Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Kur një marrëdhënie ndërtohet mbi dashurinë nuk ka forcë që ta dëmtojë. Romina një adoleshente e ka ndjerë këtë dashuri nga nëna që e rriti, por jo nga ajo që e lindi, sepse e braktisi që kur ishte fare e vogël. Ajo ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” moderuar nga Ardit Gjebrea, për të treguar modelin e nënës që e rriti dhe nuk u lodh kurrë së dhënuri dashuri. Romina nuk e ka ndjerë mungesën e nënës, pasi Tefta është kujdesur me shumë dashuri dhe nuk bën dallim nga vajzat e saj, që ka lindur me babin e Rominës. Nëna biologjike i braktisi kur Romina dhe vëllai i saj ishin fare të vegjël, pa ndonjë shkak apo konflikt në familje. Ajo nuk e mendoi dy herë shkatërrimin e familjes që kishte ndërtuar. Vetë Romina tashmë një zonjushë, tregon për momentet kur në jetën e tyre erdhi Tefta, një bekim për to.

Sot kam marrë guximin që të vij këtu për një arsye dhe kjo arsye është nëna ime. Në venat e mia nuk rrjedh gjaku i saj, por pak rëndësi ka kjo sepse ajo ka qenë si një nënë për mua. Si çdo familje shqiptare ne emigruam jashtë vendit, drejt Greqisë.

Nga cili qytet je ti?

Unë jetoj në Sukth.

Sa fëmijë jeni?

Babi im u martua me një grua me mblesëri. Në vitin 1999 linda unë. Babi im bashkë me mamin morën një vendim që të shkonin në Greqi për një jetesë më të mirë. Në vitin 2002 lindi vëllai im në Greqi. Një ditë mamaja jonë na braktis dhe mesa duket ajo nuk ishte e lumtur me ne.

Si ju braktisi?

Iku, u largua nga ne papritmas. Babai im ishte në punë dhe e mori në telefon, por ajo nuk e hapi telefonin. Babai kthehet dhe shikon një letër mbi tavolinë ku shkruhej që unë po largohem. Të dëshpëruar mes një vendi të huaj babai mori një vendim që ne të ktheheshim në fshat, tek gjyshërit e mi.

Sa vjeçe ishe ti në atë kohë?

Unë isha vetëm tre vjeçe dhe vëllai sapo kishte mbushur një vjeç.

Kishte probleme me babin?

Jo fare. Kishim një jetesë shumë të mirë, normale, të qetë.

Ke folur ndonjëherë me babin për këtë gjë?

Jo asnjëherë. Nuk kam pas guximin që të flas me babin.

Ju nuk keni asnjë lajm se ku ndodhet mami?

Jo nuk dimë asgjë. Ajo nuk e ktheu asnjëherë kokën mbrapa, që kishte shkatërruar një familje. Më pas babi merr vendimin për t’u kthyer në Shqipëri dhe një vit më vonë martohet me një grua tjetër. Në familjen tonë erdhi një engjëll, se kështu ishte për mua dhe vëllain tim. Një heroinë për të gjithë familjen. Në fillim mendoja që nuk do të na donte, sepse kur nuk donte mami im, si do të më donte një nënë tjetër. Por ishte komplet ndryshe sepse na donte me gjithë zemër.

Kur erdhi në familjen tuaj nëna tjetër, çfarë kuptoje ti, çfarë ndjeje?

Atë e ndjeva si nënë dhe që ditën që erdhi unë i thërrita mami dhe jo njerkë apo t’i thërrisja në emër.

Si i’ua prezantoi babi juve?

Kjo është një mami e re, që po vjen në shtëpinë tonë dhe na e prezantoi edhe pse ne ishim shumë të vegjël nuk është se kuptonim shumë. Që kur erdhi ne i thërritëm mami, ajo ishte shumë e mirë sepse na mësonte, na edukonte, na mbante afër.

Ajo erdhi thjesht në shtëpi apo u bë ndonjë ceremoni?

Po u bë dasëm. Nuk ishte shumë e madhe vetëm me disa njerëz të afërt. Ne e donim shumë atë. Ajo kujdesej për ne kur ishim sëmurë, në momente gëzimi apo hidhërimi ajo ishte gjithmonë aty. Ajo është kuptimi i jetës tonë, pa të nuk do të kishte asgjë në këtë jetë.

Ajo vetë ka fëmijë?|

Po, në vitin 2010 morrëm vesh që mami jonë ishte shtatëzanë dhe kishte dy vajza binjake.

Si u ndjetë ju në momentin që ishte shtatëzanë?

Ishte një moment shumë i bukur. Mezi prisja që ato të lindnin. Mamaja nuk bën krahasim midis neve apo vajzave të saj.

Si shkoni me motrat?

Shumë mirë. Njëra nuk kupton sepse është me aftësi të kufizuara, por tjera kupton dhe janë shumë të mira.

Babi me kë jeton? Me ju këtu apo jashtë?

Ai shkon në Greqi për të punuar. Gjithmonë ka pas emigruar në Greqi.

Dhe juve ju ka lënë me mamin, ta quajmë kështu?

Po me mamin, sepse ajo ashtu është për ne. Ajo na do me gjithë shpirt ne.

Me mami Teftën keni biseduar ndonjëherë për mamin biologjike?

Jo asnjëherë dhe dua t’i them që nëqoftëse një ditë shfaqet do të jetë një e panjohur për mua dhe pse ajo më fali jetën. Ajo nuk e meriton dashurinë time. Kur unë kisha nevojë për të ajo iku.

Po sot përse e ke thirrur?

E kam thirrur për ta falenderuar për gjithçka që ka bërë mua dhe vëllain tim. Që na ka ndenjur pranë dhe ka bërë që ne mos ta ndjejmë mungesën e nënës. Dua t’i them që edhe pse motra ime është me aftësi të kufizuara nuk dua që ajo të mërzitet dhe t’i shuhet buzëqeshja në fytyrën e saj. Dua që ajo të ketë vetëm lot gëzimi dhe jo trishtimi sepse unë do t’i rri gjithmonë pranë.

Stafi i “E Diela Shqiptare” i ka bërë Teftës një surprizë ku nëpërmjet një inserti shfaqen fëmijët jo biologjikë të saj.  Pyetjes së Ardit Gjebreas se kush janë këta fëmijë, Tefta i përgjigjet: “Fëmijët e mi”!

Mami dua të të falenderoj për gjithçka që ke bërë për mua dhe vëllain tim. Na ke qëndruar pranë në çdo hap që kemi hedhur. Ke sakrifikuar gjithçka vetëm për ne. Dua që asnjëherë buzëqeshja në fytyrën tënde të mos shuhet. Do të qëndroj pranë pavarësisht çdo gjëje.”

Romina erdhi në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për të treguar se nënë e vërtetë është ajo që të rrit dhe të jep dashurinë, ngrohtësinë, mbështjetjen, gjithçka dhe jo ajo që të lind, ku në fund të braktis.

 

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, Erisa vjen për të treguar historinë e dhimbshme të tezes së saj. Ajo prej gati pesë vitesh jeton sëbashku me familjen në Hudson të Teksasit. E sapo ardhur nga aeroporti i Rinasit është drejtuar drejt Televizionit Klan, për të ftuar tezen e saj Fantazinë. Jeta e tezes së saj ka qenë mjaft e vështirë, pasi ajo ka dy fëmijë me aftësi ndryshe. Enka dhe Genti janë në një moshë madhore sot dhe e vetmja brengë që po mundon çdo ditë Fantazinë është se çfarë do të ndodhi me ta, nëse ikën nga kjo botë? Erisa ka ardhur enkas për tezen e saj për t’i dhënë një premtim shumë të fortë që, jo kushdo mund ta bënte.

Kam ardhur enkas nga Amerika për t’i bërë një surprizë tezes time. Më merr malli për vendin tim, për shoqërinë time, por sot kam ardhur enkas për tezen.  Arsyeja përse është, që çdo nënë që ka fëmijë me aftësi të kufizuara apo fëmijë me probleme meriton mirënjohje maksimale nga të gjithë. Por janë disa nëna që ne i shikojmë përditë, ndoshta edhe i neglizhojmë në rrugën tonë të jetës, por ato qëndrojnë aty për të na dhënë një shembull, se të gjithë ne përpiqemi në jetën tonë të gjejmë objektivin e jetës. Kush është misioni ynë, që jemi dërguar në këtë botë? Ndërsa për ata njerëz misioni është i ditur, ata janë pasqyra e realitetit për ne që nuk ngopemi asnjëherë, që kërkojmë gjithmonë nga fati, që mërzitemi se marrim një notë të keqe, se nuk kemi para, se nuk kemi punë e tjerë. Kur kthejmë kokën dhe shikojmë këto nëna që vuajnë dhimbjen mbi dhimbje. Shikojnë fëmijët e tyre, që nuk do të munden kurrë të jenë të zotë, nuk do të munden kurrë të ecin në jetë, atëherë kuptojmë që jemi me fat. Kuptojmë që jeta është e bukur dhe do përqafuar ashtu siç të vjen, me ato kushte dhe mundësi.

Më specifikisht, tezja jote…?

Tezja ime ka dy fëmijë të sëmurë. Një djalë dhe një vajzë me nga një vit diferencë. Një ndër motivacionet që unë zgjodha mjekësinë si objektiv të jetës time është djali Genti. Ai kurrë nuk ka folur, nuk ka pasur mundësi asnjëherë të thotë fjalën “mama” dhe është 42 vjeç sot. Gjithmonë kam pyetur veten sesi ka mundësi, çfarë ndodh brënda tij? Ne jemi me nerva dhe ulërasim, qajmë, bërtasim, por po me të çfarë ndodh? Kur është i lumtur, kur është i mërzitur gjithmonë më ka bërë kureshtje. Ndërsa vajza është më e madhe, 43 vjeçe. Ajo flet, por ka një zhvillim mendor të prapambetur.

Si ka mundësi të dy fëmijët?

Nuk ka një diagnozë specifike për ta. Gjithmonë kur jam në shkollë në Amerikë, flas me profesorët për të bërë një kod gjenetik të tyre, për të ditur një mutacion se çfarë ka ndodhur. Ata nuk e dinë. Tezja ime nuk e di se çfarë gabimi ka ndodhur me ta. Nuk e besoj dot si një nënë të rrisi, të edukojë dy fëmijë që se di se çfarë ndodh me nevojat që ata kanë.

Tezja jeton me femijët. Po bashkëshortin e ka?

Po e ka dhe besoj se ai është bekimi më i mirë i jetës së saj, e vetmja gjë pozitive që ka ajo në jetë. Tezja ime ka qenë shumë e fortë Ardit, nga ato nëna që i gëzohej atyre. Si ai fëmija i vogël që të thotë një fjalë dhe gëzohesh në çdo fjalë që thotë, në çdo hap që hedh. Dhe ajo ashtu i gëzohet atyre. Çdo moment me ta, për të është gëzim.

Ankthi më i madh i këtyre prindërve që kanë fëmijë të tillë është sesi do të jetë fati i fëmijëve nëse prindërit largohen nga jeta. E ka tezja jote këtë merak?

Kjo është brenga, që po i mundon shumë sepse kur kanë qenë më të rinj gjërat ishin më të lehta. Tezja ime ka shpresuar gjithmonë për më mirë, që gjërat do të ecin më mirë. Ndërsa e vërteta nuk është ashtu. Gjërat po përkeqësohen dita – ditës. Kjo është pyetja e vetme se çfarë do të ndodhë kur ne të dy të mos jemi më. Kjo është pyetja që po i mundon. Arsyeja e vërtetë që unë jam sot këtu është pikërisht për këtë. Ne kemi qenë shumë të lidhur, nuk shkonim në shtëpinë tonë në Berat pa bërë ndalesën tek tezja. Do doja t’i thoja që ne po përpiqemi shumë, që nëqoftëse kemi mundësi si unë dhe motra ime, t’i marrim andej. Domethënë të trajtohen me ndihmë profesionale, por në qoftë se nuk do të kemi mundësi do të kthehet njëra nga ne në Shqipëri, që të kujdeset për ta.”

Fantazia vjen në studion e “E Diela Shqiptare” dhe kishte shpresë të madhe që nga ana tjetër e murit të ishte motra që jeton në SHBA.

Po pse të shkoi mendja tek motra në Amerikë?

Po dëshiroja të ishte ajo se me të kam qenë e lidhur shumë. E kam pasur si fëmijë, e lam mbajtur gjithmonë pas vetes. Dyshoj edhe te vajza e motrës, por më tha që kam provime.”

Më pas shikon që Erisa, mbesa e saj ka ardhur nga Amerika për të. 

Erisa zemra e tezes pse më gënjeve? Më dole e pabesë më the që kam provim.

Ajo ka ardhur nga Amerika enkas për ty dhe donte të të surprizonte këtu, ka ardhur direkt nga aeroporti.

Kam qenë gjithmonë shumë e lidhur me ta Ardit, unë kam edhe motra e vëllezër të tjerë, por me këta kam qenë e lidhur shumë.

Do ta dëgjosh mesazhin e saj?

Dua, se nuk e di se çfarë kërkon nga mua!

Teze unë nuk kërkoj asnjë gjë nga ty, se na ke dhënë boll. Na ke dhënë shumë dashuri, përkujdesje, na ke dhënë më shumë se çfarë mund të japi dikush. Ti për ne je shembull, për familjen time. Ne i dimë hallet e tua dhe jetojmë bashkë me to. Dua të të shikoj të fortë, me ato shpresa pozitive. E di që Enka dhe Genti nuk janë në të njejtën gjendje si më parë dhe vitet ikin, por ti je e fortë. Dhimbja të është bërë lumturi. Ti i ke shumë qejf suprizat, ndaj edhe unë erdha në këtë formë. Por dua të të jap një mesazh. Më ka ngelur mendja tek ditëlindja e fundit që bëri Genti dhe kur të uruam të gjithë edhe 100 vite, ti bashkë me xhaxhi Malon the një shprehje, që aty kuptova se po ndjeni shumë dhimbje. Më the: Mos i uro edhe 100, por uroji edhe një ditë e më përpara. Unë këtu kam ardhur për të të thënë që mos ki merak. Asnjë nuk do vuaj. Unë uroj shumë që të jeni të lumtur me ta, por nëqoftëse vendos Zoti që ju të ikni para tyre, do të jenë në përgjegjësinë time dhe të Anxhelës. Qëndro e fortë teze, ashtu siç ke qenë!”

Ju kërkoni që të mos derdh lot, por është e pamundur.

Ti ki besimin që ata nuk do të ngelen vetëm asnjëherë.

Ti e di xhan i tezes sesa shumë lodhem unë.

Mrekullinë që Fanazia ka pritur gjithë jetën tek fëmijët e saj, Zoti ia ka dhënë tek mbesat. Ato jetojnë çdo ditë me mendjen tek familja e tezes.

 

 

“ME BLERINËN”

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

“PERSONALITETI I VITIT NGA BASHKIA TIRANE”