DESHMIANjë betejë me dokumenta zyrtare nisi javën që shkoi mes opozitës dhe qeverisë, pasi Partia Demokratike denoncoi emerimin e disa personave me precedente penalë në poste drejtuese të administratës. Në të paktën dy raste pati replika. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit i hodhi poshtë pretendimet e demokratëve se drejtori i zyrës së punës në Korçë, Florenc Tabaku ka qenë i dënuar më parë. Reagimin e shoqëroi me dëshminë e tij të penalitetit, ku Tabaku rezulton i padenuar.

Kompania CEZ shpërndarje hodhi gjithashtu poshtë akuzat se kryeinxhinieri i CEZ në Durrës, Plator Mehmeti ishte dënuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. CEZ bëri publike dëshminë e tij të penalitetit, ku Mehmeti rezulton i Padënuar.

Demokratët, në të dyja rastet reaguan duke publikuar vendimet e gjykatave, ku Tabaku rezulton i dënuar me 6 muaj burg e 250 mijë lekë gjobë dhe Mehmeti me 10 muaj e 15 ditë burgim dhe 267 mijë lekë gjobë. Publikimi i këtyre dokumentave nga të dy palët vetëm sa shtoi kakofoninë. Qeveria e akuzoi Partinë Demokratike se po spekullon mbi dokumenta të keqpërdorura me qëllim manipulimin e opinionit publik.

Por si qëndron e verteta?

Neni 69 i kodit penal, për rehabilitimin, parashikon se personat që janë dënuar me burgim për një kohë deri në 6 muaj ose çdo dënim tjetër me të lehtë dhe që gjatë dy vjetëve nga dita e vuajtjtes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale, quhen të padënuar. Të padënuar, sipas të njëjtit nen, quhen edhe ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga 6 muaj deri në 5 vjet dhe që gjatë 5 vjetëve nga dita e vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer vepër tjetër penale. Ky nen hedh dritë mbi faktin se përse dëshmitë e penalitetit për personat që kanë patur probleme me drejtësinë rezultojnë të pastra. Ai i rehabiliton ligjërisht këto figura, por kjo s’do të thotë se kanë qenë të padenuar, ashtu si figuron në dëshmitë e penalitetit.