Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Ana ndan qiranë e shtëpisë me shoqen e saj të ngushtë Enkeledën dhe marrëdhënia mes tyre është shumë e mirë. Por Ana ka një problem me frymëmarrjen dhe duhet të operojë hundën sepse gërhitja e saj nuk e le shoqen të flejë.

E pranishme këtë të diel në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”, Ana kishte ardhur për të për të falenderuar për durimin Enkeledën dhe për t’i kërkuar mbështetjen e saj edhe për operacionin në hundë, të cilin rrëfeu se e kishte me frikë.

“Unë quhem Ana. Jam nga Korça dhe prej disa vitesh jetoj në qytetin e Elbasanit, sepse punoj aty, ekonomiste në një biznes privat. Si fillim kam jetuar tek të afërmit e mi. Me Elbasanin më lidhin shumë gjëra sepse kam mamin nga aty. Siç e thashë fillimisht jetova tek të afërmit e mi, më pas takova Enkeledën”.

Pas disa kohësh, vajzat u bënë shumë mikesha dhe vendosën që të ndanin bashkë të njëjtën shtëpi, ku jetuan për 7 muaj.

“Unë para tre vitesh kam pësuar një aksident të lehtë fatmirësisht, një shembje në shpatull dhe një devijim të kockës së hundës, gjë e cila më la me probleme me frymëmarrjen, unë nuk marr dot frymë një qind përqind nga hunda. Kjo më krijon probleme gjatë natës edhe gërhas pak, pak si shumë…”

Enkeleda e duroi për 7 muaj mikeshën e saj dhe shpesh gjatë natës shkonte të flinte në dhomë të ndenjes. Për shkak se Ana aktualisht është pa punë, shoqet kanë dy muaj që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi.

Por gjërat u bënë më të qarta për Anën, kur Enkeleda e ftoi në shtëpinë e prindërve të saj dhe ato fjetën në një shtrat.

“Kur zgjohem në mëngjes e shoh të mbështetur tek krevati dhe i ishin fryrë sytë aq shumë sa për një moment u tremba, thashë se ka qarë gjithë natën. Por në fakt ajo nuk ishte fjetur gjithë natën. Aty e pyes dhe për herë të parë marr përgjigjen që ‘nuk kam mundur të fle për këtë arsye’. Jam ndier realisht keq”.

Kështu, Ana vendosi që t’i japë zgjidhje problemit të saj me frymëmarrjen dhe të kryejë një operacion. Në studio ajo rrëfen se ka menduar të marrë një kredi për të përballuar operacionin.

Ajo e ka ftuar mikeshën e saj Enkeleda tek “Ka një mesazh për ty” për t’i thënë që të bëjë edhe pak durim me problemin e gërhitjes, si dhe ta falenderojë për durimin e treguar.

Në studion e “E Diela Shqiptare”, Enkeleda sapo pa Anën në anën tjetër të ekranit tha: “Kjo është motra ime”.

“Ti e di shumë mirë që, që prej aksidentit unë kam problem me frymëmarrjen. Ne pasi vendosën që jetuam bashkë, ty të është dashur ta durosh këtë gjë sepse ne ndanim një dhomë dhe ty të është dashur ta durosh dhe nuk je ankuar asnjëherë, për këtë të falenderoj, sepse e di që e ke bërë që të mos më vesh mua në siklet dhe që të mos më bësh të ndihem keq”, tha Ana.

“Përderisa ne kemi vendosur që ta quajmë njëra-tjetrën motra, ti e di që problemi jot është edhe i imi”, tha Enkeleda.

Megjithatë, Ana i tregoi shoqes së saj që ka menduar që ta kryejë operacionin në hundë dhe se do të marrë një kredi. “Por kam edhe pak frikë… edhe pak të më ndihmosh për frikën”, tha Ana.

Por ajo që vajzat nuk dinin, ishte se Ardit Gjebrea kishte ftuar dikë për t’i hequr frikën Anës për operacionin.

Kështu në studio erdhi doktori i mirënjohur Skerdi Faria. Ai shpjegoi se përse Ana nuk duhet të ketë frikë për këtë lloj ndërhyrjeje.

“Ana duhet të rrijë e qetë sepse tashmë kemi një eksperiencë kaq të madhe sa i bëjmë me ‘sy mbyllur’. Kemi bërë mbi 3500 ndërhyrje kirurgjikale të hundës si klinikë. Jemi klinika më e madhe e kirurgjisë plastike në të Ballkanin. Kemi 8 kirurgë që shkojnë e vijnë nga Italia ku dy prej tyre janë dhe kirurg orl, otorino. Ana është në duar të sigurta”.

E përveç frikës, Dr. Skerdi Faria i hoqi Anës edhe barrën financiare, pasi në studio ai tha se do të jetë Klinika Keit që do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet kirurgjikale të saj.

Falë ndihmesës së doktor Skerdi Faria dhe programit “E Diela Shqiptare” tashmë Ana ka një shans të rikuperojë problemin shëndetësor dhe dy mikeshat do të mund të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Arturi ka ftuar bashkëshorten e tij, Manjolën në rubrikën “Ka një mesazh për ty” të emisionit “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjerbrea, për shkak të një gabimi të tij, që ka sjellë probleme në jetën e tyre bashkëshortore.

Ai tregoi se Manjola ka patur një histori të trishtë fëmijërie, pasi në moshën 7-vjeçare i janë divorcuar prindërit. E ëma e braktisi, ndërsa i ati emigroi, duke e lënë atë të jetojë me gjyshërit. Historia e tyre e dashurisë ka nisur në vitin 2000, kur ajo ishte vetëm 15 vjeç, ndërsa ai 24 vjeç. Pas 6 muajsh njohjeje, Arturi vendosi të martoheshin, por duke qenë se familjet e tyre nuk e pranuan këtë marrëdhënie, e rrëmbente të dashurën e tij. Pavarësisht të gjithë sfidave dhe peripecive që iu deshën të përballeshin, ata i fuqizonte dashuria e tyre. Ata sollën në jetë dy fëmijë, Samantën dhe Rein dhe ishin një familje e lumtur.

Ai rrëfeu se ajo është xheloze, pasi rreth një dekadë më parë, e ka tradhëtuar kurorën bashkëshortore dhe Manjola e zbuloi, por për hir të familjes dhe dashurisë e fali, duke lënë gjithçka pas. Por jetesa e qetë familjare nuk zgjati shumë, pasi Arturi i bëri “like” në Facebook ish të dashurës së tij. Kjo ishte një “thikë pas shpine” për bashkëshorten e tij, pasi mendoi se po e tradhëtonte sërish.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të tij për falje, debatet mbizotëronin në familjen e tyre. Arturi e pranon që e ka lënduar bashkëshorten, prandaj dhe e kishte ftuar sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. “E lëndova, por nuk duhej sepse e ka lënduar jeta. Iu nda nga jeta i ati dhe gjyshja që e kishte rritur”, tha i penduar Arturi.

Manjola e ka përjetuar dhe e di se çfarë do të thotë divorci për fëmijët, ndaj është munduar që ta mbajë të lidhur fortë këtë familje. Para pak ditësh ajo festoi datëlindjen dhe vendosi që ta hidhnin pas edhe këtë histori, me shpresën se nuk do të përsëritej më.

Por Arturi ndjente sërish nevojën për t’i kërkuar falje dhe për t’i rifituar besimin, e humbur për të dytën herë.

“Më vrau që humba besimin tek ime shoqe. Atë besim sa më duhet ta rikthej? A duhet kohë? Prandaj i kam sjellë një mesazh që të më besojë që unë jam ai Artur siç më ka dhe nuk e tradhtoj e nuk kam për ta tradhëtuar. E dua dhe do e dua për gjithë jetën!”, u shpreh ai.

Manjola pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe erdhi në studion “E Diela Shqiptare”. E pyetur se kush mund të ketë një mesazh për të, ajo tha se nuk e di, por kur pa në ekranin e murit ndarës bashkëshortin e saj, shprehu lumturi.

Arturi – Dua të të përshëndes për sakrificat që ti bën dhe vazhdon të bësh për familjen tonë. Për mua je një bashkëshorte shumë e mirë dhe një nënë e mrekullueshme, pavarësisht që unë të kam lënduar. Prandaj të solla, të të jap këtë mesazh.

Unë të kam lënduar, por ishte një veprim i pavetëdijshëm. Unë të kërkoj ndjesë. Pas vdekjes së babait dhe gjyshes, ti shpeshherë ma ke thënë dhe shprehesh: Artur a më do? Manjol! Unë të dua përgjithmonë!

Manjola – Dashuria ime!

Arturi – Ti për mua je gruaja dhe nëna më e mirë. Të më falësh për “like” që kisha bërë dikur në një vend.

Manjola – Nuk ka rëndësi fare!

Arturi – Unë të dashuroj dhe për mua je gruaja ime më e lumtur!

Manjola – Edhe unë të dashuroj!

Manjola pavarësisht gjithçkaje u shpreh se vijon të ketë besim te bashkëshorti i saj dhe ta dashurojë. Ndërsa Arturi tha se ndihet i çliruar që i shprehu publikisht dashurinë që do t’i shoqërojë derisa të mbyllin sytë.

Në studio ndodhej dhe vajza e tyre 16-vjeçare, Samanta, e cila e përlotur tha se i do shumë prindërit dhe se i ati është shumë guximtar që tregoi gjithçka publikisht.

PER DREKE ME MUA!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Vëlla e motër, File dhe Vero janë protagonistët e sotëm të seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqipare” për shkak të një konflikti parash.

Familja e Veros ka qenë pjesë e një kalvari të gjatë gjyqësor, ndaj dhe e motra e ka ndihmuar financiarisht. Por ai refuzon të ketë dijeni për këtë borxh që i ka dhënë File.

Vero tregoi si nisi historia e tij.

“Problemi ynë daton herët, po bën rreth 12 – 13 vjet. Unë kam qenë punonjës pranë stacionit të zjarrëfikëses në Vlorë. Në një nga ditët kisha vendosur do shkoja me shpenzimet e mia, por kisha vendosur të merrja dhe makinën e nipit për efekt të një dokumenti që kisha për të marrë në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë sepse aty ndodheshin fëmijët e vëllait tim. Më datë 20 Prill 2015 unë jam nisur për në Sarandë dhe për më shkurt i rash nga bregu. Në rrugë më dolën 3 persona të panjohur, më bënë shenjë për të ndaluar. Ata ishin të veshur jo mirë dhe për t’i respektuar se ishin punëtorë, i mora”.

Ai vijoi duke thënë se i ndihmoi të tre të panjohurit pa e menduar se çfarë peripecish e prisnin. Kur arritën në destinacion, pra në Jorgucat, ata i thanë se do të kalonin kufirin në mënyrë ilegale dhe i thanë rreth 5000 lekë për transportin.

Por duke vijuar rrugën e ndaloi policia dhe e akuzoi për transport emigrantësh në mënyrë të paligjshme. Në komisariat i lajmëruan familjen, duke i thënë që Vero ishte ndaluar sepse po transportonte emigrantë kundrejt pagesës prej 3000 eurosh. Prej shqetësimit të madh nga kjo akuzë, atij i ra tensioni dhe iu desh të shtrohej në spital.

Ndërsa Filja rrëfeu se nuk e di se çfarë ka bërë i vëllai, pasi që prej momentit të arrestimit, ata nuk kanë folur më. Ajo tregoi se fillimisht u kishin thënë që Vero ishte marrë me transport emigrantësh, femra dhe drogë dhe më pas që ndodhej në spital.

Duke parë të gjithë familjen të shqetësuar për këtë çështje, Filja vendosi që të mbledhë disa para për t’ia dhënë avokatit, në mënyrë që të ndihmonte të vëllain.

Por Vero tha se nuk kishte pse ta bënte këtë gjë, pasi ai nuk kishte kryer asnjë krim. Pas ndërhyrjes së juristes Eni Çobani, që avokati paguhet për çdo shërbim, ai tha se ajo ka dhënë një shumë marramendëse parash. Por Filja tha se paratë ia ka dhënë kunatës, pra gruas së Veros dhe ajo më pas ia ka dhënë avokatit.

Zonja Eni u shpreh se më 10.06.2005 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, gjyqtari Artan Laze ka thënë se i pandehuri shpjegoi se do t’i ndihmonte personat të kalonin kufirin, pasi e ka bërë edhe herë tjetër për veten e tij.

Por Vero e kundërshtoi duke thënë se nuk kishte mundësi ta bënte pasi nuk ishte me makinën e tij, ishte i veshur me uniformën e policisë dhe në makinë ndodheshin vetëm 5000 lekë dhe jo 3000 euro siç u pretendua për pagesën.

Ai gjithashtu pretendon se avokati i tij nuk e ka mbrojtur, por ka qenë kundërshtari i tij. Për sa i përket parave që ka dhënë e motra dhe që tanimë ia kërkon atij, Vero tha se ekzistojnë dy mundësi: ose gënjen e motra ose avokati.

Filja – Paratë ia kam dhënë kunatës.

Vero – Ndoshta i ka dhënë paratë, por i ka dhënë pa ditur gjë. Pse duhet të jepnin para? Çfarë kam bërë unë?

Juristja – Paratë për shërbimin, jo para të tjera.

Vero – Për shërbimin janë asgjë para atyre që pretendon se më ka dhënë mua kjo, që i ka dhënë familjes time. Kjo pretendon për një shumë marramendëse.

Filja – Jo, ti harroje atë fjalë, mund t’i kem dhënë! Pse ça jam unë? Kalama jam unë? Dua paratë!

Juristja – Ju ia dhatë kunatës shifrën që ju kërkoi kunata, apo jo?

Vero – Edhe djali i kësaj, nipi im e pranon që ia ka dhënë paratë.

Filja – Se arriti gjendja që nëna jonë do ta ndante nusen me tre fëmijë që të vente te i ati. Kujt ia kishte borxh kjo e bija e botës?

Vero – S’më intereson fare kjo pjesë mua!

Filja – Epo gruaja jote ishte, s’ishte e imja!

Vero – Mua më intereson se çfarë kam bërë dhe pse jam ndëshkuar!

Filja – Unë dua paratë, pikë muhabeti! Dua drejtësi!

Vero – Absolutisht mos kërko lekë!

Filja – Nuk më njeh ti mua? Unë do bëj gjyq më lart! Po s’u bë le të më rrahë djali dhe nusja!

Vero – Të lutem shumë, objekt këtu me këto nuk ke pse më bën se janë zonja të nderuara! Dhe ti në këtë moshë të vish…

Filja – Mos më zër me dorë! Ik ulu atje se je burrë. Unë grua plakë, pa mendje në kokë dhe nuk dal!

Vero – Më ke bërë gjithë ato të mira dhe tani më kërkon pesë lekë. Pse me lekë më krahason ti mua?

Filja – Janë të djalit!

Vero i tha të motrës që i ka ndodhur tragjedi dhe prej 13 vitesh nuk e zë gjumi, ndërsa ajo i kërkon para. “Ti më bëre më keq! Ti je njësoj si drejtësia, më bëre padrejtësi!”, u shpreh ai i zhgënjyer.

Bashkëshortja e tij, Dafina ndodhej në studion “E Diela Shqiptare”, por kur nisi të tregonte se çfarë kishte ndodhur, Vero ndërhyri duke thënë se nuk i intereson fare se çfarë thoshte ajo, apo se ishte duke qarë.

Ajo rrëfeu se duke e parë bashkëshortin në atë gjendje dhe pas kërcënimeve të vjehrrës, i kërkoi para kunatës për t’ia dhënë avokatit.

“Vjehrra më tha o nxirr burrin nga burgu, o do shkosh te babai! Ku të shkoja unë? Mora lekët e shkova bashkë me nipin ia kam dhënë në zyrë avokatit dhe më tha mos ki problem”, u shpreh Dafina.

Vero tha se avokati i tij, Bernard Aliko është i denoncuar publikisht dhe që duhet t’i përgjigjet drejtësisë për paratë që u ka marrë, pasi jo vetëm që nuk i ka shërbyer, por edhe e ka implikuar më shumë.

Ndërsa për sa i përket nipit të tij, tregoi se i ka thënë që ia ka falur paratë që ka dhënë për të provuar pafajësinë e Veros.

Dafina pretendoi se asnjë avokat nuk jep faturë për shërbimin, ndërkohë që juristja Çobani theksoi të kundërtën, duke i kërkuar të mos përgjithësojë.

Filja vijonte të insistonte që t’i kthente paratë, por i vëllai i tha të shkonte t’ia merrte avokatit, pasi atij vetë nuk i ka dhënë gjë.

Zonja Eni tregoi se njëri prej emigrantëve, Sotir Hoxha ka mohuar në prokurori çdo lloj lidhjeje me Veron.

Juristja Eni Çobani shpjegoi se nëse Vero nuk ishte në gjendje për t’u përgjigjur në gjykatë lidhur me akuzën që i ishte bërë, duhej ta kishte shprehur dhe jo të vijonte seanca gjyqësore.

Ajo shtoi se historia që pretendon ai është ndryshe nga ajo e shkruar në vendimin e gjykatës, ndaj dhe e vuajti dënimin. Për fatin e tij të mirë, më vonë mundi të përfitonte nga amnistia dhe tanimë rezulton i padënuar në gjendjen e tij juridike.

Por shqetësimi i tij më i madh është psikologjik, pasi prej asaj dite ai po vuan dhe ka emocione negative, duke ia përcjellë në këtë mënyrë edhe familjes së tij e duke shkaktuar raporte jo të mira me ta.

Vero pretendon se është akuzuar dhe ka vuajtur dënimin pa asnjë provë, madje edhe është shkarkuar nga puna po atë ditë pa asnjë motivacion.

Juristja tha se ai është shkarkuar nga puna më datë 20 Prill 2005, ndërkohë që vendimi i formës së prerë, ka dalë në muajin Tetor. Ai mund të ishte pezulluar dhe më pas në bazë të ligjit do të merrte vendimin për shkarkimin e tij nga detyra.

Vero gjithashtu tha se nuk ka dalë asnjëherë jashtë kufirit në mënyrë të paligjshme, çka kundërshtohet nga deklarata në gjykatë.

E motra ndërhyri duke thënë që nuk ëshët logjike që një person i veshur me uniformën e policisë të tentojë të transportojë emigrantë drejt kufirit në mënyrë të paligjshme.

Vero kërkon që kjo çështje të rihapet dhe të rihetohet pas 13 vitesh, çka është e vështirë. Por duke qenë se tanimë është një komision i ri ligjor, siç është ai i Vettingut, kjo dosje me të gjitha materialet përkatëse mund të rishqyrtohet.

“Unë vetëm te ju dhe te Zoti shpresoj, te asnjë tjetër. As te drejtësia, as te avokatia dhe as te motra ime. Le të thotë çfarë të dojë, unë e kam mbyllur llogarinë e parave. Le të vejë ku të dojë dhe t’i marrë vetë kujt ia ka dhënë”, u shpreh Vero.

Filja i tha se ia ka dhënë bashkëshortes së tij dhe nënës së fëmijëve të tij, ndaj dhe ai iu përgjigj: “S’më intereson fare. Ajo është kunata jote, merre bëj çfarë të duash me atë. S’më intereson fare. Fëmijët le të rriten e të bëhen të zotët e vetes!”

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi i dha të drejtë Veros.

Por e motra e tij u shpreh: “Nuk pajtohem me ty! Edhe po vdiqa, se jam me zemër, mos m’u qas aty ku do vdes dhe as në varreza”.

Ndërsa zonja Eni tha: “E drejta zhytet, por nuk mbytet. Ti në fakt je zhytyr, por nuk je mbytur, derisa je këtu mes nesh. Atëherë këtë dosje sëbashku me një kërkesë të bërë nga ju në mënyrë ligjore, të bazuar në ligjet e Republikës së Shqipërisë, do t’i drejtohemi prokurores së përgjithshme, Arta Markut dhe komisionit të Vettingut për të riparë edhe një herë të gjithë vendimarrjet e gjykatave!”

Ajo theksoi se drejtësia dhe shteti ekzistojnë, ndaj dhe të gjithë duhet të ngrejnë zërin kur ndihen se po gjykohen në mënyrë të padrejtë. Ndërsa përsa i përket marrëdhënies me Filjen, Vero vijoi të thoshte që nuk i intereson.

Pavarësisht mohimit të Veros dhe pretendimit që më shumë e kanë dëmtuar se e kanë ndihmuar, bashkëshortja e tij e ka pranuar publikisht që i ka marrë ato para, ndaj dhe ai duhet t’ia shlyejë motrës.

Vero në fund të seancës së ndërmjetësimit vendosi që të nisë të mendojë për shlyerjen e borxhit të motrës, nëse vërtetohet pafajësia e tij. Por Filja tha se është përballur me presionin e familjes së saj për 13 vjet, ndaj nuk mund të presë më.

Moderatori i emisionit “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea shprehu habinë me zgjedhjen e publikut, pasi kanë përkrahur vendimin e Veros për të mos ia kthyer borxhin të motrës, ndërkohë që ajo dhe bashkëshortja e tij pohojnë që i kanë marrë ato para. Zonja Eni i tha se mund ta kenë mbështetur për pafajësinë e tij dhe jo për mos kthimin e borxhit.

Juristja Çobani theksoi se nëse ai nuk e pranon sërish borxhin, Filja mund t’i drejtohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe të padisë bashkëshorten e tij, çka Veros nuk i interesoi.

Seanca e ndërmjetësimit u përmbyll me motrën dhe vëllain duke bërtitur se as dorën nuk duan t’ia japin njëri – tjetrit e jo më të pajtohen.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

EDHE UNE KENDOJ!