“Nesër o merr legalizimin ajo ose ikën ti nga detyra.. sepse e the mire që në 1912, se ajo që pret nga 2012, i duket që… Nesër jepi dokumentet në dorë ose përgatit ti dorëheqjen”.

Pa kaluar 24 orë nga ky paralajmërim, kryeministri Rama ka shkarkuar nga detyra drejtorin e ALUIZNI-t në Berat, ndonëse sipas tij halli i gruas së moshuar që kishte prej 5 vitesh që sorollatej për të marrë lejen e legalizimit u zgjidh brenda natës pas ankesës që ajo bëri në dëgjesën e Beratit. Në një postim në Facebook, kryeministri thotë se drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s’mund të jetë.

“Drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve dhe grabitqarëve, si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës”,

shkruan Rama.

 Më tej kryeministri shkruan se vetëm një koalicion i madh i qeverisë së re me njerëzit e zakonshëm, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm. TV KLAN

Postimi:

Dje në dëgjesën e Beratit, kjo zonjë 80 – vjeçare, siç mund ta shikoni e dëgjoni edhe vetë, ngriti problemin torturues të mosmarrjes së legalizimit prej 5 vjetësh, pasi kishte paguar edhe detyrimet në vitin 2012. Drejtori i ALUIZINI-t Berat, ishte i pranishëm në dëgjesë siç mund ta shikoni e dëgjoni po ashtu dhe tha ato që tha.

Sot, qysh në mëngjes njoftoi se legalizimi i shtëpisë së zonjës u krye. Tani lind pyetja: Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë ta ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t’i dorëzonte lejen e legalizimit?! Nuk e di, po nuk është çudi që më parë të ikte nga kjo botë se sa të merrte lejen.

Atëherë, ky drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve (në rastin më të mirë) dhe grabitqarëve (në rastin më të keq), si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës! Drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s’mund të jetë. Kjo është fare e qartë.

Por pyetja tjetër që pason menjëherë është: Sa të tjerë, që nuk e kanë “fatin” e zonjës të më qajnë mua hallin në sy, jetojnë sot me halle të tilla të turpshme për zyrat e këtij shteti?! Kushedi sa janë, qindra, mijëra, dhjetëra mijëra… A zgjidhen dot këto halle, ja kështu, si u zgjidh halli i kësaj zonje dhe a ndalohen dot parazitët e grabitqarët që paguhen me taksat tona, të bëjnë përditë viktima të pafajshme në çdo komunitet të Shqipërisë?!

PO, jam i bindur që PO! Zgjidhen dhe që ç’ke me atë punë nëse do ta ndërtojmë së bashku koalicionin e madh të qeverisë së re me njerëzit e zakonshëm, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila do të jetë online sapo të miratohet qeveria e re. Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm./tvklan.al