Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Diziona 15-vjeçare ka ftuar të ëmën Suzanën, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në e “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, pasi dëshiron t’i kërkojë të buzëqeshë dhe të mos e lejë veten pas dore për hir të problemeve të tyre.

“Jeta jonë ka qenë disi e vështirë, le të themi. Mami, babi dhe unë jetonim në një fshat të thellë të Burrelit. Kur isha 5 – vjeç vuaja nga një sëmundje. E zbuloi mami sepse kur më morri për të më bërë dush, pa disa njolla të zeza në trup dhe në atë moment thërriti babin. Ai është infermier dhe e kuptoi që diçka nuk shkonte tek unë. Në një moment sëmundja shpërtheu edhe nga jashtë dhe mu shfaq hemorragji shumë e madhe.”

Diziona rrëfen se një pasdite pësoi hemorragji dhe e dërguan në spitalin e Burrelit me kalë, sepse nuk gjendej makinë. Në spital thanë se ajo duhej të nisej me ambulancë në Tiranë, pasi nuk e trajtonin dot sëmundjen e saj. Ajo u diagnostikua me një sëmundje gjaku, në Hematologjinë e Pediatrisë.

“Ata zbuluan tek unë që kishte diçka që nuk shkonte me palcën kurrizore, pasi më bënë një gjilpërë shumë të madhe. Kur e kujtoj e kam shumë të vështirë atë moment. Kur dolën analizat, më diagnostikuan me Trombocitopeni. Palca nuk i prodhonte mirë pllakëzat e mia të gjakut, ndaj nuk e bënin mpiksjen që duhet të bënin. Më përcaktuan kushtet e sëmundjes dhe një nga këto ishte që duhet të kisha spitalin afër, por ne jetonin shumë thellë.”

Të gjendur në këto kushte, Diziona dhe e ëma u detyruan të shpërnguleshin në Tiranë, pasi rrezikonin shumë nëse ajo do të pësonte sërish hemorragji në fshat. Diziona tregon se një mik i të atit i ndihmoi të gjenin një dhomë në Institut edhe pse kushtet nuk ishin të mira. I ati i saj qëndroi në fshat sepse duhej të punonte, por largësia ishte shumë e vështirë për ta. Ajo ka një motër nga martesa e parë e të ëmës, e cila jeton me gjyshërit, pasi ata nuk kishin mundësitë ekonomike për të përballuar edhe jetesën e saj.

“Unë jetoj me mamin, pasi prindërit u divorcuan. Ata ia hidhnin fajin vetes që unë sëmuresha vazhdimisht sepse doktoresha thoshte që duhej një trajtim akoma më i mirë për këtë sëmundje. Domethënë trajtimi vinte nga Burreli, që ishte trajtim i dobët në Tiranë dhe duhej një më specifik jashtë, por ishte e pamundur. Rroga e babit ishte gjysma kredi, të na mbante ne në Tiranë, veten dhe rrugën lart e poshtë. Ata u ndanë sepse menduan se unë do t’ia hidhja sëmundjes po të ndaheshin ata, por faktikisht u përkeqësova akoma më shumë. Përveçse isha sëmurë fizikisht, u sëmura edhe moralisht nga divorci i prindërve. Nga divorci u pre një pension ushqimor 120 mijë lekë të vjetra dhe ato nuk vinin rregullisht. Edhe Kemp -i im që ishte 100 mijë lekë të vjetra, që e lidhëm shumë vonë. Ishte e pamundur që ta përballonim jetesën në Tiranë.”

Diziona shprehet se kanë kaluar shumë vështirësi, pasi për shkak të gjendjes së tyre ekonomike dhe pamundësisë për të paguar energjinë elektrike, për rreth 3 vite ato jetojnë në terr. Për Suzanën është shumë e vështirë të përkujdeset për Dizionën nën dritën e një qiriu. Ndërtesa është e braktisur dhe aty jetojnë vetëm tre femra, Suzana, Diziona dhe motra e vogël.

“Shkolla, e vështirë pa drita. Megjithëse ne kemi qenë gjithmonë shumë mirë me mësime, mami tek unë ka parë vetëm që të shërohesha. Më thoshte pak po lodhesh me errësirën, shëndetin, dua vetëm të shërohesh. Unë mësoj me qiri ose dritë telefoni.”

Diziona rrëfen se nuk ka përmirësim në sëmundjen e saj, pasi pllakëzat e gjakut nuk po normalizohen, për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe pamundësisë për të blerë ilaçet që i nevojiten.

“Është e pamundur që unë të shërohem thjesht me disa tableta kortizoni që unë i pi dhe gjithmonë më fryjnë. Ka raste që i marr dhe i them mamit që i piva, por nuk i pi sepse ndihem keq kur ato më fryjnë. Të gjitha problemet që i ndodhën mamit, i janë kthyer në një gjendje stresi dhe ndihet shumë e lodhur, e mërzitur, nuk i shikon më asnjë gjë të bukur jetës. Mami ka qenë njeri i shoqërueshëm, i qeshur, i pëlqente skena, i pëlqente të lexonte sepse ka studiuar për Gjuhë-Letërsi. Por kohët e fundit është tërhequr nga gjithçka, nga shoqëria, nga gjërat e bukura sepse jeta jonë u rëndua shumë dhe nuk kishte mundësi për asgjë të bukur. E la veten shumë pas dore, merrej vetëm me ne dhe u stresua shumë.”

Suzana e ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “ E diela shqiptare”. Ajo rrëfen se pavarësisht problemeve që ka hasur në jetë është munduar t’ia dalë dhe t’i përballojë. Kur shikon në ekranin e murit ndarës vajzën e saj emocionohet dhe shprehet se nuk e mendonte se do të mund të ishte ajo.

Suzana – Shpirti i mamit!

Diziona – “

E di që e prisje, që e njeh karakterin tim, që vuaj shumë me ty, por gjithashtu e di dhe sakrificën tënde për ne. E di që ndihesh e lodhur nga jeta, e di që kohët e fundit ke vazhduar të biesh në një pesimizëm, e di që pika jote e dobët jam unë dhe shëndeti im, e di që të kanë mbuluar hallet, por unë këtu kam ardhur që të sjell një mesazh mjaft të rëndësishëm”.

Dua nga ty që të shikosh që jeta është e bukur, mos u mbyll vetëm me këto halle dhe probleme që të kanë rënë përsipër, duke i vënë vetes kufij dhe duke mos parë pjesën tënde të bukur. E di që kushtet tona janë të vështira dhe gjithashtu shëndeti im po përkeqësohet dita-ditës, por kjo nuk do të thotë që t’i të harrosh veten tënde. Dua që siç ke ardhur sot këtu, siç je zbukuruar për të ardhur këtu, të jesh kështu e bukur çdo ditë dhe të buzëqeshësh përditë, sepse në këtë mënyrë kemi kurajo ne.

Duhet të dish që mbi të gjitha, edhe pse jetojmë në errësirë, ti ke tre dritat e tua, ke tre vajza dhe ne nuk kemi nevojë për dritë, ne e kemi dritën! Mos u shqetëso për kushtet tona, rëndësi ka që ti të jesh e lumtur, ti të buzëqeshësh. Ne nuk duam as kushte, asgjë tjetër. Duam që ti të jesh e lumtur dhe të mos vritesh shpirtërisht. E di që e vuan shumë, por të lutem buzëqesh kur të jesh me ne.

Suzana – Faleminderit. Të dua shumë! Jeni krenaria ime, lumturia ime!

Diziona

Do vazhdojmë akoma të të bëjmë të lumtur, kjo nuk është asgjë. Sa ke vuajtur ti për ne, duhet të ta shpërblejmë edhe më shumë.

Suzana – Faleminderit shumë. Ndihem shumë e qetë që ndodhem këtu, nuk e di. E mendova ndryshe, por sikur m’u larguan të gjitha hallet, problemet. Për momentin jam shumë e gëzuar dhe do të jem gjithmonë, do ta kujtoj këtë ditë.

Diziona

Domethënë ti ma premton.

Suzana – Do të mundohem me gjithë shpirt, sa të kem fuqinë do të bëj gjithçka. Por ndonjëherë e shikoj që gjunjëzohem shumë dhe ndonjëherë u flas dhe tepër, them nuk do jetoj më, nuk do shikoj çfarë do bëni ju prapa. Jam në stres, jam në siklet dhe i jap fuqi vetes me zor. Shoqëria, ambienti, juve më jepni shumë kurajë.

Dizjona dhe Suzana përqafohen dhe të përlotura dëgjojnë suprizën që është përgatitur për to.

Një numër llogarie është hapur në emrin e Suzana Nikolla Kadiu me Swift:

SGSBALTX

dhe për depozitat në lekë IBAN:

AL41202110750000000011083134

, ndërsa në euro IBAN:

AL26202110750000000021083134

.

Të gjithë mundemi të ndihmojnë këtë familje në nevojë, si për kushtet e vështira të jetesës, ashtu edhe për shëndetin e Dizjonës, e cila ka nevojë për ilaçe të kushtueshme dhe dietë ushqimore të veçantë.

Vjollca ka ftuar djalin e saj, Eltonin, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i thënë se jeta vazhdon edhe pse kanë kaluar shumë vështirësi.

 “Unë jetoj në Greqi dhe kam tre fëmijë, Remzien, Eltonin dhe Madjonin. Prej ’93 jetojmë në Greqi, ekonomia na shkoi mirë. Kur kam ikur dy fëmijë i kam marrë me vete, kurse Eltonin që kam thirrur sot ma mbajti mamaja ime sepse ma ka marrë që 6-muajsh dhe ma bëri 8 – vjeç dhe nuk ma jepte. Por në ’97, që filloi rrëmuja, mamaja më tha të vish ta marrësh dhe u detyrova shkova e mora dhe djalin. Punonim të pestë, ekonomia ishte shumë e mirë.” Vjollca shprehet se bashkëshorti i saj punonte në dy punë, në ndërtim dhe si roje nate, për të rritur fëmijët në Greqi. Më 27 Dhjetor 2015 bashkëshorti i Vjollcës pësoi hemorragji cerebrale dhe bëri tre operacione në kokë për të shpëtuar, por pas 2 muajsh qëndrimi në spital nuk ia doli dhe ndërroi jetë. “Kjo ngjarje na ka trishtuar jashtë mase dhe na vuri shumë poshtë si familje. Unë nuk iu jepja dot kurajë fëmijëve, por edhe fëmijët mua. Filluam punët, të ecnim, sidomos Eltoni, meqënëse kishte pikturën në zemër, bëri një festival në Greqi me shpenzimet e tij, duke i dhënë ndihmë dhe bashkia. Por atje ku thamë të fitonim, ne humbëm sepse Eltoni ishte në pistë me këngëtarët që kishte ftuar dhe tre grekë i dëmtuan të gjitha pikturat, duke i shkelur me këmbë. Kjo përsëri riktheu trishtimin tonë. Për Tonin duhej shumë kohë që t’ia hiqnim këtë mërzitje.”

Gjatë përgatitjeve për 3-mujorin e përkujtimit të bashkëshortit të saj, Eltoni pësoi një aksident me makinën e dhuruar nga i ati. Ai ishte përplasur me një makinë tjetër, në të cilën shoferi ishte dëmtuar shumë, ndaj Eltoni mendoi se kishte ndërruar jetë. Nga kjo frikë, ai pësoi gjendje shoku dhe ra në komë.

“Vrapuam prap në spital, në atë spital që kishte vdekur bashkëshorti. M’u desh prapë të shkoja, ishte shumë e rëndë. E kam mbytur në lot atë spital. I shkoja Tonit pranë i flisja, por ai nuk fliste, 15 ditë ka qëndruar pa folur, i iku zëri dhe fshinin vetëm lotët e tij. I kërkuam atij çunit që të vinte, sepse Toni e mendonte të vdekur. U ngrit, erdhi dhe i shtrëngoi dorën Tonit dhe i tha se të dy jetojnë.”

Kaluan muajt dhe Toni vendosi të bëjë sërish një festival në Selanik. Për herë të parë, ai i lumtur telefonon të ëmën dhe i thotë se gjithçka shkoi mirë dhe kishte shitur shumë piktura.

“Por nuk zgjati gjatë ky gëzim. Sa u gdhi mëngjesi, ditë e Diel, ora 09:30, mora një telefonatë që Toni shkoi përsëri në spital. Nuk e dija ç’kishte ndodhur. Gjithmonë pyesja veten se pse Toni. Shkoj përsëri në spital, e gjej djalin përsëri në gjendje kome. Nuk më treguan ç’kishte ndodhur sepse unë nuk mblidhja dot veten. Pas 2 ditësh, një doktor më tha që djali kishte prerë damarët. Toni kur bëri festivalin, e kërcënuan jashtë mase në telefon dhe Facebook. Donin t’i merrnin jetën. Nuk mendoja më për burrin, por mendoja për djalin. Lutesha të mos më ndodhte prapë. Pas 4 ditësh djali është përmendur, por nuk gjenim dot fjalë se çfarë t’i thoshim. Më ka ndihmuar shumë vajza që ka, është greke. Jetoi me mua ditë e natë atje.”

Pas gjithë këtyre situatave të trishtueshme, Eltoni vendosi të mos vazhdojë më pikturën. Por pas shumë përpjekjeve nga familja, ai iu rikthye pasionit të tij. Vjollca rrëfen se Eltoni e vuan ende humbjen e të atit, edhe pse kanë kaluar 1 vit e 4 muaj, sepse kanë qenë shumë të lidhur.

“Toni ka fotografinë e të atit. Natën e mirë i thotë kur vete të flejë dhe mirëmëngjes kur ngrihet. Është e pamundur t’ia heqim. Kur ka dhënë shpirt bashkëshorti, Toni i mbante dorën në zemër. Orën që vdiq babai, nuk e harron kurrë. Ai e ka bërë tatuazh poshtë zemrës, ka vizatuar orën dhe akrepat që ka mbaruar babai.”

Vjollca tregon se bashkëshorti i saj mbante në makinë një disk me këngët e Mariza Ikonomit sepse e pëlqente shumë. Ai ka kërkuar që Toni t’i vendoste një prej këngëve të saj si zile telefoni, por nuk ia vendosi dot sepse nuk e gjeti dhe tani i ka ngelur peng. Ajo shprehet se disku i Mariza Ikonomit do të qëndrojë në shtëpi deri sa të jenë gjallë, jo vetëm ajo, por edhe fëmijët.

Eltoni ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E Diela Shqiptare”. Ai shprehet se është shumë kurioz dhe se nuk e di se kush mund të jetë personi që i ka bërë surprizë.

Eltoni shikon në ekranin e murit ndarës të ëmën dhe përlotën të dy.

Toni, e bëra publike sepse ti e di sa vuaj shpirtërisht dhe e meriton se çfarë djali je. Dua që sytë tonë të pushojnë nga të qarët, jeta vazhdon! Rrugën që la babai në mes, ne ta vazhdojmë deri në fund. Ti vetë më ke thënë që ai s’kthehet më. Dua që ajo shtëpi që u nxi atë ditë, ti vetë e ke thënë që unë do bëj një dasmë. Sa të rrojë mamaja, ju ta vazhdoni atë gëzim, se edhe babai ashtu donte. Babai ëndërronte gjithmonë për gëzimet tuaja. Unë dua një premtim nga ty, kokat të mos i mbajmë më ulur. Boll, kaluan 1 vit e 4 muaj, dashi i mamit. Nuk mund të duroja dot më, 20 ditë që qëndruam në Korçë u plagosa jashtë mase. Thosha se çfarë mund t’i bëj këtij djali dhe e mora guximin që të fola sot. Nuk duhet të qash shpirti i mamit. Babi nuk do harrohet në zemrat tona, por në shembullin e tij të vazhdoni ju rrugën.

Eltoni – Unë linda në ’88 në Ersekë dhe u rrita me prindërit e mamit. Në ’92 unë jetoja në Ersekë, ndërsa prindërit në Sarandë dhe vendosën të iknin në Greqi. Në vitin ’97 erdhi babi më mori dhe u lidhëm prapë si familje. Kam dy prindër që punonin ditë-natë që të mos na mungonte asgjë në Greqi. Jeta vazhdon, një ditë do të martohem, kjo është e sigurtë. Më shumë meqë ishim edhe do jemi familje e lidhur.

Nënë e bir përqafohen dhe shijojnë surprizën që “E Diela Shqiptare” ka përgatitur për ta. Mariza Ikonomi performon “S’të kam harruar”, këngën që u risjell kujtimin më të bukur, një bashkëshort dhe një baba që gjithmonë do të qëndrojë në zemrat e tyre.

“PËR DREKË ME MUA”

Në rubrikën “Për drekë me mua”, sot do të gatuajë Valbona. Për bukurinë e saj, Valbona ka marrë gjithnjë pikët maksimale. Por, si do të vlerësohet sot nga mysafirët për gatimet? Bashkë me shef Renato Mekollin, Valbona ka kuruar me merak këtë drekë. Kujdes! Sot do të jepet edhe verdikti për kuzhinierin më të mirë të kësaj tresheje! Kujt do t`i jepet ky çmim..?!

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” janë babë e bijë. Zemritja ka thirrur në këtë seancë ndërmjetësimi babain e saj Veselin. Historia e Zemritës është mjaft e trishtë. Pas disa vitesh martese, ajo është e divorcuar, por fatkeqësia e madhe që i ka ndodhur është humbja e një fëmije… Çfarë i kërkon Zemritja babait…?!

“EDHE UNË KËNDOJ”

Konkurentët:

Lumturi Muriza,

Marita Heba,

Elvana Xhepa,

Vladimir Hysko,

Silva Beshiri,

Shpetim Xhafa