Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Edmondi fton të ëmën, Mevluten, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i kërkuar falje për gjithçka ç’ka i ka shkaktuar dhe për t’i treguar se sa e do.

“Unë jam Edmond Qoshku dhe vij nga një fshat i Librazhdit. Kam tre vëllezër dhe një motër dhe erdha sot këtu për të ftuar nënën time. Doja të vija këtu që të tregoja historinë time. Ne kemi qenë një familje që mundësitë ekonomike nuk i kemi patur shumë të mira dhe unë i kam hyrë shumë në hak nënës sime. Unë që kur linda kam jetuar te xhaxhai im, i kishim shtëpitë shumë afër me njëri-tjetrin dhe kur shkoja te shtëpia ime shkoja vetëm për t’i përshëndetur.”

Edmondi rrëfen se deri në moshën 9-vjeçare ka jetuar në shtëpinë e xhaxhait të tij dhe se e vetmja arsye që u bëri të kthehej në shtëpinë e tij ishte për fjalët që po përhapeshin në fshat. Për shkak të pamundësisë ekonomike për të patur çfarë dëshironte, ai sillej shumë keq me të ëmën, duke e ofenduar dhe keqtrajtuar. Ndaj ankohej te xhaxhai dhe gënjente se e ëma e ka keqtrajtuar vetëm që ai t’i blinte gjithçka. Edmondi ka emigruar në Greqi kur ishte 18 vjeç, gjë që e bëri të ndihej i vetmuar dhe të reflektonte për ato ç’ka i kishte shkaktuar të ëmës. Ai tanimë shprehet se nuk di se si mund ta rikuperojë gjithë vuajtjen që i ka shkaktuar dhe se për të mund të bëjë gjithçka.

Mevlutja pranon të jetë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “e Diela Shqiptare”. E pyetur nga Arditi se kush mund ta ketë ftuar sot, ajo thotë se duhet të jetë Edmondi, i cili është pika e saj e dobët. Mevlutja shikon në ekranin e murit ndarës Edmondin dhe e lumtur shprehet se e dinte.

Edmondi – Mami, të dua shumë!

Mevlutja

Edhe unë të dua shumë!

Edmondi – Kam ardhur sot këtu të të kërkoj falje ty personalisht për atë që të kam bërë kur isha i vogël, që të kërkoja lekë. Ti më bëje çdo gjë, fshehurazi babit dhe mua nuk më lije asnjëherë. Dhe cigaret i ke marrë shumë herë fshehurazi babit. Të kërkoj shumë falje dhe unë për këtë gjë do të ulem në gjunjë.

Mevlutja

Dhe unë të kam falur 100 herë.

Edmondi – Së dyti, unë kam dhe një mesazh tjetër për ty mami. Ti ke vuajtur shumë herë me shëndetin. Mjeku të jep recetën që të marrësh ilaçet dhe ti nuk i merr, nuk i pi, thua mos të shpenzoj lekë, shiko jetën tënde. Por mua nuk më intereson asnjë gjë para teje, vetëm ti je lumturia ime që unë të bëhem më i lumturi në botë.

Mevlutja

Shumë faleminderit! Dhe unë të jam ulur në gjunjë ty e të jam falur 100 herë.

Edmondi – Unë dua që ti sot të më premtosh në sy të gjithë publikut dhe Shqipërisë që do vish me mua në Greqi se unë kam ardhur apostafat për ty. Kam ardhur për të të marrë në Greqi dhe për të bërë kurimet atje.

Mevlutja

Po, ta jap!

Edmondi – Faleminderit!

Edmondi përulet në gjunjë,  e më pas e përqafon dhe  puth Mevluten, duke na treguar se pavarësisht gabimeve që bëjnë fëmijët, nëna gjithmonë i fal.

Mësuese Mirela dhe dy nxënës të shkollës “Petro Nini Luarasi” ftojnë Jetën, nxënëse gjithashtu në këtë shkollë, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i kërkuar falje dhe për t’i treguar sa krenarë ndihen për të.

Mirela Katundi, mësuese e lëndëve shoqërore në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi dhe dy nxënës të kësaj shkolle, Florian Stafa dhe Brendon Pojani, tregojnë më tepër rreth Jetës, e cila është një person shumë i veçantë për të gjithë. Mësuesja rrëfen se edhe pse nuk e ka nxënëse, ato kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëra-tjetrën. Ndërsa Floriani dhe Brendoni shprehen se fillimisht nuk e pëlqenin aspak Jetën, pasi e mendonin mendjemadhe, të mbyllur në vetvete dhe “peshkope”, një term i përdorur për nxënësit e fiksuar pas mësimeve. Me kalimin e kohës ajo filloi të shoqërohej me nxënësit e tjerë dhe dalë-ngadalë ndryshoi opinioni i të gjithëve për të.

 

“Jeta i duroi këta, nuk pati asnjë konflikt, siç ndodh rëndom kur dikush ndihet i fyer dhe kërkon të drejtën e tij. Unë për këtë e kam vlerësuar dhe e quaj një nxënëse që s’kam për ta shqitur nga memorja ime gjatë gjithë jetës. Ajo filloi një aktivitet dhe një veprimtari në shkollë si për t’ua mbyllur gojën të gjithëve që kjo jam Jeta nga Yzberishti dhe po ua kaloj edhe juve që jeni në Bllok.”

Brendoni tregon se ka qenë Jeta ajo që ka ndryshuar klasën e tyre problematike, pasi ajo ka këmbëngulur  shumë që të ulej fenomeni i bullizmit prej tyre. Mësuese Mirela thotë se Jeta ka krijuar dhe drejton një klub social me 300 nxënës që marrin pjesë, nga 1300 nxënës që janë në shkollën e tyre. Ajo gjithashtu  rrëfen rreth bullizmit dhe rasteve konkrete në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Ajo tregon se është mbajtur një konferencë për këtë çështje, ku Jeta dhe shumë drejtues të senatit të shkollës janë shprehur se kanë qenë ish-viktima të bullizmit, por sot ia kanë dalë dhe janë të suksesshmëm.

“Unë e quaj një vajzë lider të së ardhmes. Jam e sigurt! Unë besoj që Jeta me forcën që ka iu tregoi të gjithëve që ata që flasin për mua kanë probleme me veten. Unë jam Jeta që drejtoj klubin social, jam Jeta që dola e para në oplimpiadën e letërsisë në të gjithë Shqipërinë, jam Jeta që më dëgjohet fjala, jam senatore e klasës. Ajo mund të bëjë çdo gjë se ka një vullnet të jashtëzakonshëm.”

Jeta pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E Diela Shqiptare”. Ajo shprehet se ëndrra e saj është të jetë personi që ka dashur gjithmonë të jetë, duke përmendur realizimin e dëshirave dhe qëllimeve të saj, të bëjë prindërit krenarë dhe mbi të gjitha të jetë e lumtur. Jeta shfaq qartësi dhe vendosmëri në pikësynimet e saj si dhe tregon se ka bërë plane afatgjata. Ajo shikon e habitur dhe e lumtur në ekranin e murit ndarës dy miqtë e saj dhe mësuesen, të cilën e cilëson si udhërrëfyesen e saj gjatë shkollimit.

Mësuesja – Të përshëndes zemra ime! Më fal që të gënjeva në telefon. Unë për ty do ngrihem edhe në mes të natës. Unë dua të të premtoj që do të jem gjithmonë mbështetje për ty dhe dëshiroj që në maturë të bëhem pjesë e familjes tënde. Do të luftoj ku të jetë e mundur, deri te ministrja e arsimit, që do të jetë vitin që vjen,  që ti të fitosh një bursë të plotë për të studiuar jashtë Shqipërisë se e meriton!

Jeta

Faleminderit shumë!

Mësuesja – Unë jam e sigurt që do ta kem pranë gjithmonë, edhe sikur të ikë në Amerikë, përmes teknologjisë do të jemi prapë afër. Të dua shumë, ti meriton më të mirën dhe ti je krenaria e “Petro Ninit” dhe e Shqipërisë.

Brendon – Unë të kam kërkuar falje për atë përiudhën e ftohtë që kemi patur bashkë në fillim, kur të shaja. Doja të të kërkoja edhe një herë falje publikisht. Më fal që jam sjellë ashtu dhe të falënderoj shumë që je një nga miket e mia më të mira!

Floriani – Në vit të parë nuk ta kam thënë asnjëherë ballë për ballë se çfarë mendoja për ty, por flisja me Brendonin dhe të tjerët që të shanim. Dua të të kërkoj falje publikisht. Jam shumë krenar që ti je senatorja e klasës dhe që je shoqja ime më e mirë.

Jeta

Shumë faleminderit!

Fillimisht kur kam shkuar në “Petro Nin”, duke qenë se nuk isha nga shkollat e “Bllokut”, vija nga Yzberishti, të gjithë e kishin problem këtë pjesë. ‘Oh erdhi kjo katunarja nga Yzberishti dhe do bëjë sikur mëson!’ Ka disa persona që kanë komplekse me vetveten dhe normalisht mënyra se si i shprehin nuk është e njëjtë me të gjithë. Jo të gjithë kanë të njëjtat qëllime dhe e konceptojnë qëllimin e tjetrit si të pavlerë. Gjykohen sepse nuk kanë të njëjtat mentalitete.

Unë do i them Brendonit dhe Florianit që ma kanë bërë gjimnazin më të bukur, kanë qenë pjesë e grupit me të cilin unë shoqërohem më tepër dhe realisht janë persona që më kanë surprizuar këtë vit. Për të parë ata të dy përballë meje, nuk e kisha menduar kurrë! Ndërkohë që zysh Mirela ka qenë personi i parë që më ka shkuar në mendje sa kam zbritur shkallët e shtëpisë për të takuar gazetarin. Reagimi i saj më bëri të mendoja që nuk ishte ajo. E di shumë mirë që vlerësimi i saj është shumë i sinqertë dhe është komplet reciprok. Kemi qenë partnere për këto dy vite për çdo projekt që kemi realizuar dhe çdo gjë që kemi kaluar bashkë. E vlerësoj akoma më tepër kur ajo merr një iniciativë për të thënë publikisht se sa më vlerëson.  

Ajo, e pyetur nga Arditi se nëse do të bëhej ministre a do ta bënte Brendonin dhe Florianin pjesë të kabinetit të saj, shprehet se nuk do ta bënte, pasi në bazë të një mësim nga mësuese Mirela, do të preferonte t’i mbante si krahun e saj të djathtë në terren, sesa t’i mbante në karrigen pranë saj sepse njerëzit nuk kanë nevojë për poste e vëmendje për të dhënë kontributin e duhur në vendin ku janë.

Jeta përqafohet me mësuese Mirelën, Brendonin dhe Florianin, por surpriza nuk mbaron këtu.  Studio “E Diela Shqiptare” mbushet plot e përplot me nxënësit e shkollës “Petro Nini Luarasi”, të cilët kanë ardhur për të treguar mbështjetjen e tyre për Jetën dhe se ndihen krenar për të. Por gjithashtu ka ardhur edhe Teuta Braçaj, drejtoresha e kësaj shkolle, e cila shprehet krenare për përfaqësimin e denjë të Jetës në Kroaci, ku edhe është përfolur nga mediat kroate. Drejtoresha shprehet se stafi pedagogjik ka zgjedhur Jeta Krekën për arritjet e saj të larta dhe performancë të shkëlqyer në përfaqësimin e shkollës brenda dhe jashtë vendit, duke e shpallur kështu “Nxënësja e Vitit”. Jeta rrëfeu vlerësimin e saj për shkollën “Petro Nini Luarasi” dhe anëtarët e klubit të saj social. Ajo na tregoi të gjithëve se me mund dhe durim mund t’ia dalësh mbanë, pavarësisht rrethaneve.

“PËR DREKË ME MUA”

Të gjithë e njohim talentin e Florit në muzikë, por të paktë janë ata që njohin talentin e tij në gatim. Dy miq mjaft të rëndësishëm pret Flori Mumajesi për drekë, Eni Çobani dhe Arbian Mazniku. Bashkë me Blerina Bombajn, Flori ka përgatitur pjatat e tij speciale…  

Kujdes! Sot është dita e votimit, ku vendoset fitimtari i kësaj tresheje. Kujt do ia jepnit ju pikët maksimale?

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Rubrika “Shihemi në Gjyq” përball një çift bashkëshortësh. Afroviti dhe Bujari janë në një konflikt, për shkak të një ndarje pasurie. Afroviti i kërkon Bujarit të dalë nga shtëpia, nëse nuk merr atë që i takon nga pasuria e familjes së tij. A do të pranojë Afroviti ta mbajë apo jo Bujarin në shtëpi…?

“EDHE UNË KËNDOJ”

Konkurentët:

Vjosa Kapllanaj,

Ana Leka,

Pervis Halili,

Fatmira Mujollari,

Marjola Myftaraj,

Albert Berisha