Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Genta, një vajzë me një zemër të madhe, ishte protagonistja e “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Ajo është thirrur në program nga familja e Lulzimit, zotërisë të cilit ajo i ka shpëtuar jetën. Genta nuk ishte pjesë e fisit të tyre, as e familjes, po tashmë ata e konsiderojnë si vajzë të dytë, falë gjestit të saj human, që jo shumëkush do ta bënte.

Lulzim: Unë jam ende gjallë për një mrekulli që ka bërë një vajzë. Para një viti e gjysmë u diagnostikova me kancer në mëlçi dhe mjekët më dhanë vetëm gjashtë muaj jetë. U shtanga, mendova se ky ishte fundi im. Në ato kohë familjen e kisha larg. Nusja ime ishte në Kajro te vajza jonë, sepse ishte shtatzënë.

E gjitha familja i janë mirënjohës vajzës e cila me plot gatishmëri dhe me dëshirën e jashtëzakonshme për të shpëtuar një jetë, bëri këtë sakrificë.

Vajza e tij Lorina tregon se fakti që ajo jetonte në Kajro, Egjipt ishte një mundësi e madhe për të shpresuar për një transplant mëlçie pasi kjo gjë mund të realizohet pothuajse me lehtësi atje. Ajo tregon se dy miq të saj egjiptianë kishin qenë në gjendje të bëheshin donatorë por sipas ligjeve në Egjipt, nuk lejohej që shtetasit e vendit të tyre t’i dhuronin një pjesë të mëlçisë shtetasve të huaj. Por familja nuk ishte dorëzuar. Një mikeshë tjetër e familjes ishte ofruar të bënte gjestin human që do shpëtonte jetë por mjekët nuk e kishin këshilluar këtë gjë. Të gjithë ishin në ankth dhe dinin që diçka duhej bërë shpejt në mënyrë që Lulzimi të shpëtonte, por kurrë nuk e kishin menduar që zgjidhja do të vinte nga Genta.

Vera: Një ditë shkoj te parukeria e lagjes, aty ku ka zanafillën historia me Gentën. Hyj, përshëndes mikeshën tonë të përbashkët, por Gentën nuk e vura re fare sepse isha e errësuar. Pasi del Genta pyet parukieren tonë se çfarë po ndodhte me mua. Ajo i tregon problem shëndetësor të tim shoqi.

Sapo Genta mëson se Luli duhej të bënte një transplant mëlçie për të mbijetuar ajo thotë menjëherë “por mund t’ia jap unë”.

Ardit Gjebrea: Dhe në atë moment ajo vendosi që të bëhet dhuruesja…

Vera: Në atë moment ajo vendosi që të dhuronte një pjesë të mëlçisë. Pa praninë time dhe pa dijeninë time ajo kishte marrë vendimin që të shpëtonte një jetë paçka se ishte një vajzë e re vetëm 35 vjeç.

Vera nuk i fsheh emocionet dhe admirimin kur flet për Gentën. Ajo e përshkruan atë si një vajzë të jashtëzakonshme me zemër të madhe e cila bëri një gjest që jo shumëkush mund ta bënte.

Ardit Gjebrea: A pati ndonjë moment dyzimi Genta ?

Vera: Absolutisht asnjë sekondë. Ajo na jepte zemër ne.

Mesazhi në studio, Lulzimi: Genta, dikur një kompozitor i madhe, Bethoveni, kishte dalë xhiro dhe kalon një qytetar që e sheh dhe shkon e përqafon dhe i thotë: dal të të përqafoj një çikë që të kujtojë bota që edhe unë jam dikushi. Prandaj Genta hajde të të përqafoj.

Vera: Zemër, vajza ime e dytë. U bëra me tre fëmijë.

Ardit Gjebrea: Genta falenderimet për ty nuk kanë fund. Na tregoi Vera momentin kur ti vendose të dhurosh një pjesë të mëlçisë tënde. Si ndodhi?

Genta: Zakonisht ne shkojmë të dyja në një parukeri, Vera është shumë e dashur shumë energjike shumë pozitive. Më është gjendur në momentet më të vështira kur unë humba babain.

Ardit Gjebrea: Ti ke pasur një lidhje shumë të ngushtë me babain?

Genta: Kam pasur dhe vazhdoj ta kem edhe pse ai është në botën tjetër. Shkoj aty dhe shoh që Vera ishte e humbur. S’e kisha parë ndonjëherë ashtu. I them parukieres çfarë ka Vera se nuk e shoh mirë? Bashkëshorti i saj tha vuan nga një sëmundje e keqe. Unë mora vesh që grupin e gjakur e kishte A+ siç e kam dhe unë. Dhe i telefonoj menjëherë. I thashë që dua të të takoj dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi.

Ardit Gjebrea: Për cilin motiv vendose që ta bësh?

Genta: Për tim atë, së pari. Mua më ngeli peng pse nuk luftova më shumë që ai të shërohej pavarësisht se vëllezërit dhe xhaxhai bënë gjithçka. Humbja e tij më ka lënë shumë gjurmë. Por duke dëgjuar që Luli ishte 60 vjeç atëherë, sapo do bëhej gjysh nuk ishte bërë akoma. Im atë iku nga kjo botë 60 vjeç, në momentin që duhet të lumturohej, sepse fëmijët ishin rritur. Mora vendimin dhe jam shumë e lumtur pasi kam shpëtuar një jetë, kam shpëtuar edhe veten time edhe tim atë duke qarë përnatë për të. Jam lehtësuar shumë Ardit, nuk di të të them se sa.

Ardit Gjebrea: Transplanti ka ndodhur në Egjipt…çfarë ndodhi një natë përpara?

Genta: Ëndrra e babait tim. Më doli në ëndërr im atë me mustaqet e tij, dhe më tha “jam krenare për ty çika jeme”.

Genta rrëfen se ajo ende nuk i kishte treguar familjes së saj, që ka dhuruar një pjesë të mëlçisë. Për të është një provë e vështirë por drejtuesi i programit Gjebrea i premton se do ta ndihmojë në këtë moment delikat.

Ardit Gjebrea: Do doja që ashtu siç e nisëm këtë gjë ta përfundojmë bashkë. Unë do doja që të kalonim këtë mur të takoheshit sepse telenovela jonë vazhdon, do vazhdojmë pas telekamerave me mua, me ty, me nusen time, mamin tënd dhe vëllain tënd.

Genta e mbyll me fjalët: Vërtetë im atë është atje lart, por kam gjetur një prind siç ishte im atë.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

“Ka një mesazh për ty” vijoi me rastin e një familjeje shumë të lumtur por që për arsye financiare kanë qenë të detyruar të mos jetojnë bashkë për katër vjet. Gazmori dhe Greta kanë jetuar në Greqi larg vajzës së tyre, Gledias, për t’i siguruar siç thonë ata, një jetë dinjitoze. Mirëpo fatmirësisht katër viteve sakrificë po u vjen fundi dhe ata janë gati për ta marrë Gledian të jetojë me ta. Çifti ka zgjedhur t’ia japë lajmin e mirë së bijës në studion e së Dielës Shqiptare në Tv Klan.

Gazmor: Unë jam Gazmori nga qyteti i Gramshit me origjinë. Kam kryer gjimnazin në Gramsh. Familja ime përbëhet nga dy vëllezër, motra edhe prindërit. Në moshën 18 vjeç vendosëm që të vinim me shtëpi në Tiranë, ishte e vështirë. Jo shumë kohë pasi erdha në Tiranë, vendosa të emigroja. Si të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë. Isha shumë i ri, pa dokumente. Shkova në Kretë me ndihmën e vëllezërve atje. U sistemova por fatkeqësisht në një moment më kap policia dhe më kthen. Kur kthehem në Shqipëri aty fillon edhe historia ime me Gretën. Unë në atë kohë isha 21 vjeç.

Ardit Gjebrea(me humor): Si e peshkove?

Gazmor: Nuk isha unë në fakt që e peshkova tamam tamam. Ishte mamaja ime. Ajo u bë shkak që ne të njihemi. Mami punonte në gjelbërim atë kohë, te Komuna e Parisit. I thashë, ma do vi të pimë kafe te puna, të shoh edhe ku punon. Shkoj me mamin pimë kafe aty, kalon një zonjë që më vonë u bë vjehrra ime. Mami e thërret për kafe. Pasi ajo ikën, i them mos ka ndonjë vajzë, që të njihet me mua.

Dhe aty bisedon mami im me mamin e Gretës, bisedojnë familjet. Dal për kafe me Gretën…

Greta: Në fillim nuk doja, por pasi e takova Gazin për herë të parë e pëlqeva shumë. Ai ishte shumë i zgjuar dhe shumë i sinqertë me mua. Nuk kaloi shumë kohë dhe ne u fejuam. Pastaj bëmë edhe dasmën. Ne jemi martuar para nëntë vjetësh… Në shtator mbeta shtatzënë, kur isha katër muajsh Gazi iku në Greqi.

Gazmor: Unë ika në Greqi ndenja diku te 7 muaj. Lindi Greta erdhi në jetë princesha jonë. Unë nuk isha aty për t’i dëgjuar zërin, të qarat e para dhe ky ka qenë momenti më i vështirë. Nuk e ndjeva atë që duhet të ndjejë një baba. Askush nuk duhet ta humbë atë çast. Është momenti më i bukur i jetës së një personi.

Greta: Si erdhi Greta në Greqi?

Gazmor: Gjendja jonë ekonomike vështirësohej gjithnjë e më shumë këtu në Shqipëri. I thashë Gretës do iki, nuk ka rrugë tjetër. Shkoj në Greqi sërish, stabilizohem në një zonë të Kretës. Edhe Greta më bashkohet më vonë, duke lënë vajzën tonë tre vjeç në Shqipëri.

Çifti tregon për momentet e vështira që kanë kaluar kur u vendosën në Greqi për një jetë më të mirë, duke lënë Gledian me gjyshen e saj në Shqipëri. Ata rrëfejnë se prej tre vitesh e lënë vajzën vazhdimisht në Shqipëri.

Gazmor: Unë ia kam shpjeguar gjithmonë që ne shkojmë jashtë shtetit për të. Që ajo të ketë një të ardhme më të mirë. Por sot do t’i premtoj që do ta marr përfundimisht në fund të këtij viti shkollor, duke qenë se unë kam krijuar kushtet e duhura ekonomike për ta marrë.

Ata nuk kanë ftuar vetëm të bijën e tyre Gledia por edhe nënën e Gazmorit për t’i shprehur asaj mirënjohjen më të thellë.

Gazmor: Nëna ime është një mbretëreshë. I ka falur vajzës dashuri, edukim, gjithçka dhe na thotë që vajza do të rrijë me të. Ajo i ka dhënë gjithë dashurinë që ne mund t’ia falnim ose ndoshta më shumë se aq.

Gledia mbërrin në studio bashkë me gjyshen e saj zonjën Ismete. Ajo që në fillim të jep përshtypjen e një vajze shumë të zgjuar dhe lozonjare.

Gazmor: Gledia, shpirt kemi ardhur këtu për të të dhënë një mesazh si edhe për të të kërkuar falje. Të lamë katër vite nuk të dhuruam atë dashuri që kishim, që duhet të të jepnim. Nuk të ishim pranë në vitet më të bukura që ti kalove. Por të gjitha këto i kemi bërë për një arsye që ti të rritesh në kushte sa më të mira. Unë të pata premtuar që do të marr të jetosh me ne në Greqi dhe më në fund erdhi momenti. Sapo të mbarosh shkollën do vish të jetosh me ne.

Greta: Gledia zemra ime, të do mami shumë shumë. Të kërkoj të falur për çdo gjë. Kam bërë çdo gjë për të mirën tënde. Erdhi dita që do jemi bashkë dhe s’do ndahemi më kurrë. Derisa ti të rritesh të bëhesh një zonjushë dhe të krijosh jetën tënde.

Ardit Gjebrea: Zonja Ismete së pari edhe unë të falenderoj që e ke rritur kaq mirë Gledian. Tani do të të ikë goca, si do ia bësh?

Ismete: Ata të shikojnë jetën e tyre, ta marrin gocën, të bashkohet familja. Ata të kalojnë jetë të lumtur të bashkohen, të jenë mirë. Kur ata janë mirë edhe unë jam mirë.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Spiro Shapka ka sjellë në rubrikën “Shihemi në Gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” ish – kryetarin e Komisionit të Ndarjes së Tokave për komunën e Libofshës, Ali Mersalën për t’i kërkuar llogari për një pjesë toke që ka qenë në pronësi të tij dhe tanimë rezulton në emër të dikujt tjetër.

Sipas ligjit 7501, Aliu i ka dhënë Spiros një certifikatë pronësie për një tokë në vitin 1991, e cila rezulton me probleme, pasi ka gjithashtu pronar Petraq Kulen, po ashtu të pajisur me certifikatën e pronësisë.

“Kam përfituar tokë nga ligji 7501 dhe më ka dalë me probleme, prandaj kam sjellë dhe zotin Ali. Tani dal me mbivendosje dhe Qendra Vendore e Libofshës më ka bërë dosjen dhe e kam çuar në Hipotekë. 22 vjet e kam patur pa probleme, por në 10 Korrik 2016 del që dy tapitë janë mbivendosje dhe këtu fillon konflikti”, u shpreh Spiro.

I pyetur nga juristja Eni Çobani nëse ka qenë gabimi i tij në vendosjen e kufijve apo ndryshimi i mekanizmit që ka sjellë këtë problematikë, Aliu tha se gjithçka ka ndodhur pasi ai është liruar nga detyra. Ai shtoi se Petraq Kule i ka vjedhur tokën Spiros, duke falsifikuar dokumentet.

Zonja Eni tregoi dy akt-marrjet e tokave të Spiro Shapkës dhe Petraq Kules të firmosura prej Ali Mersalës. Ky i fundit tha: “Firma ime edhe është edhe s’është. Ja dhe po e pranoj firmën, por ka një gjë që edhe një fëmijë e kupton. Kjo kolona këtu, zotëria e ka më poshtë 200 metra, te vëllai i tij në Libofshë”.

Pas këmbënguljes së Spiros për të thënë të vërtetën se cili dokument është i falsifikuar, ish-kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokave pohoi se akt – marrja e tokës së Petraq Kules është e falsifikuar. Ai pranoi që tokën ia ka dhënë si dhe dokumentin e ka firmosur, por pa përfshirë sipërfaqen prej 200 metrash katrorë të Spiros. Ky i fundit akuzoi Qendrën Vendore se i ka dhuruar Petraqit 200 metra katrorë, duke e mbivendosur në tokën e tij.

Ndërsa në linjë telefonike, Petraq Kule tha se kjo sipërfaqe është pronë e tij dhe nuk ka për t’ia marrë njeri. Ai shtoi se Spiro Shapka “i ka vjedhur natën” dhe 200 metra katrorë që ka marrë.

Juristja Çobani tregoi se Petraqi dhe dy blerës të kësaj sipërfaqeje pohojnë që kjo tokë është në pronësi të Petraq Kules, ndërsa ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokave, që gjendet në këtë seancë ndërmjetësi, thotë të kundërtën. Ajo shtoi se dokumenti i akt – marrjes së tokës është në dy kopje, pasi një e mban pronari dhe një zyra e kadastrës për regjistrimin përkatës.

Spiro tregoi certifikatën e trungut familjar për të vërtetuar që është prej vitesh banor i Libofshës dhe ka patur të drejtën për të përfituar tokë në bazë të ligjit 7501, pasi është çuar çështja te Krimi Ekonomik për t’u hetuar, por ka gjithçka ka rezultuar në rregull.

Zonja Eni u shpreh se sipas saj, dy dokumentet e akt – marrjes së pronës ndryshojnë, ndërkohë që janë shkruajtur nga një person. Gjithashtu në këto dokumente janë kryer llogaritjet gabim, pasi në numrin e pasurisë numër 38/14 në akt – marrjen e tokës së Spiro Shapkës shkruhen 600 metra katrorë arë dhe 200 metra katrorë truall, ndërkohë që në shumën totale është shkruajtur 600 metra katrorë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dokumentin e Petraq Kules, ku në numrin e pasurisë 38/13 është shkruajtur 100 metra katrorë arë dhe 200 metra katrorë truall, ndërkohë që në shumën totale është 100 metra katrorë. Një faktor tjetër shqetësues në këtë çështje është se topografi Stefan Sema mohon të ketë firmosur dokumentin e Petraq Kules.

Ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokave nënë komunën e Libofshës shpjegoi se nëse prona nuk është e vendosur në formularin numër 6, atëherë nuk ka më rëndësi se çfarë shkruhet në dokumentet e tjera, pasi ai është parësori.

Juritja Çobani – Në momentin që jeni vënë në dijeni nga ana e Spiros për këto falsifikime të ndodhura në aktin e marrjes, keni ndërmarrë ndonjë veprim kundrejt organit të prokurorisë? Sepse përgjegjësia e parë bie mbi ju.

Aliu – Çfarë nuk kam bërë!

Juristja Çobani – Po çfarë keni bërë se unë këtu nuk kam asnjë dokument që keni shkuar keni bërë ndonjë kërkesë apo ankesë.

Aliu – Duke qenë kryetar aty, bashkë me shokët e mi, i kam thënë Spiros që ke tokën 39 sepse topografi që ka bërë tokën e Petraqit është false dhe ka thënë që 39 është tokë truall. Këto nuk i bëj dot unë se hyj në burg.

Spiro – Ka fakte të forta që noterja Flora Zoto e ka noterizuar atë tapi sepse ka kaluar në proces gjyqësor, por nuk ka vendosur numër serial të tapisë.

Juristja Çobani – Ç’lidhje ka noterja me aktin e marrjes së tokës?

Spiro – Zoti Petraq i ka dhënë prokurë zotit Ymer, i cili ka bërë ndërtim pa leje. E kam kallëzuar unë dhe ia ka prishur IKMT-ja. Gjykata i kërkoi dokumente, e ka noterizuar tapinë te noterja, por nuk ka numër serie këtu.

Ai rrëfeu se prej dy vitesh ndodhet në konflikt për këtë pronë, por nuk i është drejtuar Prokurorisë Fier sepse mendon se do t’i korruptojë Petraqi.

Në lidhje telefonike, pronari aktual i një objekti në këtë tokë, Ymeri u shpreh se në hartën dixhitale kjo sipërfaqe toke është truall dhe jo arë siç pretendon Spiro. Për sa i përket çështjes gjyqësore që ka hapur ndaj Spiros lidhur me formularin 6, ai tha se e ka bërë se dokumentet ishin të falsifikuara. Ndërkohë që ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Pronave pretendon se është dokumenti i Petraqit i falsifikuar.

“Unë kam blerë objektin 44 metra katrorë. Ky truall është marrë nga 7501 në emër të Petraq Kules dhe ky objekt, pavarësisht se nuk është privatëzuar trualli, a qëndron mbi një truall? T’ja japim Spiro Shapkës truallin dhe objekti të qëndrojë në ajër!”, u shpreh Ymeri.

Ai gjithashtu akuzoi Aliun se ka kryer shumë falsifikime dokumentesh, por Spiro e ndërpreu duke thënë se është vendosur me votë popullore si kryetar i Komisionit të Ndarje së Pronave. Aliu iu përgjigj: “Nuk ke faj ti se të ka gënjyer hajduti, Petraq Kule”.

Juristja Çobani u shpreh se ish – kryetari i Komisionit të Ndarjes së Pronave do të mbajë përgjegjësi penale për këtë çështje deri në momentin që do të zbardhet nga prokuroria.

“I bëj thirrje prokurorit të Rrethit Gjyqësor Fier të marrë në dorë situatën se është alarmante! Nuk janë qytetarët e parë që vijnë nga Libofsha, janë të disatët. Kërkoj, duke filluar nga zoti Ali Mersala dhe të gjithë anëtarët e komisionit të thirren nga prokuroria dhe të zbardhet deri në fund se si është e vërteta e ndarjes së këtyre tokave! Të mos ngelemi me thëniet e qyterëve apo me denoncimet sporadike të njërit apo tjetrit, por ta marë shteti në dorë, prokuroria, gjykata dhe t’i japë të drejtë qytetarëve!”, tha zonja Eni.

Ndaj kjo çështje do të shkojë në organet kompetente për të gjetur zgjidhje për të gjithë qytetarët e Libofshës.

PER DREKE ME MUA!

“TELEBINGO SHQIPTARE”

Edhe unë këndoj!