer këtu, por njëzet vite i ka kaluar andej pa ne.”

Silva për herë të parë e ka parë babain e saj në moshën 3- vjeçare, pikërisht në ditën e saj të lindjes.

“Si është që të rritesh pa babain duke e ditur që ai është dhe nuk ka asnjë problem me mamin?

“Shumë e vështirë ka qenë.”

“Po sot si është babai nga gjendja shëndetësore?

“Ai është 51 vjeç dhe është rënduar shumë, sidomos nga gjunjët sepse i mbledhin ujë, se nuk rri dot një sekondë pa punë. Ai ka perde në sy, me gjithë ato sakrifica që ka bërë. Gjithashtu vuan nga tensioni dhe nga zemra që e ka copë.”

Të gjitha këto sëmundje i kanë ardhur se ka qenë larg jush?

“Po sigurisht, se nuk i thonë pak njëzet vite larg gruas dhe fëmijëve. Ai ka sakrifikuar veten e vet për ne.”

Për se e keni thërritur sot?

“Për t’i dhënë një mesazh që ai të kujdeset për veten e tij dhe jo më për ne. Sepse veten e tij e ka lënë shumë pas dore, vetëm për të na plotësuar sikur dëshirën më të vogël. 

Ka bërë shumë për ne. Ai është bota ime, gjithçka që dua në jetë ai është.”

Sa vite keni jetuar me babin në shtëpi?

“Vetëm pesë vite.”

A është krijuar kjo lidhje e fortë ndërmjet jush?

“Po shumë.”

Babai i vajzave, Roberti, i pranishëm në studio nuk mund ta besojë që nga ana tjetër e murit ishin pikërisht vajzat e tij të dashura. Ndërkohë ato i japin mesazhin, për të cilin e kanë thirrur:

“Ne jemi sot këtu për të treguar që të duam shumë, je drita e syve tanë, ata sy të të mos lotojnë më. Që po të pengojnë shikimin e syve ato perde, të njëzet viteve larg nesh. Gjithçka që ke bërë, ke lënë veten tënde pas dore, për të na plotësuar në çdo tekë e dëshirë, gjithçka. Ne jemi sot këtu për të treguar që të duam shumë dhe je mbështetja jonë më e madhe, je arsyeja e jetës tonë, sepse ia ke dalë mbanë i vetëm, ke çarë malet pa ndihmën e askujt. Na ke neve gjithmonë pranë, sot dhe përgjithmonë” –

shprehet Silva.

“Babi ti je gjithçka që unë kam në jetë, je gjithçka ku jam sot. Të kujtohet ato rroba aty që ke përballë? Është veshja e parë që unë kam veshur kur kam ardhur në jetë, ndërsa ajo është gushorja që unë kam ngrënë gjithmonë ushqim. Sa do të doja që të ishe ti pranë meje, e kam bërë gjithmonë pis, por me mamin. E ka larë mami, por asnjëherë pranë teje. Ndërsa ajo është lodra që unë mbaja gjatë gjithë kohës me vete. Atë ma ke dërguar ti”

– kujton Kristi. 

“Gjithçka babi e bëri për ju, që të arrini deri këtu.”

“Edhe ne të sollëm sot këtu, për këtë që ti je dhe për këtë që ne jemi sot, vetëm falë teje.

Të kujtohet fustani rozë me topa?

– i thotë Silva babait,

kur ma ke dërguar nga Greqia kur kam qenë vetëm gjashtë muajshe?

Po zemrat e babit më kujtohen.

“Gjithçka që ti e ke bërë, e ke bërë për ne, tani do të bëjmë ne për ty. Kujdesu për veten dhe mamin.”

Po babi, po kam edhe djalin për të çuar në shkollë, siç ju çova juve të dyja.

“Do ta çojmë ne djalin. Do të punojmë ne për vëllain. Boll punove ti. Ata lot që ti po qan sot, të lutem fshiji mos qaj më. Ti do të kesh gjithmonë mbështetjen tonë, asnjëherë nuk do të jesh vetëm. Vetëm ne e dimë se çfarë njeriu je ti, askush tjetër. Sado të tjerët ty të të bëjnë keq, po ti sërish ke shpirtin aq të pastër, që të gjithë e dinë sesi je ti.”

Këto fjalë zemre të dala nga thellësia e shpirtit nga vajzat, për babain e tyre Robertin, një baba që i ka munguar në çdo çast të bukur, në çdo sakrificë, sjellin në vëmendje një mesazh të fortë, familjen, bërthamën më të fortë të shoqërisë.

Xhuljeta ka humbur vëllain para dy vitesh dhe që atëherë është mbyllur gjithnjë e më shumë në vetvete. Dhimbjen e saj nuk e ka ndarë as me miqtë më të ngushtë. Xhuljeta vendosi të mos mbetet më peng e dhimbjes të së kaluarës.

Humbja e një njeriu të shtrenjtë në jetë, na bën shpesh që të harrojmë veten, të na mungojë dëshira për të ecur përpara, por vjen një moment që duhet të mbedhim veten sepse jeta vazhdon të ecë me ritme të shpejta. Këtë të diel në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” erdhi Xhuljeta, e cila dy vite më parë ka humbur vëllain. Që nga ajo kohë, ajo është mbyllur në vetvete dhe dhimbjen nuk e ka ndarë me askënd.

Kam ardhur sot këtu të ndaj historinë time të dhimbshme për mua, në lidhje me vëllain tim. Që kur erdhi në jetë lindi me probleme, kështu që gjatë gjithë jetës vuajtëm me të.

Sa fëmijë jeni ju në familje?

“Tani jemi dy. Kam një vëlla më të madh dhe unë. Ndërsa vëllai tjetër ishte pesë vite më i vogël se unë, ndaj unë mezi e prisja ardhjen e tij. Ai lindi me sindromën Down.”

Si e morët vesh, menjëherë?

“Jo, sepse mami ma mbajti të fshehtë, mua edhe vëllait, ngaqë kemi qenë të vegjël në atë kohë dhe nuk mund të na e thoshte dot se çfarë problemi kishte. 

Unë kam qenë jashtëzakonisht e lidhur me të, në moshën tetë vjeçare menduam ta fusnim në shkollë. Aty mora vesh që fëmijët e tjerë rrinin indiferent ndaj tij dhe vëllai ndjehej keq. Kishte raste që fëmijët e moshës sime e përbuznin, nuk e kuptonin se çfarë kishte. 

Ishte data 17 shkurt kur ai nuk ndihej mirë. E shikoja që disa ditë më parë hante shumë pak dhe i them çfarë ke? Nuk e di më tha, por ndjej si dobësi të trupit, por mos i trego mamit. Ai më pas lahet dhe unë po e vishja, por i shikoj disa pika të kuqe në trup. Dhe menjëherë i them mamit që ka diçka që nuk shkon. Më pas shkuam në spital, ku i bëmë të gjitha analizat, të cilat i dolën shumë keq. I përsëritëm edhe dy herë të tjera këto analiza dhe doli në fund që ai vuante nga leuçemia akute. 

Shkoj në shtëpi dhe shikoj që në kompjuter mami kishte lënë facebook-un e saj hapur. Teksa doja të dilja nga facebook-u i saj, që të futesha tek i imi, shikoj që daja çon një mesazh. Aty shkruhej: “jo ska mundësi, është e pamundur”. Më shtyu kurioziteti që të shikoj bisedën pak më sipër. Mami i kishte thënë që djali më është diagnostikuar me leuçemi akute. Në atë moment kap celularin dhe marr në telefon mamin. E kisha humbur kontrollin. I them se çfarë ka ndodhur, isha duke bërtitur dhe ulëritur në maksimum. Më pas dal jashtë, ashtu siç isha me rroba shtëpie, për në spital. Shikoj vëllain që ishte me serum, e përqafoj dhe ndjej një dhimbje të tmerrshme, që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë.”

Ajo tregon më tej, për orët e fundit të vëllait të saj. Nuk ishte e pranishme kur ai ndërroi jetë, pasi babai e kishte dërguar në shtëpi. Pak më vonë vjen edhe mamaja, e cila i tregon se çfarë ndodhi, duke e inkurajuar të bëhet e fortë, pasi vëllai kishte ndërruar jetë.

“Kam ndjerë sikur isha në ëndërr. Kam thënë nuk e besoj se çfarë po ndodh.”

Po çfarë ndodhi më pas me ty?

“Ishin disa ditë tmerrësisht të vështira për mua, ishin ditë që u mbylla në vetvete.”

Unë të shikoj që ti je veshur me të zeza, i mban se të pëlqejnë apo?

“I mbaj edhe se më pëlqejnë, por mbi të gjitha i mbaj për vëllain. Mamit ia kam hequr të zezat, ndaj edhe unë kam ardhur këtu sot për t’i dhënë një premtim mamit, që do t’i heq këto rroba të zeza.”

Po pse rri me të zeza?

“Ardit mund të të duket absurde kjo që po them, por ndjej një detyrim ndaj atij. Po të kishte zë ai edhe të fliste do të më thoshte: “Kaq shpejt më harrove?”

Mami nuk ka luftuar të ti heqë?

“Unë ja kam dalë mbanë tia heq mamit këto rroba. Ajo është munduar shumë me mua.”

Por ti ndaj mamit ke edhe një detyrim tjetër apo jo?

“Po! Unë kam qenë një fëmijë i apasionuar pas jetës, pas aventurave dhe që kur ka ndodhur kjo, unë jam bërë një njeri i mbyllur, e ftohtë me të gjithë.”

Afërdita e pranishme në studion “E Diela Shqiptare”, nuk ngurron të tregojë historinë e saj, ndarjen nga jeta të djalit të vogël, i cili vuante nga leuçemia akute, sëmundje që i mori jetën dhe që la një brengë të madhe tek kjo familje. Dhimbja për gjithsecilin është individuale, ndaj Afërdita tregon që e vuan shumë këtë fakt, por më tepër nga të gjithë e vuan Xhulia edhe pse ajo nuk ia ka shprehur kurrë një gjë të tillë.

“Mami ti gjithmonë ke qenë mbështetja, kuraja, frymëzimi, gjithçka e imja. Po më tepër ke qenë si një idhull për mua, të cilin duhet ta ndjek. Jam këtu të të them që: faleminderit për çdo gjë që ke bërë për ne, për gjithë forcën që na ke dhënë dhe kurajon tënde. Kam ardhur edhe të të premtoj se nuk do të jem më ky tipi i mbyllur, do të dal më shumë me shoqërinë, pra do të jem më e qeshur në jetë. Vazhdo të jesh kaq e fortë sa ke qenë gjithmonë. Ndërsa sa i përket rrobave të zeza, ti ia dole, por do t’ia dal edhe unë. Unë nuk dua të jem më ajo vajza e mbyllur që nuk i flet askujt.”

“PËR PESHK”

A e dini që shqiptarët konsumojnë 5 herë më pak peshk se mesatarja botërore? Për të mësuar më shumë…në “markatën e peshkut” me Blerinën.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Sot përballë njëra-tjetrës në rubrikën “Shihemi në gjyq” janë nënë e bijë. Mamaja është në merak të madh për pronat e babait të saj, ndërkohë vajza e saj e mrekullueshme, Ritmalsa, i kërkon me insistim mamasë të mos vazhdojë më këtë kalvar gjyqesh. “Ne të duam ty mama dhe duam të të kemi pranë. Prona as nuk kemi, as duam të kemi.” Kjo është thirrja që vajza i bën sot mamasë.

“KENGA MAGJIKE”

Grupi “Të Kualifikuarit”:

  • Anxhela Peristeri – “Gënjeshtar”
  • Berkan – “Kam frikë”
  • Erik Lloshi – “Të gjeta ty”

Kategoria “New Artist”:

  • Vjosa Selmani – “S’do të jesh më”
  • Stormfire ft. Tori & Pandi – “S’tlo me ik”
  • Anisa Smajlaj – “Kodi i dashurisë”
  • Herbert Halemi – “Ay amor”