Pas marrjes në pyetje të Dritan Sulollarit nga autoritetet italiane ka folur avokati i tij, Paolo Bevilacqua, i cili ka hedhur dritë se çfarë ndodhi që gjërat të shkonin deri në ngjarjen makabër, ku mbeti e vdekur Migena Kellezi.

“Nuk kemi të bëjmë me dhunë të përshkallëzuar për shkak se burri ishte xheloz. Bashkëshortët kishin vendosur për një divorc konsensual, përpara se të ndodhte një ngjarje e papritur dhe e pakthyeshme”,

tha Bevilacqua.

Avokati u shpreh se pavarësisht rëndesës së madhe psikologjike dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale në dorën e Sulollarit, ky i fundit është munduar të japë deklarata spontane para autoriteteve.

Pas krimit, Sulollari është përpjekur që djali 8 – vjeçar që ndodhej në shtëpi, të mos e shihte trupin e pajetë të së ëmës. Ai i ka thënë të birit që do të shkonte të vizitohej në spital për plagët në dorë ndërsa mamaja do të shkonte për disa ditë në Shqipëri, për të takuar prindërit.

Nga ajo që është mësuar deri më tani, ngjarja dyshohet se mund të ketë ardhur pas një grindjeje të çastit midis dy bashkëshortëve.

“Sulollari ishte duke kaluar një periudhë të vështirë. Ai kishte humbur punën prej disa muajsh, martesa po shkonte keq dhe për këtë kishte kaluar në depresion”,

tha Bevilacqua.

Avokati tregoi se qëndrimi i Sulollarit me autoritetet është bashkëpunues. Sipas tij, ai është i vetëdijshëm për gabimin dhe se nuk e ka paramenduar aktin.

“Ai nuk e di se çfarë ndodhi në ato momente. As se si e ka plagosur dorën. Gjithçka ka përfunduar në pak sekonda. Fëmija nuk është zgjuar nga gjumi dhe as ndonjë nga fqinjët nuk ka dëgjuar ndonjë ulërimë. Dritani është i dëshpëruar për atë që ai ka bërë me gruan e tij dhe për faktin që la jetim djalin e tij

“, përfundoi avokati Bevilacqua.

/tvklan.al