Nga Dorina Bilbili/Pamjet që u transmetuan mbrëmë në emisionin “Stop” në TV Klan, ku administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli dhunon kafshërisht gazetarin Genci Angjellari, pas një investigimi mediatik, ishin pak për të thënë shokuese.

Angjellari u dhunua fizikisht nga Topulli, pasi gazetari kishte bërë detyrën duke i treguar me fakte opinionit publik se mbetjet e rrezikshme spitalore nuk asgjësoheshin, por derdheshin papërgjegjshmërisht në brigjet e lumit Erzen. Fyerjet, kërcënimet, dhunimet dhe ngacmimet e gazetarëve janë të dënuara me ligj. Andaj besoj se për dhunën ndaj një njeriu, profesionisti, babai, bashkëshorti e miku do të përballet me forcën e ligjit edhe “e forta” Mirelë.

Pa dashur të anashkaloj as rezultatet e investigimit me mbetjet spitalore, as dhunën ndaj gazetarit, mendoj se është koha që edhe shoqëria shqiptare të përballet me një të vërtetë të shëmtuar: Nuk janë vetëm burrat, të cilët mund të jenë vrasës dhe sulmues të dhunshëm ndaj seksit tjetër.

Meshkujt kryejnë më shumë krime të dhunshme sesa gratë. Rreth 85-90% e vrasësve të dënuar janë burra. Megjithatë, ka një të dhënë që anashkalohet: Në Perëndim, gati dy herë më shumë burrat sesa gratë janë viktima të dhunës. Kur hulumtoja për një shkrim lidhur me divorcet në Shqipëri, një burim brenda gjykatës më pati thënë: “A e di sa ndjeshëm janë shtuar rastet e dhunës psikologjike madje edhe fizike të femrave ndaj meshkujve në dekadën e fundit? Gjithçka e fshehin (me aprovimin e meshkujve) pas motivit për zgjidhje martese: ‘‘Mospërputhje karakteresh’’. Nga turpi që mos të zbulohen se gruaja i rreh”.

Në një letër drejtuar Universitetit të Iow-s, në vitin 1994, avokati veteran penal Alan Dershowitz raportoi se mbi 40% e vrasjeve bashkëshortore amerikane ishin kryer nga gratë. Shumica e rasteve të dhunës së kryer nga femrat ndaj meshkujve nuk del “jashtë dyerve” të shtëpisë. Fenomen që fshihet (jo vetëm në vendin tonë) për shkak të turpit, paragjykimeve në gjykata dhe gatishmërisë së policisë për të supozuar se meshkujt gjithmonë do të jenë agresori. Ama pavarësisht tentativës për ta mbajtur brenda mureve të shtëpisë këtë dhunë, kronikat na kanë dëshmuar me dhjetëra ngjarje se si meshkujt kanë rënë viktima të dhunës nga femrat, që në disa raste u ka marrë edhe jetën.

Dikush mund të imagjinojë se shkalla më e ulët e krimit të dhunshëm nga ana e grave pasqyron një nivel përgjithësisht më të ulët të agresionit. Megjithatë, hulumtuesit e martesës flasin për të kundërtën. Arriaga, X. B në studimin “Violence in intimate relationships” thotë se gratë kanë më shumë gjasa të nisin përleshje me burrat e tyre, ata janë më të shpejta për ta përshkallëzuar agresionin verbal dhe kanë po kaq të ngjarë të përdorin agresionin fizik si burrat.

Pavarësisht nga këto zbulime kundër intuitive, burrat kanë më shumë gjasa të dënohen për akuzat që kanë të bëjnë me dhunën në familje. “Një arsyetim i qartë për këtë është se meshkujt janë në përgjithësi më të mëdhenj dhe më të fortë dhe mund të kenë më shumë përvojë me agresionin fizik”, shpjegon eksperti i psikologjisë Nigel Barber.

Në të kaluarën, përfshirja e femrave në krimin e organizuar ishte minimale dhe kryesisht për shkak të lidhjes me partnerët gangsterë. Por, sot gratë moderne po sillen më shumë si burrat kur bëhet fjalë për marrjen e rrezikut dhe agresionin. Një shenjë e këtij fenomeni është pjesëmarrja më e madhe në sportet e kontaktit fizik dhe në garat e rrezikshme si garat e kuajve ose garat e makinave.

Sipas antropologes, Elizabeth Cashdan, në shoqëritë ku gratë konkurrojnë më shumë midis njëra-tjetrës në profesione, ose mbi bashkëshortët, nivelet e tyre të hormoneve të stresit dhe testosteronit rriten.

Në botën moderne, ndërsa gratë kanë filluar të marrin pozicione drejtuese në korporata të mëdha, ato gjithashtu kanë vepruar si udhëheqëse në ndërmarrjet kriminale. Një nga kapot më “të suksesshme” amerikane të drogës në Amerikën Latine ishte një grua kolumbiane, Griselda Bianco, e njohur si La Madrina, e cila drejtoi një operacion të gjerë amerikan nga Miami. Ajo nuk është gruaja e vetme që ngrihet në krye të krimit të organizuar. Dekada më parë femrat shmangnin dhunën si një mënyrë për të qëndruar gjallë për të mbrojtur fëmijët e tyre. Por, teksa dallimet gjinore po zhduken në çdo drejtim të jetës, mesa duket edhe kjo teori ka dështuar.

Nëse krimi i dhunshëm është një “punë”, siç thotë Woody Allen në filmin “Take the Money and Run”, a mund të presim që edhe atje të shohim barazinë gjinore? E teksa neve si shoqëri (me të drejtë) i japim shumë vëmendje mbrojtjes së grave nga dhuna, duhet të kuptojmë se jeta e mashkullit nuk është aspak më e lirë.